Nis me përplasje seanca plenare/ Nikolla “përzë” gazetarët nga Kuvendi, PD: Turp! Keni frikë nga mediat

Ka nisur me përplasje seanca e sotme plenare mes mazhorancës dhe opozitës.

Shkak është bërë urdhri i kryeparlamentares Lindita Nikollës e cila “përzuri” gazetarët nga salla e Kuvendit duke deklaruar se rregullorja e përjashton mocionin për debat për gazetarët. Kjo gjë ka sjellë indinjatën e deputetëve të opozitës.

Sakaq, deputetja e PD-së, Ina Zhupa, e cila ishte në podium duke folur, i bëri thirrje kryeparlamentares Lindita Nikolla që mos t’i nxjerrë jashtë gazetarët. Zhupa në fjalën e saj iu drejtua kryetares Nikolla duke i thënë se nuk ka njohuri për rregulloren e Kuvendit.

“Njohuritë tuaja janë të cekëta zonja Kryetare. Jeni një ushtare pa njohur. Duhet të konsultoheni me ekspertët. Ku thuhet që mocionet me debat bëhen vetëm mbi veprimtarinë e Këshillit të Ministrave? Kemi bërë mocion për gjenocidin në Srebrenicë dhe luftën në Ukrainë, cila nga këta është veprimtari e këshillit të Ministrave. Neni lexohet në tërësi jo të marrësh një nen e të shmangësh një tjetër”, tha Zhupa.

Gjatë kësaj kohe në transmetim u pa dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i cili doli nga salla e Kuvendit. Nuk dihet nëse largimi i Bardhit ishte momental apo si një “protestë” ndaj pr. vendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion.

Partia Demokratike deklaroi dje se nuk do e mbështesin me votë ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, pasi nuk dinë objektin dhe se sipas tyre është thjesht një propagandë e kryeministrit Edi Rama.

“Nuk kanë vullnet, por duan ta përdorin për propagandë. Pjesë e propagandës së Ramës nuk bëhemi”, tha kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi dje.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *