Gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, kryedemokrati Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj Edi Ramës.
Sipas tij, ‘ky regjim sundon me familjet mafioze të Rrajave, Ndokës, Bajrëve, Avdylëve, Troplinëve, Dervishëve, Xhafëve, Ballës, Çelëve’.
Të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë, misionare dhe misionarë të vërtetë të kauzës së drejtë, të dinjitetit njerëzor, shpresës, besimit dhe fitores së ardhshme.
Ju përshëndes përzemërsisht ju.
Përshëndes oratorët për fjalët e tyre në platformën e parlamentit të lirisë, që rrezatojnë shpresë dhe besim në të katër anët e vendit.
Miqtë e mi, sot ne nderojmë në përvjetorin e ndarjes nga ne, njërin nga personalitetet më të shquara, më besnike, më të virtytshme të PD, ish-presidentin Bujar Nishani.
Ne jemi të vendosur të luftojmë për idealet e demokratëve, por edhe për idealet e demokratëve që nuk jetojnë më, midis tyre ish-presidentit Bujar Nishani.
Miqtë e mi, Edi Rama shtyu përsëri publikimin e regjistrimit të përgjithshëm të popullatës.
Sikur shqiptarët të mos ishin njerëz, por të ishin banorë të një pularie.
Të ishin banorë të një stalle.
Dhe ky armik i egër, ky Çubrilloviç i shqiptarëve, që shpopulloi këtë tokë më shumë se çdo pushtues tjetër, ka 6 muaj që regjistron si të gjallë të vdekurit tanë.
Ka 6 muaj që shndërron regjistrimin e popullsisë në regjistrat e Çiçikovit, një personazh i Nikola Gogolit.
Ka 6 muaj që përpiqet të fshehë krimin më makabër të kryer në histori ndaj kësaj toke, zhbërjen, shpopullimin e 1.1 milion shqiptarëve në qeverisjen e tij 10-vjeçare.
Miqtë e mi, nuk ka akt tradhtie më të lartë se kjo. Nuk ka krim më monstruoz kundër shqiptarëve se ky.
Nuk ka shërbim më të madh ndaj armiqve të kombit se sa ky shpopullim.
Nuk ka ndëshkim mbi tokë që nuk meriton Edi Rama për këtë shpopullim të tmerrshëm që rendit Shqipërinë fill pas Sirisë.
Miqtë e mi, Siria ka 10 vite në luftë të egër civile.
Kurse Shqipëria, shqiptarët edhe ata kanë 10 vite. Nuk përballen me ISIS-in, nuk përballen me diktaturën e Asadit, por përballen me formën më të keqe të diktaturës. Me diktaturën e krimit, drogës dhe vjedhjes së tyre.
Në qoftë se ka në historinë e kombit dhe në historinë e botës nj vërtetim absolut se diktatura e bandave, krimit, drogës dhe vjedhjes është forma më e egër e diktaturës, modeli, shembulli më autentik është Shqipëria nën sundimin e Edi Ramës.
Është Shqipëria që paraqitet para fëmijëve të saj, para bijave dhe bijve të saj si një tokë e ndaluar, për të mos thënë si një tokë e mallkuar.
Sepse në mallkim shndërrohen për ta pasuritë e saj.
Në mallkim shndërrohen për ta të ardhurat e saj.
Se ato vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen nga qeveritarët, nga Edi Rama, familja e tij, klani i tij.
Të dashur miq, ky regjim që ka shtrirë vellon e zezë të krimit në të gjitha skajet e këtij vendi me qeverisjen e tij.
Ky regjim që ka shtrirë pushtetin e tij të drogës në të katër anët e vendit.
Ky regjim që sundon me familjet mafioze të Rrajave, Ndokës, Bajrëve, Avdylëve, Troplinëve, Dervishëve, Xhafëve, Ballës, Çelëve, bandave të tjera.
Ky regjim i pamëshirë sa vetë pamëshirësia u thotë shqiptarëve çdo ditë se në këtë vend, në këtë tokë ju nuk keni vend. Ju duhet t’ia mbathni sa më parë.
Por a është Shqipëria një vend për t’u braktisur?
Jo dhe jo. Shqipëria është një vend për të luftuar dhe vdekur 100 herë për të.
Shqipëria është një vend që meriton çdo sakrificë.
Shqipëria është një vend që meriton çdo përpjekje.
Shqipëria është vend që meriton jetët tona.
Shqipëria është vend që meriton gjithçka!
Shqipëria nuk mund të dorëzohet barbarëve, nuk mund t’i dorëzohet hajdutëve, nuk mund t’i dorëzohet kriminelëve, nuk mund t’i dorëzohet vrasësve, qeveritarëve në pushtet.
Miqtë e mi, të gjitha këto kërkojnë vetëm një gjë, kërkojnë një betim të çdo shqiptari për të marrë fatin e tij në dorë.
Dhe për të marrë fatin e tij në dorë do të thotë t’i thotë vetes se jam shqiptar dhe se do marr Shqipërinë në duart e mia.
Dhe se Shqipërinë nuk do ta lejoj kurrë të rrokulliset si as në kohën e pushtimeve të saj më të zeza.
Ndaj dhe koha, ora e saj fton shqiptarët për sakrifica.
Fton shqiptarët t’i rikthehen lajtmotivit kur ata kanë luftuar për liri.
Kur ata kanë sakrifikuar për liri.
Kur ata kanë hedhur mënjanë regjimet më të zeza, diktaturat më poshtëruese.