Ismail Kadare Agolli Trebeshina Pipa… pse u bene armiq ne diktature

0
492

Nga Violeta Murati

Një histori e gjatë marrëdhëniesh mes shkrimtarësh; një raport armiqësie, përuljeje, faljeje, akuzash të shkruara e të retushuara mes librave, e shfaqur në dokumentarë jete. Për herë të parë, Ismail Kadare në një vështrim marrëdhëniesh me armiqtë e tij në diktaturë, nga historia e prishjes me Agollin më ‘83, kur u bë kryetar i Lidhjes, te konflikti i ashpër me Arshi Pipën në BBC, për shkak të botimit kritik mbi librin “Kronikë në gur”, te libri “Ftesë në studio”, ku Kadare u kërkon falje armiqve të tij: Pipës, Trebeshinës, dhe Bilal Xhaferit

Agolli i thotë Kadaresë: “Ne të çmojmë mbi veten!” Edhe Sadija, bashkëshortja e Agollit, flet: “Ne të duam shumë”, pasi e puthi në të dyja faqet Kadarenë! Ndërsa më vonë, për të tjera rrethana politike nga diktatura, Kadare vetë gati profetizon: “Vendi im shquhet për prerje marrëdhëniesh…” Është ky një dialog fragmentar i shkëputur nga dokumentari mbi jetën e Kadaresë shfaqur pak ditë më parë nga Top Channel, me regji të Milkanëve, Pirros dhe Enos.

Ismail Kadare shfaqet papritur në një tavolinë me Dritëro Agollin, duke i shtrënguar duart njëri-tjetrin të ndarë qysh vitin ‘83. Pas një miqësie të njohur, mjaft të afërt, kur si komshinj netëve flisnin kundër regjimit, erdhi ndarja, derisa Agolli “ndërroi” drejtimin politik, duke marrë postin e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Kadareja shkrimtari që “gëzonte” lirinë në kohën e diktaturës. Shenja e parë e pajtimit mes tyre u dha në promovimin e librit me tregime të Agollit, një libër i censuruar, i konsideruar prej Kadaresë si një nga librat më të mirë. “Zhurma e erërave të dikurshme”, Agolli e ka kujtuar si një kohë e largët kur më ‘65 nuk iu lejua t’i botohej. Jo me sofistikimin e hollë apo mesazhin subversiv siç është në stilin e Kadaresë, por me gjuhën e tij popullore, atë humorin e rrafshët prej njeriu konfidencial, duke nxjerrë në dukje se është një shkrimtar prej fshati shkrimtari ka afruar mendimin mbi mikun e tij. “Shkrimtari është si mbi ring, ku pret rrufe e kritika…” Kjo u duk si shenjë që shënonte fundin e armiqësisë mes Kadaresë dhe Agollit. Pas 40 vitesh, dy shkrimtarët më të përfolur për miqësinë e ftohtë tani kishin gjetur pika takimi me njëri-tjetrin. Pak vite më parë, Ismail Kadare në një intervistë dukej sikur kërkonte “armëpushim” me shkrimtarin Dritëro Agollin, ndonëse nga ky i fundit del një nga recensat më të egra në dritë, që ka të bëjë me pezullimin për pesë vjet të botimit të romanit “Koncert në fund të dimrit”.

Nga koha kur Kadare kujton ndarjen politike me Agollin, si “shkak” edhe miqësia, çfarë ka ndodhur? Në promovimin e librit me tregime dhe novela, shkrimtari Dritëro Agolli tha gati i përlotur se “gabimet janë për njerëzit. Ne kemi qenë të rinj, bënim shumë kritika, shkruanim dhe bashkë me to bënim dhe gabime… njeriu nuk shkëputet dot nga gabimet…”

Këtë përulje shkrimtari Ismail Kadare ndoshta e ka pritur një vit më parë, kur i kujton Agollit një nga tregimet e tij të censuruara, që vetëm tani ka parë dritën e botimit.

