Erion Veliaj çdo ditë e më shumë po habit me fantazinë dhe skemat që ka shpikur për të vjedhur paratë publike.
Një i afërm i Ajola Xoxës, (me mbiemrin e vajzërisë së mamasë së Ajolës), është në arrest si pjesëmarrës në skemë. I afërmi që kishte vite që kishte mbushur moshën e pensionit vazhdonte të punësohej në borde dhe angazhohej në Komisione nga Erion Veliaj.
Pensionisti i çmuar, ndërkohë siguronte apartamente në bregdet për vete dhe fëmijët për shërbimin e vlefshëm ndaj burrit të vajzës së Valbonës.
Por skema “5D”, e pandodhur dhe e paimagjinuar më parë nga asnjë hajdut profesionist, ku Veliaj derdhte paratë e taksave për të financuar ndërtime private, duket se nuk i mjaftonte.
Cash-i që prodhonte skema “5D” duhej kanalizuar në llogari bankare në të cilat të certifikoheshin më pas nëpërmjet deklarimeve vjetore të pasurisë.
A është veprimtaria e Ajola Xoxës mekanizmi i gjetur për kanalizimin e cash-it dhe pastrimi i tyre nëpërmjet artit?
Ajo që dihet me siguri është që Ajola Xoxa papritur braktisi pasionin e jetës për jurisprudencën dhe nisi hapjen e një zinxhiri kompanish dhe OJF-sh bashkë me të cilat promovonte artistët e të gjitha zhanreve.
Ajola promovon (duke i kuruar) piktorë, promovon (duke i kuruar) artistë kontemporanë, që bëjnë art me dritare të vjetra, promovon trupa baleti dhe praktikisht gllabëron çdo pikë arti që guxon të shfaqet në territorin e bashkisë së administruar nga i shoqi.
Nëpërmjet 2 galerive të artit të ngritura në godina të siguruara pa pagesë qiraje, që nuk dihet se në pronësi të kujt janë, nëpërmjet një shkolle balerinësh (në godinën ku Artan Gaçi i Olta Xhaçkës kishte dikur lokalin e famshëm “Firence” të veshjeve), dhe nëpërmjet të tjera subjekteve që po dalin në dritë një e nga një, Ajola Xoxa ka futur nëpër banka shuma të majme. A po pastronte paratë Ajola Xoxa?
Dhe meqë subjektet ishin gjendje, Ajola filloi t’i furnizojë edhe me pagesa nga bashkia që administrohet nga Erion Veliaj.
Në skenë del vëllai i mamasë së Ajola Xoxës, Eraldi, të cilit Ajola i hap një subjekt sh.p.k. dhe një OJF në emër të bashkëshortes së këtij të fundit.
Pagesat bëheshin për llogari të OJF-së, (kështu i shpëtonin taksimit) dhe menjëherë shumat përcilleshin në llogarinë e dajës Erald të Ajola Xoxës.
Vetëm në një vit kjo kategori pagesash dhe transfertash ka siguruar një fitim prej gati 100.000 eurosh. Daja nuk e ka ndarë fitimin si divident, (për të mos paguar as tatimin e dividentit?). E ka miratuar që ta përdorë për investime!!! Përveç verifikimit nëse skema është ndërtuar edhe me qëllimin e anashkalimit të pagesës së detyrimeve tatimore, me urgjencë zyra e Tatimeve duhet të verifikojë librat e shitjeve dhe blerjeve të Shoqërisë me ortak të vetëm dajën Erald të Ajola Xoxës. Për çfarë i ka shpenzuar daja 100.000 eurot e fituara p.sh. në 2023-shin dhe të kanalizuara si të destinuara për investime?
Mamaja Valbona e Ajola Xoxës u pajis me një person juridik në të njëjtën periudhë kur daja u pajis me sh.p.k. dhe OJF.
Edhe mamaja pensioniste e Ajolës që muajin e parë të aktivitetit siguron 20.000 eurot e para.
Kur gjithë bizneset në vitin e parë të aktivitetit sigurojnë humbjen, vjehrra pensioniste e Erjon Veliajt e nis me marshin e pestë dhe i jep gaz pa e vënë më këmbën në frena. Dhe siguron 110.000 euro fitim brenda vitit!
Edhe mamaja e Ajolës i kalon për investime! Njësoj si i vëllai!
Nuk dihet se çfarë investimi ka ngritur mama Valbona me 120.000 eurot e fitimit!
Duket si konkurrencë e fortë mes Valbonës dhe Eraldit. Garë të cilën e ka fituar mama Valbona me 10.000 euro diferencë me dajë Eraldin.
Dhe të mendosh që deri ditën që iu bë dhëndri kryetar bashkie, mamaja e Ajolës jepte mësime pianoje me 1.000 lekë ora.
Edhe adresat e selive janë po ato! Në zyrën e Ajola Xoxës!
Edhe kur mamaja Valbona zgjedh që (meqë është në pension), selinë e aktivitetit ta ketë pranë vetes, adresa e kontaktit e-mail për komunikim, vendoset e njëjta me gjithë të tjerat.
E menaxhuar e gjithë kjo skemë nga juriste Ajola, nuk është e rastësishme që produkti i gjithë kësaj “fabrike” duket si mall kinez./ CNA