Goro i dhuroi 4263 m2 tokë/ Arqile Bollano: Dy pronat mi dha Këshilli Bashkiak

0
151

Gjykata e Posaçme firmosi ditën e djeshme masën e dytë të sigurisë “arrest me burg” për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro akuzohet se i ka dhuruar në vitin 2016 kryebashkiakut të sapokomanduar të Himarës, Arqile Bollanos 4263 metra sipërfaqe toke.

Bëhet fjalë për dy sipërfaqe toke të quajtura “Vllatorja” dhe “Moskato”, të cilat rezultojnë me një vlerë financiare prej 1 milion euro.

Hetimi për këtë çështje është nisur fillimisht nga prokurori i Vlorës Arjan Xhaferaj, por është transferuar një muaj më parë në SPAK.  Sipas dosjes hetimore rezulton se kallëzimi është bërë fillimisht në komisariatin e Himarës, nga një banor i zonës i cili posedonte tokën e rregullt dhe e kishte fituar atë në bazë të ligjit 7501.

9 vite më parë Arqile Bollano ndërtoi një listë emërore për disa banorë të zonës, të cilët duhet të trajtoheshin me tokë nga bashkia Himarë. Ndërtimi i kësaj liste argumentohej, me faktin se këto familje nuk ishin trajtuar me tokë bujqësore në vitin 1991-1992, por për shkak se ishin përdorues faktik të disa ngastrave toke, këto sipërfaqe duhet t’i njiheshin nga ana e bashkisë Himarë.

Në kohën e paraqitjes së listës së përfituesve në Bashki, Arqile Bollano, ishte pjesë e grupit të punës në bashkinë Himarë, ku kryente plotësimin e procedurave që do shpallnin emrat përfitues të tokës. Pikërisht në këtë listë, ishte dhe emri i Arqile Bollanos, njeriut kryesor që drejtonte grupin e punës për trajtimin e personave me tokë nga ana e bashkisë së Himarës.

Sipas dosjes hetimore del se Bollano vetë firmoste, vetë verifikonte dhe më pas vetë rezulton të jetë përfitues i dy ngastrave me tokë me një sipërfaqe totale prej 4263 m2 në Himarë.

Për tjetërsimin e dy pasurive në mënyrë të padrejtë, prokuroria ka marrë në pyetje Arqile Bollanon, kryetarin aktual të bashkisë Himarë, i cili teksa ka dhënë shpjegime ka pohuar se tokën e ka marrë si përdorues faktik, duke ja dhënë Këshilli Bashkiak Himarë.

Në dëshminë e siguruar nga “Ora News” Arqile Bollano ka pohuar se:

“…këtë pronë e kam përfituar si përdorues faktik. Unë e kam pasur në përdorim që pas viteve 1990 dhe nuk ka pasur pretendime nga asnjë. Para shumë vitesh unë kam mbjellë edhe disa ullinj në këtë tokë por duke qenë e parrethuar, i ka dëmtuar bagëtia dhe nuk jam marrë më. Kam rënë në dijeni se në vitin 2013 ka dalë një VKM që këto toka që kishim në përdorim të na jepeshin në pronësi.

Kam paraqitur kërkesë në Bashkinë Himarë, duke dorëzuar dokumentet e nevojshme dhe pasi është trajtuar kërkesa dhe është kryer procedura, me vendim të Këshillit Bashkiak Himarë është miratuar lista e përfituesve ku është edhe emri im. Pas kësaj nga Bashkia Himarë më është dhënë AMTP me nr. akti 11, datë 25 gusht 2016 për parcelën me sipërfaqe 4263 m/2 në vendin e quajtur “Vllatorja”, Himarë. Për këtë pasuri sipas ligjit kam aplikuar dhe e kam regjistruar në hipotekën e Vlorës…”.

Hetimet ndaj Bollanos tashmë janë duke u kryer nga SPAK dhe pritet që në ditët në vijim të ketë vendimmarrje dhe për pozicionin e tij penal në këtë çështje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here