“Zhurma e erërave të dikurshme”, Agolli e ka kujtuar si një kohë e largët, kur më ‘65 nuk iu lejua t’i botohej. Jo me sofistikimin e hollë apo mesazhin subversiv, siç është në stilin e Kadaresë, por me gjuhën e tij popullore, atë humorin e rrafshët prej njeriu konfidencial, duke nxjerrë në dukje se është një shkrimtar prej fshati Agolli ka afruar mendimin mbi mikun e tij. “Shkrimtari është si mbi ring, ku pret rrufe e kritika…”

Botuesi i “Onufrit” ka dhënë sinjalin në këtë takim, pavarësisht se i pranishëm nuk ishte Kadare – një aludim publik se tani zënkat kanë shkuar, se me to forcohet miqësia. Agolli ka ndalur pak çaste për të kujtuar se kanë dalë libra që e kanë “sulmuar”, por duke i hedhur të gjitha pas në këtë moment, me të cilën kuptojmë tashmë një raport të njohur në mes tij dhe Kadaresë.

Nuk ka mbetur vetëm këtu plaku i fortë i të majtës shqiptare, Dritëro Agolli. Kjo është hera e parë ku flitet për librin e tij. Ka dashur ta theksojë këtë gjë, jo pa qëllim siç duket dje. Dy ditë më parë Kadare ka pasur një intervistë të gjatë në TV Klan, ku historia e marrëdhënieve me Agollin ka zënë një kohë të mirë të bisedës.

Veçanërisht për letërsinë daljet e Kadaresë kanë qenë të vazhdueshme në media, pothuaj për paraqitjen e çdo botimi të ri. Krejt në të kundërt, Agolli asnjëherë nuk u është referuar daljeve të tij para ekranit apo në median e shkruar letërsisë. Në takimin për librin e tij, Agolli nuk ka lënë pa shpotitur, nën aludim, mikun e tij duke u shprehur se “…nuk kam pasur dëshirë të promovoj librat e mi, jo se nuk dua të dukem, sepse të gjithë shkrimtarët janë vrapues për t’u dukur, është natyrë e tyre. Ndoshta kam rrjedhur nga një familje fshatare dhe më mirë të dukesh në fshat se në qytet. Në studiot televizive i trembem teknikës, nuk i duroj mikrofonat…” Por, në politikën e të majtëve, Agolli shënon daljet më të shpeshta si politikan dhe gatishmërinë të admirueshme për të shprehur për politikën dhe kulturën kombëtare në përgjithësi. Letërsia e tij, raportet e tij me Kadarenë, raportet e tij me dosjet… e shumë pyetje të tjera të kësaj natyre Agolli gjithnjë i ka refuzuar. Ndër reagimet e tij më të ashpra shënohen në vitin 2005, kur i është përgjigjur intervistës së Kadaresë në një media të përditshme, ku tonet e zërit të tij kanë qenë shumë provokuese dhe gati “kërcënuese” se nuk do të flasë për çfarë flitet në libra për censurën e librave të Kadare prej tij duke u shprehur: “Jo, derisa të mbushet kupa tamam. Pastaj do të flas ndryshe për të gjitha gjërat e tjera, se nuk është e hijshme që midis dy vetëve njëri të sulmojë gjithmonë dhe tjetri vetëm të heshtë. Nëse do të vazhdojnë këto botime, heshtja ime do të thyhet” (gazeta “Sot”, 2005).

U paska dashur një vit më pas, që ajo kështjella mes Agollit dhe Kadaresë të shikohej nga larg. Në kopertinën e librit të Agollit është sentenca e Kadaresë pikërisht aty kur u ndal ora e miqësisë në tregimin “Zhurma e erërave të dikurshme”. Për Kadarenë ka qenë e lehtë të tregonte se ky libër është një nga më të mirët e kohës. Pikërisht në një moment kur politikisht Agolli duket i tërhequr dhe Kadare është përfshirë në një vorbull debatesh të herëpashershme, gati dhe këto politike, afrohet miqësia e vjetër.

Ose në opinionin publik raportet e tyre shfaqen të zbutura, si një marrëveshje e fshehtë për t’ju kthyer të dikurshmes… Tani, të dy gati në një moshë, zunë sërish qendrën e vëmendjes në opinionin publik. Ndoshta kjo është për të treguar në një shembull gati dogmatik se nga duhet nisur falja. Kadare në këto pesë vite e reflekton këtë ndjeshmëri, Agolli me dellin e fshatarit, më krenar është shfaqur për herë të parë, në promovimin e librit të tij, por pa përmendur në asnjë çast emrin e mikut të tij të vjetër. E gjithë biseda dukej një retorikë se përse bien këto këmbana, kur i është dashur të shpjegojë njerëzit e gabimeve, rininë e dikurshme, kështjellën që shihet më mirë nga larg etj., etj.

