Çmimet në plazhet e jugut/ Faji i vlonjatëve apo i qeverisë së Ramës?

Mbipopullimi i plazheve vitin e kaluar, kur Vlora, Ksamili, Himara dhe perla të tjera të rivierës në jug të vendit u shndërruan ndër destinacionet më të klikuara të rrjeteve sociale i çoi në maksimum pritshmëritë e operatorëve turistikë edhe për këtë vit. Por sezoni nuk nisi me këmbën e mbarë.

Në fundjavë shezlongët kanë qenë plot, por gjatë ditëve të javës plazhet ishin pa pushues. Deri në gjysmën e parë të korrikut, operatorët turistikë në jug duken të zhgënjyer.

Në një mbledhje me kryetarët e bashkive të vendit, kryeministri Edi Rama bëri fajtorë pronarët e hoteleve dhe restoranteve që kanë rritur çmimet në mënyrë të palogjikshme sipas tij. Nëse vazhdojnë kështu, lakmia për fitime të mëdha mund t’u kthehet në boomerang paralajmëroi kryeministri.

“Askush nuk mund t’jua imponojë, por ama është dhe çështje dijeje dhe ideja që “Meqë na thanë vjet që Shqipëria është shumë e lirë, ne po ia hedhim në erë të gjithë tavanet e arsyes së çmimeve” është komplet një ide komplet e çmendur” u shpreh kryeministri.

Sipas tij, të parët që po e bëjnë këtë gabim janë operatorët turistikë të Vlorës.

“Shikoni Durrësin, shikoni Shëngjinin, shikoni Velipojën; stabël. Natyrisht, vlonjatët janë molla e këtij sherri, dihet ajo punë, sepse tani që Vlora është bërë kaq e kërkuar dhe kaq konkurruese nga pikëpamja e asaj që përfaqëson, gropa në gjoksin e vlonjatëve është hapur dhe është bërë një gropë ku do bien vetë këta që i ngrenë ato çmime në atë farë feje. Do bien vetë në gropën e gjoksit të tyre” u shpreh Rama.

Deri tani, në media është raportuar se çmimet në jug janë rritur me 25% apo 30% krahasuar me një vit më parë. Por a është faji vetëm i dëshirës së operatorëve turistikë për të bërë para?

Sipas ekonomistes Irena Beqiraj çmimet nuk i kanë rritur “vlonjatët”, por monopolet e një  tregu të kapur.

Ajo sjell si referim një studim të publikuar së fundmi, sipas të cilit abuzimi me çmimet, bëhet jo vetëm nga bizneset vendase, por edhe nga kompanitë e huaja.

“Ekonomisti Ilir Ciko ka bërë një studim shumë interesant për cmimet e ofruara nga kompanitë lider të importimit të ushqimeve edhe produkteve të tjera në Shqipëri . Grafiku tregon se cmimet e ushqimeve shiten 107% më shtrenjtë ne Shqipëri sesa shiten në Europë nga po të njëjtat kompani (shiko grafikun për të tjerat ).

E pra nipçe , problem janë oligopolet jo vlonjatët ! Po kush të ti shpjegojë ty! Edhe Ermal Dredha ka qëlluar me gjuhë të huaj” ironizon Beqiraj.

Grafiku më poshtë të cilit i referohet Beqiraj dhe që tregon se i njëjti mall shitet shumë më shtrenjtë në Shqipëri se në vendet fqinje të Bashkimit Europian:

Shpjegimi sipërfaqësor që i ka bërë Rama situatës, sipas të cilit fajin për problemet në sezonin turistik e kanë vlonjatët i është dukur i gënjeshtërt edhe gazetares dhe këshilltares së PD në Tiranë, Beti Njuma.

Në një status në rrjetet sociale, Beti Njuma përshkruan një Vlorë tjetër, përtej asaj që duket në Lungomare. Gazetarja thotë se nuk është faji i operatorëve turistikë që në mes të sezonit nisën punimet dhe pushuesit janë i janë larguar betoniereve që ngrenë pluhur pranë plazheve të Vlorës.

“Vlonjatët vërtet i kanë rritur pak çmimet këtë vit por Vlora është e padëshiruar se s’ka ujë, është e mbytur nga plehrat dhe mushkonjat, i ka rrugët tërë gropa e gunga e në rastin më të keq të pashtruara. Zona e Ujit të Ftohtë e matanë është me punimet Lungomares që nisën në mars në të gjithë gjatësinë dhe jo me lote. Kryeministri që dha lejen për punimet nuk u shqetësua se do të shkatërrohej ky sezon turistik dhe bizneset, se ngjitur me shezllonin pushuesve do t’u kalonin betonieriet e dhëmbët do t’u bluanin pluhur. Provoni të futeni në lagjet e brendshme të qytetit të shihni çfarë shëmtie do ju shfaqet para syve. Vlora është llum por për këtë nuk e kanë fajin vlonjatët! Të vetmit përgjegjës janë pushteti qendror dhe ai lokal” thotë Njuma.

Për ata që Vlorën e shohin vetëm nga videot që publikon Rama në facebook, Beti Njuma ka postuar disa foto që tregojnë se në brendësi të lagjeve, Vlora është njësoj si çdo qytet tjetër i Shqipërisë. Dhe për këtë faji nuk është i vlonjatëve.

Fotot më poshtë nga profili në rrjetet sociale i Beti Njumës.

         

Share it :