Pyetja fatale se ku kanë shkuar mbi 130 milionë euro të dhëna për inceneratorin e Tiranës, në të cilin ende nuk është vënë asnjë tullë, nuk shërben vetëm për t’i nxjerrë bojën kësaj vjedhjeje gjigande. Ajo vlen edhe për të kuptuar një nga përplasjet më të mëdha në gjirin e mazhorancës socialiste, atë mes kryebashkiakut Veliaj dhe zv.kryeministres Balluku.
Ajo që u pa pas daljes së buzëqeshur të zv/kryeministres nga dera e SPAK-ut dhe që gjerësisht u komentua si një ngulje thike për “Lalin” është vetëm ana e dukshme e medaljes. Nën rrogoz është zhvilluar një luftë e paepur për të përcaktuar fajtorin e ardhshëm.
Dokumentat tashmë të bëra publike të letërkëmbimit mes tyre dëshmojnë se të dy kanë qenë të ndërgjegjshëm se tek djegësi bëhej fjalë për një grabitje të madhe dhe pikërisht për këtë kanë dashur të heqin përgjegjësinë nga vetja për kontrollin e punimeve që nuk justifikonte disbursimin e parave.
Nga njëra anë, kryebashkiaku që ishte personalisht propozuesi i ndërtimit të inceneratorit, garantuesi i financimit të tij, ose sikurse e quajti më pas Arben Ahmetaj “pronari de facto”, refuzonte të merrte përsipër drejtimin e Njësisë të Zbatimit të Projektit, entitetit që kontrollonte ecurinë e punimeve.
Nga ana tjetër, Zv kryeministrja Balluku, që për të shmangur këtë përgjegjësi kontrolluese me mëndësinë “kanë vjedhur të tjerët pse ta mbaj peshën unë”, qe futur në sherr edhe me ministra të tjerë si Blendi Klosi, Mirela Kumbaro apo Delinda Ibrahimi, donte me çdo kusht t’ia kalonte barrën e kontrollit bashkisë së Tiranës.
E gjithë loja bëhej se cili do kryesonte Njësinë e Zbatimit të Projektit të inceneratorit të Tiranës. Sipas faksimileve të botuara në një shkrim të detajuar investigativ nga Kapitali.al, përplasja mes Veliajt dhe Ballukut për inceneratorin nis në qershor 2021, katër vite pasi ishte firmosur kontrata për ndërtimin e inçeneratorit. Bashkia e njofton ministrinë e Ballukut se do të ndryshonte një nga anëtaret e njësisë së zbatimit të projektit (nga pesë gjithsej). Ajo propozon që Ilda Qazimllari të zëvendësohej me Henrik Hysenbegasin. Nisur nga ky zhvillim ministrja e infrastrukturës Balluku shfrytëzon rastin që t’i lërë topin Veliajt. Ndonëse si autoritet kontraktor i takonte asaj që të caktonte kryesuesin e njësisë së zbatimit të projektit, ajo propozon që me këtë detyrë të ngarkohet Hysenbegasi i bashkisë. Balluku ishte e qartë: ti e ke bërë lëmshin ti mbaj përgjegjësinë.
Por Veliaj donte edhe të hidhte gurin, edhe të fshihte dorën. Pasi mendohet nga qershori në gusht, ai më në fund i kthen përgjigje zv/kryeministres se nuk e pranonte këtë propozim. “…meqënëse shumica e anëtarëve të NJZP i përket Autoritetit Kontraktor duhet që kryetari të jetë një nga anëtarët e Autoritetit Kontraktor, mundësisht nga drejtoria e Mbetjeve. Ju bëjmë me dije se zoti Hysenbegasi do të jetë anëtar i NJZP, por nuk mund të mbajë funksionin e kryetarit,” i shkruan Veliaj Ballukut në shkresën me datë 2 gusht 2021.
Pikërisht në këtë kohë duhet theksuar se punës së inceneratorit i kishte dalë era dhe se qeveria vendosi, gjoja që për shkak të pandemisë, të shtynte edhe me dy vite afatin për fillimin e punimeve duke ditur se aty nuk ishte vënë asnjë tullë. Prandaj përplasja për përgjegjësitë bëhet më e ashpër aq sa e deyron edhe ish ministren e financave, Delina Ibrahimaj të ndërhyjë dhe t’i japë të drejtë Veliajt duke i kërkuar me shkresë Ballukut se i takonte ministrisë së saj që si autoritet kontraktor të informonte për gjendjen e koncesionit.
Në fakt, ky episod i nisjes së sherrit Veliaj- Balluku është vetëm një fragment nga saga pothuajse shtatë vjeçare të dhënies së parave publike, pa kontroll nëse inceneratori po ndërtohej apo jo. Si i tillë ai dëshmon për faktin se të gjithë ishin të ndërgjegjshëm për vjedhjen ndaj nuk donin të bëheshin dëshmitarë të saj. Por ai tregon edhe një gjë tjetër. Atë se çifti konfliktual Balluku-Veliaj nuk është vetëm pjellë e garës për prezencë mediatike, as e luftës brenda Rilindjes për rolin e pasardhësit. Ai i përngjan më shumë sherreve të një bande grabitësish që, pasi kapen, reken të lënë përgjegjësinë tek njëri tjetri. Pikërisht këtë nxjerr në pah lufta me shkresa për t’i ngopur shoshoqit kontrollin e milionave që digjeshin në gropën e inceneratorit.