Ndërsa Kadare i ka hapur kartat prej pesë vitesh, kur u botua dosja e dytë nga Arkivi i Shtetit dhe së dyti, pak më me egërsi, kur është botuar letërkëmbimi me Ramiz Alinë, ku nuk ka kursyer shënimet e fundlibrit për të parë në pak radhë denoncimin e fshehtë që Agolli i ka bërë një prej veprave të tij.

Agolli vonë ka pranuar të vërtetat e shprehura nga Kadareja për raportet mes tyre, duke u shprehur së fundi me sentencën përulëse… “se njerëzit i largon koha, por edhe pikëpamja, një gjë e çuditshme kjo, që i largon njerëzit duhet të jetë shumë e fortë…” Por kjo vlen për të pajtuar në publik dy shkrimtarët që interesat i lanë vendin njëri-tjetrit.

Dritëro Agolli është i fundit i pajtuar në marrëdhëniet me Kadarenë. Në vitin 2004, Kadare riboton librin eseistik “Ftesë në studio”, ku retushon emrat e shkrimtarëve, që nxitën polemikën më të ashpër të asaj kohe mbi veprën e tij; pas ‘90-s, ribotimi i “Ftesë në studio” paraqet orën e provës së shkrimtarit, si shenjë faljeje për etikën dhe frymën agresive të përdorur në kreun e 11-të të librit. Fragmentet e hequra janë polemikat e përmbledhura në prag të lamtumirës së tij nga Shqipëria, në vitin ‘90. Arsyeja pse iu rikthye veprës ka të bëjë, sipas botuesit, me hisen e fisnikërisë. Në kushtet kur u shkrua vepra vihen re acarime, shkelje të etikës, polemikë e shoqëruar me njëfarë nervozizmi. Refleksioni i ribotimit mbart thyerjen e “egos”, ku shkrimtari tani mendohet të jetë më i qetë.

Në botimin e ‘90-s, pas hyrjes eseistike, Kadare del në shenjë të drejtpërdrejtë, duke i rënë në kokë tre shkrimtarëve që folën ashpër mbi veprën e tij.

Në botimin e vjetër, duke tejkëqyrur vështrimin kritik të Bilal Xhaferit, Kadare shprehet: “Pa fat, përherë duke u ngutur, vdes”. Kjo është, ndoshta, nga më të ashprat fjalë të shkrimtarit. Me ribotimin e veprës, Kadare heq frazën, në dukje “mizore”, por nuk i shmanget argumentit, polemikës. Mungojnë, vetëm, etiketimet për B. Xhaferin, madje edhe emri mungon, duke aluduar vetëm për “shkrimtarin”. Fryma agresive vazhdon në “Ftesë në studio”, ku në replikë, Kadare përballet me Kasem Trebeshinën. “Cinik”, ai e quan Trebeshinën një shkrimtar “mediokër, me ambicie të pafundme”. Ashtu si në rastin e poetit B. Xhaferi, Kadare në ribotimin e veprës, ka retushuar emrin. Pavarësisht kësaj, logjika e mendimit nuk e ka shmangur “goditjen”, polemika është prapë në konceptin e shkrimtarit. “Një tjetër shkrimtar, këtë herë i diasporës”, mediokër, njësoj si të parët. Aludimi është për Arshi Pipën. Kadare ka zgjedhur, përsëri, përgjithësimin në ribotimin e veprës. Emri i shkrimtar A. Pipa hiqet, po ashtu dhe epiteti “mediokër”. Kjo mund të quhet polemika më e athtë e Kadaresë. Gati dy faqe libri në ribotim janë sfumuar në dy paragrafë. Ruhet e njëjta frymë mendimi, thelbi, po ai. A i ka bërë këto ndryshime etike shkrimtari si gjest fisnikërie, pra që është falja publike, apo të rehabilitojë vetveten nga fryma e tepërt agresive e shfaqur, nxitje nga koha, si arsye.

