Kryetari i Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule i ftuar në ‘Çim Peka LIVE’, ka dhënë mendimin e tij, se pse Edi Rama e donte Fredi Belerin në burg.
Sipas Dules, arsyeja e parë janë pronat dhe e dyta ka të bëjë me historinë e kësaj zone.
‘Pse Edi Rama e donte Fredi Belerin në burg.
Ka dy arsye.
E para, janë pronat. Edi Rama ka vënë dorë të rëndë dhe është grabitës i pronave në të gjithë zonën bregdetare të detit Jon. Është një fenomen që ndodh në të gjithë Shqipërinë, por në asnjë zonë tjetër me masivitetin dhe intensitetin e pronës në Himarë.
E keni ndjekur rastin e bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme.
Ky skandal mban firmën e kryeministrit, mban vulën e Këshillit Kombëtar të Territorit, ku në krye është Edi Rama.
Në zgjedhjet e fundit në Himarë morën pjesë rreth 8 mijë zgjedhës.
Në vitin 2020, në marrëveshje kryeministri Rama dhe komuniteti i Himarës, u vendos që brenda një periudhe kohore që të gjithë qytetarët që kishin pretendime për pronat në Himarë, të paraqisnin pronat e tyre.
U paraqitën plot 8 mijë dosje.
8 mijë zgjedhës, 8 mijë dosje. Pothuajse çdo qytetar ka një çështje prone të grabitur në Himarë.
Edhe pse ishte premtuar një afat deri në shtator 2020, që të shqyrtoheshin këto dosje dhe të jepeshin titujt e pronësisë, deri më sot janë shpërndarë vetëm 35 tituj pronësie nga 8 mijë raste.
Arsyeja e dytë është fakti se Himara ka një histori të veçantë. Në vitin 1945 kur vendi ishte nën pushtetin komunist, Himara ishte zona e vetme në Shqipëri që votoi kundër komunizmit. Që atëherë pati ekzekutime masive, internime masive, ndryshim të kombësisë në regjistrin e gjendjes civile dhe mbylljen e shkollës në gjuhën greke’, tha Vangjel Dule në SYRI TV.