Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka lëshuar 19 masa sigurie të reja, mes të cilave edhe urdhër-arreste për aferën e inceneratorit të Tiranës.
Burime për CNA bëjnë me dije se masat e sigurisë janë kërkuar nga prokurori i SPAK, Dritan Prençi për disa shtetas, teksa mes tyre është edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Po ashtu, mes masave të sigurisë së kërkuara nga SPAK janë edhe personazhe publik, si dhe personazhe të botës së medias, si dhe përfitues të parave të inceneratorëve.
Ende nuk dihen emrat konkretë të personave për të cilët SPAK ka lëshuar masa sigurie.
Në fillim të dhjejtorit të vitit të kaluar, SPAK lëshoi 15 urdhër-arrestet e para për inceneratorin e Tiranës, ku mes tyre ishin Lefter Koka dhe Alqi Bllako, të cilët ndodheshin në burg, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët vijojnë të jenë ende në kërkim, teksa emri i rëndësishlm që u arrestua në atë kohë ishte drejtori i Punëve Publike Taulant Tusha.
Kryebashkiaku Erion Veliaj është deri më sot ka qenë jashtë listës së personave të vendosur nën masë sigurie në procedimin penal të inceneratorit të Tiranës. Megjithatë, Veliaj ka një rol kryesor në nisjen e procedurave që u shndërruan në një aferë që llogaritet ti ketë shkaktuar buxhetit një dëm rreth 100 mln Euro.
Në 27 Mars 2017, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shprehet “dakord në parim” për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës nëpërmjet procedurës koncesionare. Ky është momenti kur merr jetë një prej aferave më të rënda financiare në historinë e shtetit shqiptar.
Veliaj, pa marrë më parë mendimin e Këshillit Bashkiak, merr përsipër në dorë të parë që të aprovojë, megjithëse “parimisht”, një projekt që do t’u kushtojë taksave të qytetarëve të Tiranës rreth 430 milionë euro për 30 vjet.
Nuk është thjesht shmangie e Këshillit Bashkiak. Projekti për ndërtimin e landfillit të Tiranës parashikonte kosto financiare për të gjitha bashkitë e Qarkut të Tiranës, ku përfshiheshin krahas kryeqytetit, edhe Vora, Kamza, Kavaja e Rrogozhina.
Askush nuk pyeti këto njësi të qeverisjes vendore. Qeveria u mjaftua me “dakordësinë në parim” të Veliajt, për t’i dhënë rrugë koncesionit të Sharrës.
Afera e inceneratorit të Sharrës nuk është një “vjedhje e rëndomtë” e dy biznesmenëve që shfaqen si pronarë të koncesioneve, Mirel Mërtiri e Klodian Zoto. Afera e djegësve është një skandal qeveritar dhe, në rastin e impiantit të Tiranës, ekzistojnë të gjithë dyshimet se është i përfshirë “kokë e këmbë” edhe Erion Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës jo vetëm që ka dhënë ‘dakordësinë në parim” për inceneratorin e Tiranës, por edhe e ka promovuar me vizitat e tij në kantier. E, mbi të gjitha, nuk ka kursyer rreth 100 milionë euro për një shërbim pjesor që ofrohet nga koncesionari ‘Integrated Energy bv”.
Aktualisht, mbi Erion Veliajn, SPAK ka nisur dhe një hetim pasuror për të, ku verifikohen pasuritë dhe përfitimet e familjarëve të tij.