Një nga raportet që vazhdon të mbetet më delikate mes shkrimtarëve është marrëdhënie Kadare – Trebeshina. Me ribotimin “Ftesë në studio” u duk sikur ndodhi “pajtimi” i pabujshëm. Por, në fakt, leximi i këtyre dy shkrimtarëve dhe 20 vite pas rënies së diktaturës vazhdon të mbetet e nderë, për shkak të akuzave që rëndojnë, por që edhe kanë implikuar shkrimtarin Kasem Trebeshina. Në librin “Mosmarrëveshja”, Kadare rikthehet te Trebeshina – duke iu referuar librit “Disidentët e rremë” të Sadik Bejkos – e akuzon se ka kryer dy vrasje në vitet ‘43 – ‘44. Por çfarë mbetet ende pa përgjigje është dyshimi se promemoria e ‘53 që Trebeshina i ka drejtuar Enver Hoxhën nuk ka dokument origjinal, duke iu referuar kërkimeve në arkiva. Është i pamëshirshëm Kadare në këto akuza për Trebeshinën. Nga ana tjetër, Trebeshina aktualisht nuk ndodhet në Shqipëri, ka qëndruar në heshtje ndaj kësaj marrëdhënie armiqësore. Të afërmit e familjes së Trebeshinës kanë bërë të ditur për gazetën “Standard” se Trebeshina jetën dhe të vërtetat e tij i ka shkruar në një libër të quajtur “Dafinat e thara”, që qarkullon si duket në pak duar, por i botuar edhe në gjuhën italiane.

Ky, si duket, do të mbetet konflikti më i gjatë i Kadaresë dhe ndër më të ashprit pas atij me Arshi Pipën. Ndërsa me Agollin duket se mbizotëruese është koniunktura e marrëdhënieve njëlloj si në diktaturë, kur iu duhej të ndaheshin, e tani kur çështja e krimeve komuniste ka shkuar në zgrip dy shkrimtarët pajtohen, madje shtrëngojnë duart me fjalët më të ngrohta për t’i besuar – Agolli: “Ne të çmojmë mbi veten Kadare!”

Kadare: U ndamë kur Agolli pranoi Enverin

(Grindja me Pipën, kur tha: Enveri homoseksual në “Kronikë e gur”)

Në gusht të 2005-s, Ismail Kadare për herë të parë ka rrëfyer në media miqësinë misterioze me Dritëro Agollin, i pandryshuar në staturën e tij politike, dikur si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, një nga makineritë më të egra që i ka shërbyer diktaturës në ekzekutimin e shkrimtarëve, dhe tani Agolli, si plaku i politikës së majtë. Pas kësaj interviste, po nëpërmjet medias, një vit më pas vjen edhe përgjigjja e Agollit në një intervistë dhënë në gazetën “Sot”. Pak kohë më vonë, Kadare sqaron në media edhe marrëdhënien e tij konfliktuale me Arshi Pipën, një lloj përulje publike gati e paparashikuar për studiuesin që u arratis pas nëntë viteve burg. Reagimi i Kadaresë për Pipën erdhi pas botimit të plotë të parathënies së romanit “Kronikë në gur”, që iu refuzua Pipës nga botuesi anglez, ku vëmendja u përqendrua te fakti se Kadare paska shkruar nën diktaturë një vepër të këtillë disidente. Teza e Pipës vinte pas aludimit mbi portretin e Enver Hoxhës si homoseksual. Kadare e ka pohuar se ky publikim do të ishte fatal për të, por e pranon se është treguar tepër i ashpër me Pipën, duke kërkuar tërthorazi ndjesë.

Ndërsa në treg, në 2005-n, sapo doli botimi i dytë “Dosja Kadare”, ku zbulohet edhe ftohja e gjatë që ka shoqëruar prej viteve ‘80 dy shkrimtarët Kadare-Agolli: çfarë po ndodh me moralin e shqiptarëve pas diktaturës. “Dosja Kadare” u shoqërua më me pak zhurmë se botimi i parë, por shumë më i ashpër për shkrimtarin. Pyetja që lindi ishte se pse ky botim u përcoll pa reagime! Në qendër vazhdon të mbeten kritikat komuniste, ideologjike, që janë quajtur mirëfilli krime në letërsi. Emri i Dritëro Agollit e ka bërë shkrimtarin Ismail Kadare të “rebelohet”. Dikur miqësia e ngushtë e tyre është zëvendësuar prej shumë vitesh me ftohjen, madje dhe në bindje të kundërta. “Thelbi i saj, ajo që në ato kohëra ishte shpirti i një miqësie të vërtetë: refuzimi i brendshëm i regjimit, vdiq. Mbeti vetëm lëvozhga e jashtme”, – pohon Kadare në intervistën e tij. Ndërsa dera e shkrimtarit Agolli vazhdon të mbetet e mbyllur nën epitafin e të shoqes se “ashtu ishte koha!” Më poshtë ribotojmë të plotë intervistën me Kadarenë për këto marrëdhënie.

