Policia ka shoqëruar në komisariatin nr.4 në kryeqytet tre të rinj, vetëm pse protestuan kundër kryeministrit Edi Rama, pas daljes së tij nga ambientet e QSUT-së, ku mbajti një takim “show” në lidhje me skandalin tek Onkologjik.
Bëhet fjalë për aktivistët Igli Llapaj, Sidorela Vatnikaj dhe Edison Lika. Siç shihet dhe në videon e mëposhtme, teksa Rama lë ambientet e QSUT-së, aktivistja i drejtohet me vrap një pankartë në dorë, teksa një tjetër dëgjohet teksa thotë “O maskara, i hoqe përsëri përgjegjësitë nga vetja”.
Kaq ka mjaftuar që truprojat dhe efektivët e Policisë të shoqërojnë në komisariat 3 të rinjtë, vetëm për faktin se dolën kundër kryeministrit Edi Rama.
Mjekët e spitalit Onkologjik kishin krijuar një skemë abuzive të transfermit të pacientëve me kancer drejt klinikave private. Për kreun e qeverisë, fajet i kanë vetëm ata 5 maskarenj, siç i konsideroi ai mjekët e përfshirë në skandal, teksa bëri të paditurin.
Qeveria e Ramës sipas raporteve, rezulton me shpenzimet më të ulëta në rajon për Shëndetin dhe Mbrojtjen Sociale, zhvendosje të pajustifikuara të prioriteteve në zërat buxhetorë, si edhe probleme me konsolidimin dhe transparencën e të dhënave financiare nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga hetimi i kryer nga Prokuroria, ka rezultuar se pacientëve të diagnostikuar me tumor nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe më pas drejtoheshin në klinika private. Mjekët e spitalit publik i orientonin pacientët për t’i operuar drejt klinikave private, shpesh herë dhe pa qenë e nevojshme për ta, me qëllimin e vetëm për të përfituar prej tyre.
Po ashtu, janë konstatuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi, nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur, duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.
Prokuroria thotë se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës. Në njoftim sqarohet se që të mund të përdorej kjo aparaturë, duhej të krijohej një bunker antiradioaktiv ose antiatomik, sipas kushteve të miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare, IAEA. Rrezatimi i kësaj aparature dyshohet se iu ka shkaktuar sëmundujen me kancer edhe vetëm stafit mjekësor të spitalit.
Për këtë rast ka një hetim të cunguar nga prokurori Bledar Valikaj, bashkëshorti i deputetes së PS-së, Ermonela Felaj, teksa aktualisht asnjë person nuk ndodhet në burg. Për këtë rast ndodhen në masën e sigurisë “arrest shtëpi” mjeku Edmond Gashi, Halil Gashi dhe farmacisti Florian Marku. Ndërsa mjekja Alketa Pere, zv.drejtoresha e QSUT Brikena Qirjazi dhe koordinatori Emiljano Lela, janë lanë në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.
Qytetarët mbajnë një protestë pasditen e 26 Qershorit para Ministrisë së Shëndetësisë, ku kërkuan dorëheqjen e ministres Albana Koçiu dhe gjithë zinxhirit drejtues të QSUT-së, ndërsa sërish sot në orën 19:00 kanë planifikuar të mbajnë protestën e radhës.