Çështja e vajzës keniane Xhoi Ayoko vijon ende të zvarritet nga prokuroria. Edhe pse kanë kaluar 1 vit e 9 muaj nga ngjarja e rëndë e 13 gushtit 2022 ende autoritetet shqiptare nuk e kanë zbardhur këtë ngjarje. Prokuroria shqiptare vijon në pritje të letërporosive nga autoritetet keniane, por pa rezultat edhe pse kanë kaluar 1 vit e 2 muaj nga kërkesa e dërguar.
Prokuroria e Tiranës ka dërguar letërporosi Kenias në shkurt 2023 dhe i ka kërkuar që t’i vërë në dispozicion autopsinë që i është bërë 22-vjeçares në morgun e spitalit ku ndërroi jetë, por edhe të marrë në pyetje nënën e vajzës keniane ku do t’i përgjigjet disa pyetjeve lidhur me ngjarjen, por edhe për disa sende të Joyt, si laptopi të cilin Ruth Abongo e ka marrë me vete në Kenia.
Po ashtu News24 është kontaktuar nga nëna e vajzës keniane. Ruth Abongo deklaron se pak kohë më parë, një adresë me emër “fake” në facebook e quajtur “bashkia” i ka shkruar Ruth Abongos duke iu prezantuar si një “agjenci” që po investigon çështjen e Xhoit duke i thënë se “po kryejnë hetime për vrasjen me qëllimin që të bëhet drejtësi“. Kjo adresë “fake” e pyet Ruth Abongon se “ku dyshon për autorin” dhe i përmend shoferin e kazinosë nëse është i përfshirë në krim, Ruth Abongo i thotë që po.
Më pas adresa anonime i shkruan se “shoferi mund të jetë shtyrë edhe nga persona të tretë”, dikush që ka njohur qëllimet e tij ndaj Xhoit. Në fund i thotë që do përpiqen të konfirmojnë teorinë e tyre sa më shpejt lidhur me të vërtetën. Nëna e vajzës nuk i beson për identitetin dhe qëllimin dhe mundohet ta marrë me video kamera këtë adresë, por kjo adresë ia bllokon telefonatën dhe mbyllet farë si account në Facebook.