Në librin tuaj “Letërkëmbim me presidentin”, edhe nga ju, edhe nga ish-presidenti R. Alia, përmendet Arshi Pipa. A mund të na sqaroni polemikën dhe incidentin me Arshi Pipën, i cili për shumë njerëz mbetet ende një mister?

Mendoj se nuk ka ndonjë mister. Ka vetëm paqartësi si rrjedhojë e mosshpjegimit të plotë të gjërave. Gazeta juaj ishte ndoshta e para që ndërmori një hap për sqarim, me botimin që i bëri studimit të profesor A. Pipës, lidhur me romanin “Kronikë në gur”. Siç dihet, tashmë ky studim ka qenë shkruar si parathënie për botimin anglisht të romanit. Dihet gjithashtu që romani ka qenë përkthyer pikërisht prej Arshi Pipës.

Bëhet fjalë për parathënien e refuzuar nga botuesi anglez. Cili ka qenë konkretisht shkaku i acarimit tuaj?

Parathënia u refuzua dhe për shkak të saj u prish kontrata, duke u refuzuar bashkë me të edhe përkthimi. Parathënia u gjykua e rrezikshme për autorin që jetonte ende në një vend diktatorial. Por shkaku i acarimit tim s’ka pasur lidhje me këtë. Po përpiqem të jem sa më i qartë. Normalisht unë duhej të isha mirënjohës ndaj profesor Pipës për përkthimin. Dhe kam qenë, në fillim, tepër mirënjohës. Unë duhet t’i isha mirënjohës gjithashtu edhe për parathënien tepër interesante, por nëse do të mund ta takoja, atëherë do t’i thosha: “Profesor, ju faleminderit për vlerësimin tuaj, por ju keni theksuar jashtëzakonisht shumë tingëllimin antikonformist të romanit tim. Ju e nxirrni atë si një vepër disidente, antikomuniste, që denoncon luftën e klasave e terrorin komunist, madje demaskon personalisht shefin e këtij terrori, Enver Hoxhën. Thënë ndryshe, ju keni mbiçmuar shumë meritat e mia si shkrimtar liberal, madje më quani haptas “rebel”. Asnjë shkrimtar në Shqipëri nuk mund të shkruante një vepër të atillë siç e mendoni ju kaq haptas kundër regjimit e aq më pak kundër Enver Hoxhës”.

Gjirokastra perverse, këtë tablo Pipa e përqendron shumë dukshëm në kritikën e tij duke e sintetizuar në të vetmin synim se ky ishte qyteti i Hoxhës, deri në homoseksualitetin e tij, që ju keni dashur ta sofistikoni në veprën tuaj. A e pohoni edhe ju një gjë të tillë, sepse mendohet se polemika ka lindur pikërisht për këtë arsye?

Në studimin e tij, A. Pipa i lëshon shumë një kinse armiqësie time ndaj qytetit të lindjes. Madje, lidhur me raportet e mia me Gjirokastrën, ai bën analogji me raportet e Dantes me Firencen e tij. S’dua të zgjatem me këtë, por dua të them thjesht dhe sinqerisht se kjo nuk ekziston. Qyteti im i lindjes mua s’më ka bërë ndonjë të keqe e aq më pak të më ketë dëbuar siç ka bërë Firencja me Danten. Ndërkaq, po aq sinqerisht dua të pohoj se kur e kam lexuar këtë, jo vetëm s’kam ndier ndonjë bezdi, por ndonëse realisht nuk është e vërtetë, si gjetje, nga ana profesionale, më është dukur interesante. Ashtu siç është gjetje e bukur e A. Pipës teza e transferimit të urrejtjes së një njeriu kundër një qytetit të tërë.

Sa për çështjen e seksualitetit të E. Hoxhës, jo vetëm që kjo nuk ekziston në “Kronikë në gur”, por as që më ka shkuar ndërmend. Probleme të tilla, qofshin të vërteta apo pëshpërima pa bazë, më janë dukur fare pa peshë që as e ulin, as e ngrenë një personazh historik (për të mos thënë se në Evropën e sotme ka gjasë më shumë ta ngrenë se ta ulin).

