PD: Guvernatori dhe Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë në skemë mashtrimi, kreditë e këqija iu shitën subjekteve pa licensë

0
92

PD ka denoncuar sot me forcë një skemë mashtrimi financiar në të cilën është përfshirë edhe Banka e Shqipërisë, ku mbi 100 mijë persona mendohet që të kenë rënë pre e saj, duke paguar disa herë më shumë se borxhi që kishin e madje në plot raste shumë prej tyre u janë marrë dhe tjetërsuar edhe shtëpitë që kishin në pronësi, ndonëse borxhet që kishin nuk e justifikonin diçka të tillë.

PD theksoi se do duhej që Banka e Shqipërisë të ndërhynte menjëherë për të bllokuar transaksionin financiar dhe të merrte masat dhe hapat ligjore për të pezulluar aktivitetin e Micro Credit Albania.

Z. Dorjan Teliti, këshilltari i Çështjeve Ekonomike në PD, i cili zbardhi skemën, deklaroi si në vijim:

Partia Demokratike e ka parë gjithmonë me rezerva aktivizimin e Bankës së Shqipërisë në rastin e përdorimit të gjerë të parasë informale në tregun shqiptar, si edhe zhvlerësimin e lartë e të dëmshëm të euros në tregun vendas, me pasoja negative sidomos për eksportin vendas.

Sot në emër të Partisë Demokratike do të denoncoj me forcë një skandal  financiar dhe korruptiv që përfshin Guvernatorin Gent Sejko dhe Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Bëhet fjalë për rreth 100 mijë dosje kredish të këqija, të cilat janë shitur nga bankat e nivelit të dytë Micro Credit Albania, kompani e cila në fillimet e kryerjes së këtyre transaksioneve nuk ka qenë as e licencuar për të kryer këto veprime financiare.

Konkretisht, ndonëse nuk ka qenë e licencuar për të blerë portofol kredish, në gusht 2015, Micro Credit Albania blen një portofol të kredive të këqija prej 22 milionë euro nga ProCredit Bank, me një çmim prej vetëm 2,7% të totalit të këtij portofoli.

Në këtë moment, do duhej që Banka e Shqipërisë të ndërhynte menjëherë për të bllokuar këtë transaksion financiar dhe të merrte masat dhe hapat ligjore për të pezulluar aktivitetin e Micro Credit Albania, dhe gjithashtu të denonconte në organet e prokurorisë shkeljet ligjore të kryera.

Por e kundërta ndodhi.

Në vend që Banka e Shqipërisë të ndërmerrte hapat e detyrueshme ligjore, vetë ky institucion, në mars 2016 ndryshon rregulloren ‘Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga instititucionet financiare jobanka’. Në maj 2016 bën edhe ndryshimin e statusit të licencimit të Micro Credit Albania nga ‘Institucion Financiar Microkrediti’ ne ‘Subjekt Financiar Jo-Bankë’, duke ligjëruar tashmë veprimtarinë e blerjes së kredive të këqija. Kini parasysh transaksionet për një portofol prej 22 milionë eurosh ishin kryer në gusht 2015.

Pas licencimit të ri, Micro Credit Albania zgjeron me pothuajse 5 herë portofolin, duke arritur në rreth 100 milionë euro.

Pasojat kanë qenë dhe janë të tmerrshme ende sot që flasim. Mbi 100 mijë persona mendohet që të kenë rënë pre e kësaj skeme kriminale, duke paguar disa herë më shumë se borxhi që kishin e madje në plot raste shumë prej tyre u janë marrë dhe tjetërsuar edhe shtëpitë që kishin në pronësi, ndonëse borxhet që kishin nuk e justifikonin diçka të tillë.

Pyetjet tona për institucionet dhe publikun janë:

Pse nuk reagoi Guvernatori dhe Banka e Shqipërisë ndaj kësaj skeme mashtrimi financiar?

Pse u bë ndryshimi i rregullores dhe përse u ndryshua statusi i Micro Credit Albania menjëherë pas ndryshimit të kësaj rregulloreje?

Pse Guvernatori dhe Banka e Shqipërisë nuk morën masat për të parandaluar dhe shmangur dëmet që  transaksione financiare kanë passjellë?

Pse nuk është marrë asnjë masë edhe pas kallëzimit penal të ish Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj mbi këtë çështje?

A ishin dhe a janë palë në këtë skeme kriminale financiare Guvernatori dhe Banka e Shqipërisë?

I bëjmë thirrje Prokurorisë të zbardhë sa më shpejt këtë skemë financiare kriminale. Fatet e dhjetëra mijëra familjeve varen sot në fijen e perit nga zbardhja dhe ndëshkimi i të gjithë atyre që kanë lejuar dhe mbështetur këtë skemë.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, të thërrasin urgjentisht në seancë të posaçme Guvernatorin e Bankës Qendrore për të raportuar mbi çdo detaj të kësaj çështjeje.”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here