Vizita e Ramës në Athinë/ Djali i Belerit: Atë e shqetëson fakti që Greqia po sillet si një shtet ligjor! Donte të provokonte dhe të terrorizonte !

Edi Rama pati një qëllim të dyfishtë me takimin që bëri në Athinë me Diasporën, ka thënë Petros Beleri, djali i Fredi Belerit.

Në një intervistë për SKAI-n, Petros tha se Rama zgjodhi pikërisht datën kur u arrestua babai i tij një vit më parë, duke e parë këtë si një provokim.

“Zgjedhja e datës konkrete besoj qartë se ishte një sfidë, ai donte të provokonte dhe të përgjigjej për kandidaturën e Belerit. Nuk mund të konsiderohet rastësi që pikërisht në të njëjtën ditë të vitit të kaluar, ky pogrom u bë ndaj një kryetari të atëhershëm kandidat, pastaj kryetarit të zgjedhur dhe që nga ajo kohë një komuniteti të tërë himariotësh që as sot nuk e ka parë demokracinë. Nga ana tjetër, ai donte të terrorizonte pakicën etnike greke që jetonte në Shqipëri, besoj se dëshiron të mbledhë rrethin e tij të ngushtë dhe të dërgojë një mesazh terrori për pjesën tjetër të grekëve që kanë mbetur pas”, tha Petros Beleri.

Sa i përket reagimit të Belerit me një deklaratë nga qelia, Petros tha se ka parë një acarim tek Rama.

“Mendoj se ka parë një acarim dje tek zoti Rama. Atë e shqetëson që Greqia sillet në kushtet e shtetit ligjor, e shqetëson që Greqia po sillet institucionalisht, e shqetëson që Greqia sillet në mënyrë demokratike, e shqetëson që humbi zgjedhjet në Himarë. Është i shqetësuar që babai im nuk u tërhoq gjatë gjithë kësaj kohe”, u shpreh ai.

Share it :