Ndërkaq, në studimin e A. Pipës, aludimet për Enver Hoxhën janë rresht, të gjitha negative…?!

Kjo është e vërtetë. Krijohet përshtypja se unë i jam qepur atij. Sot, kur ne po e bëjmë këtë bisedë (sot kur shumë njerëz mburren e kapardisen me kinse trimëritë e tyre në atë kohë), unë mund të krenohesha e të thosha se ja, në “Kronikë në gur”, paskam bërë këtë apo atë aludim, siç e ka konfirmuar edhe profesor A. Pipa, qysh me parathënien e tij, në fillimet e viteve ‘80, e më pas, më 1987, në revistën “Telos” të Nju Jorkut.

Çdo shkrimtar i ish-perandorisë komuniste që kishte rezerva për regjimin, do të ishte i lumtur që komente të tilla t’i bëheshin në Perëndim, në atë që quhej botë e lirë. Ndërkaq, shkrimtari vetë, më saktë se cilido, e di se sa dhe në cilat vepra ka qenë ose jo, qëllimisht subversiv. Pyetja, a ka qenë i saktë zbërthimi i “Kronikë në gur” prej A. Pipës, në një vizion të përgjithshëm s’mund të ketë veçse një përgjigje pozitive. Kjo lidhet me vetë natyrën e letërsisë, kur kemi të bëjmë me letërsinë e vërtetë, letërsinë normale. E kam thënë shumë kohë më parë se kjo lloj letërsie është armike natyrale e diktaturës. Duke theksuar se në Shqipëri nuk lejohej disidenca, kam thënë gjithashtu se jam përpjekur të bëj letërsi normale në një vend anormal.

“Kronikë në gur” ka qenë e tillë. Pra, pa mëtuar të jetë rebele, ka qenë realisht e tillë, falë normalitetit të saj. Nga ky normalitet A. Pipa ka nxjerrë të vërtetën e një teksti të shkruar në një kohë që është e huaj dhe armiqësore për të.

Sa për figurën e Enver Hoxhës, për të parë sa ka ose nuk ka të drejtë profesor Pipa, do t’ju lutesha që krahas kësaj interviste të botohej portreti i shkurtër i Enver Hoxhës në kreun 15 të “Kronikë në gur”. Është fare e qartë se në këtë portret nuk ka asnjë grimë pozitive. Sipas studiuesit francez E. Faye, ka, përkundrazi, një nuancë të lehtë negative. Lexuesi juaj, ndihmuar ndoshta edhe nga ndonjë analizë e tekstit, do ta kuptojë më qartë.

Mbetet gjithmonë pyetja e acarimit tuaj me profesor A. Pipën…

Tekstin e A. Pipës e kam lexuar shumë vonë, në vitin 1987 ose 1988, kur rreziku nuk ishte më i tmerrshëm si më parë. Jam habitur, natyrisht, dhe e kam kuptuar më mirë pse është refuzuar. Botimi i tij si parathënie do të ishte fatal për mua. Megjithatë, nuk kam ndier asnjë acarim ndaj A. Pipës. E kam shpjeguar thjesht si hutim, naivitet ose mosvlerësim të rrethanave. Siç e përmenda më lart, ishte e pranishme gjithmonë kënaqësia, që një kundërshtar i regjimit komunist, si A. Pipa, kishte gjetur në këtë vepër e në disa të tjera, kumte të lirisë, çka tregonte se këto vepra ishin “normale”. Pak kohë më pas, më 1989-1990, pikërisht në kohën e letërkëmbimit tim me ish-presidentin Alia, si rrufe në të kthjellët, A. Pipa, në “Zërin e Amerikës”, bëri një seri sulmesh kundër meje, thelbi i të cilave ishte: I. Kadare, meqenëse s’ka bërë asgjë për demokracinë nuk ka të drejtë të flasë për të! Merret me mend habia e më pas zemërimi im. Unë, që sipas tij, njëzet vjet më parë, s’kisha lënë gjë pa thënë, kundër regjimit dhe Enver Hoxhës, tani s’paskësha as të drejtë të flisja për demokracinë. Në duar kisha korrekturat e “Ftesë në studio” dhe ashtu, i zemëruar siç isha, shtova në tekst një reagim të ashpër e plot fyerje për të. Ndër të tjera, parathënia e tij, pikërisht ajo që e kisha çmuar, m’u duk tani qëllimkeqe, si një kallëzim në polici.

