Hekurudha Tiranë- Durrës nuk përfundoi as këtë pranverë, duke shkelur një tjetër afat.
Linja e trenit elektrik që do të lidhë Tiranën me Durrësin pritet të inagurohet në prag të zgjedhjeve në 2025. Verifikimet tregojnë se në terren vijon puna për të përfunduar 30% të projektit.
Nga kantieri i punimeve për hekurudhën Tiranë-Durrës pranverën e shkuar, kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, premtoi se linja e trenit elektrik mes dy qyteteve do të përfundonte në mars të këtij viti.
‘”Mezi pres, që në më pak se një vit nga sot, ne të kemi dorëzuar këtë dhe të fillojë ambicia për punë të tjera…’, deklaroi Veliaj, në krah të ministres së infrastrukturës Belinda Balluku. Edhe Balluku përforcoi të njëjtin afat përfundimi për linjën hekurudhore Tiranë – Durrës.
“Në mars 2024 kantieri duhet të dorëzohet”- theksoi Balluku.
Koha tregoi se angazhimi për të përfunduar linjën hekurudhore mes Tiranës dhe Durrësit këtë vit nuk u përmbush. Hekurudha vijon të jetë kantier, pasi ende nuk është arritur të përfundohet 30% e volumit të punimeve.
Vonesat në këtë projekt sipas Hekurudhës Shqiptare lidhen me pesë elementë:
- Elektrifikimi i linjës hekurdhore
- Ndërtimi i godinave të stacioneve hekurudhore dhe urave hekurudhore
- Ndërtimi i segmentit hekurudhor në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit (TIA).
- Zgjatimi i linjës prej 4 km nga PTT në drejtim të Bulevardit “Zogu i Parë”
- Shpronësimet
Parashikimet e reja tregojnë se linja hekurudhore Tiranë-Durrës do të përfundojë marsin e vitit të ardhshëm.
‘Linja hekurudhore “Durrës -Tiranë” së bashku me segmentet hekurudhore përkatëse (Domje – Rinas), përfundon brënda tremujorit të parë të vitit 2025.’, pohon zyrtarisht për Faktoje, Hekurudha Shqiptare.
Kjo nënkupton se inagurimi i veprës që shënjon rijetëzimin e hekurudhës shqiptare do të ndodhë pak para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Verifikim
Mëngjesin e 22 majit, në dalje të Tiranës pranë mbikalimit të Rinasit, po punohej për shtrimin e shinave të reja në gjumën ekzistuese.
Paralelisht puna vijonte edhe për ndërtimin e urave të reja.