Abuzime me tendera/ Ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi sërish thirret në SPAK

0
114

Ish kreu i bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi është thirrur sërish ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme.

Thirrja e Roshit në SPAK mund të ketë lidhje me një kallëzim të Këshillit të Lartë të Shtetit, gjatë auditit të vitit 2013-2014, në kohën kur kreu i bashkisë së Kavajës ishte Roshi. Në këtë auditim, u gjetën disa parregullsi në fushën e Urbanistikës dhe prokurimeve të fondeve publike me dëm ekonomik në vlerën 33 milion lekë.

Prokuroria e Posaçme po kryen hetime për dyshime lidhur me abuzime me tendera publik në bashkinë e Kavajës në kohën që ky institucion drejtohej nga Roshi dhe ky i fundit u pyet në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit si ish titullar i institucionit publik.

Më herët Gjykata e Durrësit kishte pushuar procedimin penal ndaj ish-kryebashkiakut socialist. Megjithatë Gjykata e Posaçme ka marrë vendimin që dosja e ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, i akuzuar për shpërdorim detyre, t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme.

“Konstatimi i pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: Pushimin e procedimit penal nr.317 të vitit 2017, të regjistruar për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 të K. Penal”, thuhet në vendim.

Ndaj GJKKO, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, vendosi që aktet t’i kalojnë SPAK për vijimin e hetimeve.

Kallëzimi nga KLSH

Në vitin 2015, kryetari i bashkisë së Kavajës së asaj kohe u kallëzua në Prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shkelje ligjore me prokurimet e fondeve publike.

Sipas KLSH, Rroshi dhe 10 zyrtarë të tjerë të bashkisë së Kavajës kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh me tenderat e rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.

Në një njoftim zyrtar, KLSH shprehej se shkeljet janë zbuluar pas një auditi të kryer në bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013-dhjetor 2014, kohë për të cilën Rroshi dhe vartësit e tij akuzohen se kanë kryer veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”.

Kontrolli i Lartë i Shtetit renditi në listën e shkeljeve 12 tendera, të zhvilluar kryesisht për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, të disa rrugëve lidhëse dhe mbjelljen e pemëve dekorative. KLSH akuzoi bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesëmarrësve në disa tendea, duke s’kualifikuar operatorin me ofertën më të ulët. Për 3 tenderë të tjerë, KLSH vlerësoi se ofertuesi me çmimin më të ulët është s’kualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës.

Sipas KLSH, shkelje ligjore u konstatuan edhe në blerjen e karburantit, mbjelljen e pemëve dekorative apo ndriçimin e shëtitores “Indrit Cara” në Kavajë, ku kompanitë fituese vlerësohet se janë shpallur pa plotësuar kriteret ligjore për kualifikim.

Tenderët e kallëzuar nga KLSH janë kryer gjatë mandatit të parë të Elvis Rroshit në krye të bashkisë së Kavajës.

Përveç shkeljeve me prokurimet publike, KLSH konstatoi gjatë auditit probleme edhe në zbatimin e ligjeve urbanistike në qytetin e Kavajës. Sipas KLSH, ndërhyrjet në infrastrukturë janë kryer pa plotësuar dokumentacionin përkatës teknik dhe ligjor në 20 raste.

Pas kallëzimit, Për Roshin nuk u njoftua asnjëherë akuzë penale.

Gënjeshtra në formularin e dekriminalizimit dhe dënimi për përdhunim në grup, në Itali

Elvis Roshi erdhi në krye të Bashkisë së Kavajës në zgjedhjet lokale të vitit 2011, nën logon e Partisë Socialiste, si një personazh i mbështetur fuqishëm nga kryeministri Edi Rama.

Në zgjedhjet e vitit 2015, Roshi fiton një mandat të dytë, ndërsa si sukses paraqiste transformimin e qytetit përmes punëve publike.

Rënia do të niste një vit më vonë, kur KQZ i hoqi mandatin e kryebashkiakut Elvis Roshit, pasi nga verifikimet e Prokurorisë së Përgjithshme, rezultoi se kishte gënjyer në vetëdeklarimin për formularin e dekriminalizimit.

Prokuroria zbuloi se ai nuk kishte raportuar një dënim për përdhunim në grup të marrë në Itali.

Nga verifikimet e kryera nga zyra ndërlidhëse e Italisë me Europol rezultoi se Ervin Roshi është dënuar për përdhunim të kryer në vitin 1995 në Campobasso, Itali. Asokohe ishte në moshën 16-vjeçare dhe kishte shkuar në shtetin fqinjë si refugjat.

Po ashtu, hetimet zbuluan se ishte dëbuar nga Zvicra në vitet 1993 dhe 1997. Referuar raportimeve meditike, ndalimet lidheshin me çështje të trafikut të drogës.

Për mosdeklarimet e këtyre fakteve, Rroshi u arrestua me urdhër të prokurorisë në qershor të atij viti nën akuzën e veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”.

Masa ndaj tij u zbut nga gjykata dhe Roshi u lirua më pas, ndërsa përfundimisht u dënua në vitin 2018 nga Gjykata e Tiranës me 60 orë pune në komunitet.

Gjatë kësaj kohe, Elvis Roshi u kthye në qendër të akuzave të opozitës, ndërsa mbështetja nga kryeministri Edi Rama ishte e zelltë. Edhe në Maj 2016, kur komentoi për herë të parë dorëheqjen e Roshit si kryebashkiak pasi iu zbuluan dënimet jashtë vendit, Rama do të shprehej se Roshi “po sulmohej me opinione kriminalizuese të pambështetura në fakte po në shpifje” dhe sipas tij “meritonte solidaritet”.

“Rasti Griselda”

Më herët, “çështja Griselda” ishte një tjetër ngjarje që vendosi në qendër të vëmendjes Elvis Roshin.

Në 1 qershor, vetëm një muaj pasi Roshi fitoi mandatin e parë si kryebashkiak i Kavajës, bashkëshortja e tij Griselda Roshi do të denonconte se ishte rrëmbyer në muajin e nëntë të shtatzënisë nga persona të panjohur dhe agresorët i kishin marrë fëmijën nga barku.

Çështja menjëherë u përdor politikisht nga Edi Rama dhe Partia Socialiste. PS u hodh në sulm kundër qeverisë së asokohe dhe ish-Kryeministrit Berisha duke i akuzuar ata direkt për këtë akt (të shtirur) barbar, madje duke dhënë si motiv hakmarrjen e tij ndaj Elvis Roshit që kishte fituar në Kavajë së fundmi.

Megjithatë, historia sofiste u zbulua shpejt. Hetimet 48-orëshe të prokurorisë dhe policisë zbardhën inskenimin e të shoqes së Elvis Roshit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here