E keni pohuar edhe vetë se keni qenë i ashpër në kritikën ndaj Arshi Pipës, madje e keni tepruar. Në një botim të mëvonshëm i keni hequr fyerjet. Ka qenë kjo një kërkim ndjese e tërthortë?

Natyrisht. Në botimin e parë të “Ftesës” në frëngjisht, pas një viti, në mos gaboj, gjëja e parë që bëra ishte të hiqja fyerjet kundër A. Pipës. Më pas, në një intervistë me shtypin shqiptar, e pohova hapur se isha penduar. Në Shqipëri, pendimi dhe kërkimi i ndjesës pothuajse nuk njihen (ish-nomenklatura komuniste, e cila shpejton të mbushë shtypin me kujtimet e saj rozë, jep shembullin më barbar për këtë.). Në raste të ndryshme kam kërkuar ndjesë publikisht së paku tri-katër herë, dhe asnjëherë nuk kam ndier bezdinë më të vogël, përkundrazi.

Po reagimi i profesor A. Pipës, cili ka qenë?

Me sa jam në dijeni, gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, pas rënies së komunizmit, e kanë pyetur shumë herë për këtë incident, por ai është shprehur shumë pak. Nuk e di saktësisht ç’ka ndodhur, por përshtypja ime ka qenë se kjo ngjarje fatkeqe, ashtu siç më ka helmuar mua, do ta ketë helmuar edhe atë.

Këto ditë është botuar libri i dytë “Dosja Kadare”, me materiale të reja, shumë më të ashpra se i pari. Emri i shkrimtarit Dritëro Agolli është më “i godituri”. Si janë marrëdhëniet tuaja pas kësaj? Ku është ndryshimi?

Është vërtet një gjë tepër e papëlqyeshme të lexosh gjëra të tilla. Është tepër dëshpëruese. Ndryshimi midis nesh bazohet në një gjë themelore. Unë s’kam shkruar kurrë asnjë radhë pas krahëve kundër atij dhe kundër askujt. Kurse ai dhe grupi i tij kanë shkruar me qindra. Ky është superioriteti im mbi ta. Dhe këtë s’mund ta ndryshojë asgjë.

Ju keni qenë miq. Shumë njerëz diskutojnë për ftohjen tuaj. Ka mendime se ai nuk i ka ndërruar bindjet e veta të majta, gjë që i përmendet si meritë. Ju dihet i keni ndërruar…

Mendoj se është e kundërta. Është ai që i ka ndërruar bindjet e tij e unë jo. Ju mund të hapni sytë nga habia, por unë do t’jua vërtetoj.

Ne kemi qenë miq, kjo është e vërtetë. Madje, miq shumë të afërt, qysh në gjimnaz. Pas kthimit nga studimet e larta në Rusi, miqësia u bë edhe më e fortë për shkak të bindjeve të njëjta politike. Ishte fillimi i viteve ‘60. Ne ishim kundër regjimit dhe hapur flisnim kundër tij. E donim vendin, por ishim të zhgënjyer nga komunizmi, e sidomos nga versioni i tij shqiptar. Kjo vazhdoi gjer në vitin 1966, kohë në të cilën ai botoi librin e tij më të mirë, një ndër më të mirët e kohës, “Zhurma e erërave të dikurshme”.

Pastaj atij i vunë synë për t’i përgatitur një karrierë politike, në fillim si sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve, pastaj si kryetar. Ky ishte dhe mbarimi i të folurës kundër, rrjedhimisht mbarimi i miqësisë sonë. Thelbi i saj, ajo që në ato kohëra ishte shpirti i një miqësie të vërtetë: refuzimi i brendshëm i regjimit, vdiq. Mbeti vetëm lëvozhga e jashtme.

A mund të shpjegohet më qartë një gjë e tillë?

