Ndërsa vijojnë diskutimet në Parlament, deputetja e opozitës Ina Zhupa denoncoi një tjetër abuzim sipas saj me pushtetin. Ajo i përmendi ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro linjën e trenit që është vendosur së fundi brenda parkut të Syrit të Kaltër për transportin e turistëve.
Zhupa e pyeti Kumbaro se çfarë e lidh nënkryetarin e Bashkisë Sarandë, Elton Dauti, me këtë investim privat. A është bashkëshortja e tij, Stela Qesari, aksionere e fshehtë e këtij biznesi, pyeti më tej Zhupa ministren Kumbaro.
Por ministrja refuzoi të përgjigjej dhe nuk e ngriti kokën teksa kolegia e opozitës ngriti akuza për mungesë transparence. Kujtojmë që shërbimi privat me tren në Syrin e Kaltër ka nisur vetëm këtë sezon. Kompania që e ofron është “Saranda Taxi” pas së cilës ka dyshime që fshihet nënkryetari i Bashkisë Sarandë.
Nuk dihet ende se si është organizuar procedura publike për licencimin e këtij shërbimi dhe përzgjedhjen e kompanisë ofruese.
Të ardhurat nga ky shërbim janë të shumta pasi çdo ditë në Sy të Kaltër gjatë sezonit sidomos shkojnë mijëra turistë, të cilët i paguajnë kompanisë private rreth 5 euro për transport.
Mbetet për t’u parë nëse ministrja e Turizmit, Kumbaro do të bëjë apo jo transparencën që i kërkoi deputetja e PD në Sarandë. ©LAPSI.al