Shëndetësia, nuk është thjesht faji i sistemit, është vullnet i qartë për abuzim

0
190

Aty ku ka ofertë të kufizuar dhe kërkesë të lartë, teoria ekonomike thotë se tregu zhvillon spekulimin. Por në tregje të pazhvilluara dhe me institucione rregulluese të dobëta, probabiliteti që të krijohen mekanizma abuzues në dëm të konsumatorëve dhe të bizneseve është shumë i lartë.

Shqipëria ka shumë raste të tilla, që nga monopolet e favorizuara nga qeveria, që konkurrojnë bizneset e tjera dhe mundësojnë mbajtjen e çmimeve apo shërbimeve të larta për konsumatorët, te koncesionet që shpesh nuk e ofrojnë fare produktin për të cilin paguhen me taksat e konsumatorëve.

E keqja më e madhe është kur kjo ofertë është e kufizuar nga institucionet shtetërore që shpenzojnë paratë e taksapaguesve për të ofruar një nga shërbimet më themelore të jetës së qytetarit, atë të kujdesit për shëndetin.

Hetimi i fundit i Prokurorisë së Tiranës në Spitalin Onkologjik zbuloi vetëm majën e ajsbergut të një sistemi që ka mundësuar ofrimin e një shërbimi të cunguar, si në sasi, ashtu dhe në cilësi, duke u krijuar mundësi abuzuesve të kanalizojnë shërbimet shtetërore në përfitime private.

Problemi fillon që te nënfinancimi i sektorit shëndetësor në vite. Buxheti i shtetit shpenzon rreth 2.9% të asaj që prodhon ekonomia në një vit (Prodhimi i Brendshëm Bruto) për shëndetin, sipas të dhënave të Bankës Botërore.

Ky nivel është sa gjysma e mesatares botërore prej 6.5% e PBB-së dhe shumë më e ulët se e vendeve të zhvilluara të Europës, që arrin deri në 10%.

Për krahasim në rajon, Bosnja, Mali i Zi e Serbia shpenzojnë nga buxheti për shëndetin e qytetarëve të tyre mbi 6% të PBB-së dhe Maqedonia e Veriut, gati 5%. Edhe numri i mjekëve (18 për 10 mijë banorë) është sërish më i ulëti në Europë.

Financimi i ulët i qeverisë, i kombinuar me mungesën e personelit, shoqërohet me shërbime të dobëta, që i detyrojnë qytetarët të harxhojnë paratë e tyre për një shërbim që ata teorikisht duhet ta merrnin falas, pasi i paguajnë një herë taksat.

Shqipëria është shteti që ka pagesat më të mëdha nga xhepi për shëndetësinë në Europë, me rreth 60% të totalit, nga 17% që është mesatarja globale e këtij treguesi, po sipas të dhënave të Bankës Botërore.

Në rang global Shqipëria renditet e 15-a, me vende si Afganistani, Guatemala, Bangladeshi etj. Rritja e peshës që qytetarët shpenzojnë vetë me gati 20 pikë përqindje në dy dekada është një tregues i qartë i përkeqësimit të cilësisë së shërbimit shëndetësor

Edhe ato financime që janë shtuar vitet e fundit kanë shkuar për mbulimin e pagesave për 4 koncesione të sistemit shëndetësor, që pak ose aspak kanë ndikuar në cilësinë e shërbimit, teksa disa prej tyre janë tashmë nën hetim nga SPAK.

Nga viti 2017-2023, sipas të dhënave nga Ministria e Financave janë shpenzuar gati 26 miliardë lekë për sterilizimin, dializën, check-up, laboratorë, të mjaftueshme për ndërtimin e 3-4 spitaleve të reja moderne.

Kalimi i fondeve drejt koncesioneve, që po rezultojnë problematike, me kosto të lartë për atë që realisht ofrojnë, është bërë në kurriz të rimbursimit të barnave.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, ndërsa në 2024, kjo shifër vlerësohet në vetëm 20.6%.

Kontrolli i Lartë i Shtetit vërejti vitin e kaluar se nevojat për ilaçe në QSUT ishin 3-4 herë më të larta sesa buxheti që miratohet për këtë qëllim. Në rastin e barnave, mungesa e financimit sipas nevojës përkthehet në më pak jetë ose në shpenzime të larta nga xhepi i pacientëve për t’u kuruar jashtë sistemit publik.

Në të kundërt, vit pas viti, pjesa e shpenzimeve për koncesionet në shëndetësi erdhi në rritje, duke arritur në 23.7% e fondeve që u grumbulluan nga kontributet e sigurimeve për shëndetin nga të punësuarit.

Është e qartë se faji nuk është vetëm i individit, por shumë më i gjerë, i një mekanizmi të tërë shtetëror që ka dështuar t’u ofrojë qytetarëve atë që u ka premtuar dhe për të cilat u merr taksat, duke detyruar qytetarët me të ardhura më të ulëta të Europës të kërkojnë rrugë alternative për të “blerë” jetën.

Pra më e drejtë është të themi që sistemi është ngritur gabim dhe në format abuziv. Por a kemi thënë të plotë konkluzionin? Jo. Përveç sistemit, tashmë është e qartë që vullneti i qeverisë ka qenë i tillë që e ka mbështetur dhe e mban në këmbë me këmbëngulje këtë fenomen.

Arsyeja është e qartë. Atë e gjen në çështjet që janë në hetim nga organet e drejtësisë dhe Kuvendi, apo dhe në çështjet e tjera që nuk guxohet të hetohen, por tashmë janë sekret publik./Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here