Natyrisht. Ne nuk flisnim më kundër. Ishte e kuptueshme që ai t’i shmangej një gjëje të tillë, sidomos, kur u bë anëtar i Komitetit Qendror. Unë gjithashtu s’doja të abuzoja duke ia kujtuar bisedat e vjetra. Ato mbetën sekreti ynë i përbashkët, një pakt heshtjeje i vazhdueshëm. Asnjëherë, qoftë edhe në çastet e mia të vështira, atëherë kur ai më akuzonte, s’më ka shkuar mendja t’ia kujtoj. T’i thosha, për shembull: ti më akuzon mua si antisocialist, si kundërrevolucionar, si përqeshës të komunizmit, por ti je si unë, ose së paku ke qenë si unë. Por ajo ishte një kohë e mbrapshtë kur ndodhnin gjëra që qysh tani mund të duken të pabesueshme.

Nuk e besoj që Agolli, për të më kundërshtuar mua, të mohojë atë kohë, kohën e tij më të bukur. Të thotë, për shembull, se nuk ka folur kundër regjimit dhe se unë po fantazoj. Ka një paradoks në kritikat e Agollit kur nga ana profesionale mendimet janë të sakta, ndërsa në fund e hedh krejt poshtë veprën, duke përmendur këtu rastin e romanit “Koncert në fund të dimrit”, roman që mbeti pesë vjet në sirtar.

A mendoni se ish-kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve e bënte këtë me vetëdije?

Është e vërtetë se analizat e tij janë të sakta, qoftë për “Pashallarët e kuq”, qoftë për “Pallatin e ëndrrave” e sidomos për “Koncert në fund të dimrit” (dokumenti 32 në librin e Sh. Sinanit). Nuk ishte vështirë të gjente gabimet ideologjike në këto vepra, sidomos ai që i kishte njohur mendimet e mia. Kishim folur, siç thashë më lart, mbarë e prapë. Për krimet e Stalinit, për egërsinë e luftës së klasave tek ne, për izolimin dhe mungesën e lirisë. Përqeshjet, talljet e hidhura për regjimin, për të cilat ai më akuzonte sidomos në denoncimin e fundit (dok. 32), ne i kishim bërë dikur së bashku.

Aktualisht, si i keni marrëdhëniet me Agollin, i cili edhe sot vazhdon të gëzojë sukses politik ndërsa ju jeni afër “Nobelit”, ku letërsia juaj po cilësohet unike në mbarë botën?

Marrëdhëniet kanë qenë korrekte, por pa atë tharmin, që përmenda më lart. Shumë vjet pas ftohjes sonë, më kujtohet, ishte tetori i vitit 1983, ne u gjendëm bashkë me një grup shkrimtarësh shqiptarë në Paris. Një nga ditët, e ftova për të pirë një kafe në një kafene të Chans Elizesë. Isha kureshtar të dija nëse kishte ruajtur diçka nga koha e parë. Në të vërtetë kisha edhe nostalgji. Ishim vetëm të dy dhe unë, ashtu si dikur, hapa një bisedë delikate. Pak a shumë biseda ishte kjo:

I. K. – Me ç’thuhet, ai (ishte fjala për E. Hoxhën) nuk e ka të gjatë. Si mendon ti, ç’do të bëhet?

D. A. – Po ajo dihet. Ramizi do ta marrë.

I. K. – Ramizin e njohim. Është, pa dyshim, më i butë. Po është i lëkundshëm, apo jo?

D. A. – I lëkundshëm the? Do kemi qyfyre me të. Në mëngjes do gdhihemi aleatë me Bullgarinë. Në darkë do të themi, s’jemi më me bullgarët, u bëmë me Turqinë.

Qeshëm një copë herë si dikur dhe ndjeva një keqardhje të jashtëzakonshme që ky njeri i tërhequr nga idiotësia e karrierës, e kishte braktisur atë që duhej të ishte, natyrën e tij të vërtetë.

Në dy raste, në mos gaboj, kam shkruar për natën që kemi kaluar në Budapest, gjatë kthimit nga Parisi. Kam folur për një sjellje të tij disi të çuditshme. Në atë kohë, nuk e dija se pikërisht tre muaj më parë, më 17 korrik 1983, ai kishte shkruar raportin e tmerrshëm kundër romanit “Koncert në fund të dimrit”. Parë nga ky kënd, ka gjasë që sjellja e tij në hotel, tepër prekëse dhe e njerëzishme, të ishte një shenjë pendimi. Së paku kështu më pëlqen ta mendoj.

Gusht 2005

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here