Identikiti i armikut të turizmit shqiptar

0
130

Edi Rama nuk funksionon dot pa armiq. Këtë po bën edhe ndërsa vijon me një ritëm frenetik të propogandojë magjinë turistike të Shqipërisë. Sa herë raporton të dhënat e aeroportit, sa herë poston foto me shezlongë të mbushur dhe po aq herë sa citon artikuj të mediave të huaja, kryeministri tregon me gisht edhe ata që duan ti zhveshin kostumin e heroit që ka prodhuar këtë mrekulli.

Për sa kohë që bën të parën nuk ka ndonjë gjë të keqe. Në një sistem ku respektohet liria e shprehjes, mburrja dhe rrahja e gjoksit nuk përbëjnë mëkat. Problemi fillon kur ai përdor edhe në këtë fushë të njëjtën teknikë të konfliktit që mban gjallë kudo. Pompimi i suksesit të tij ka dëshpërimisht nevojë për betejë me “të këqinjtë”.

Kur ndonjë personazh i njohur flet për dështim, mediat pro qeveritare i hidhen në fyt. Kur Fevziu shkon dhe e filmon bosh plazhin e Gramës, menjëherë kryeministri boton të kundërtën në rrjetiet sociale, madje i ysht dhe gaztorët personalë, të vënë në lojë gazetarin. Kur Berisha ironizon televizionet e propagandës, që ai i ka stigmatizuar si “teleturizmi”, ngaqë përsërisin çdo ditë fjalët e përkthyera të të huajve që u tregojnë në shqip vendasve se sa të bukura janë Rana e hedhun, Palasa apo Ksamili, liderit të opozitës i vërsulen me komente që e vizatojnë si dikë që është xheloz për suksesin e Shqipërisë.

Vetë Edi Rama, si frymëzuesi i kësaj lufte pa objekt, ka shkuar shumë larg kur ka folur për një sulm të organizuar dhe për komplot ndëkombëtar kundër suksesit të prodhuar prej tij, duke siguruar se “institucionet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe”.

 

Pra, sipas tij, ka armik të brendshëm dhe të jashtëm. Ka politikanë, kritikë, kundërshtarë dhe gazetarë që janë barikaduar kundër kësaj.

Por, pasi ke dëgjuar këtë retorikë që na ka shoqëruar gjithë verën, vetvetiu të lind një pyetje e thjeshtë: cilët janë armiqtë e Shqipërisë turistike? Kush është i interesuar për dështim? A kanë leverdi kritikët e kryeministrit apo opozitarët që të ketë më pak flukse të huajsh që kalojnë pushimet në malet apo bregdetin vendas?

Teorikisht aspak. Edhe për ata që janë kundër Edi Ramës dhe mënyrës kleptokratike se si ai po udhëheq, turizmi mund të shërbejë si një valvul shpëtimi. Në regjimin e gati apartheidit që ka ngritur ai, ku po s’ishe pjesë e rilindjes, anëtar i bandave që punojnë për të, apo shërbëtor i oligarkëve që ndajnë paratë, je pothuajse i përjashtuar nga një jetesë korrekte dhe dinjitet, pra në këtë mjedis, ardhja e atyre që shpenzojnë euro në këtë vend, shërben si një tub oksigjeni. Një njeri që nuk punësohet dot mes armatës të militantëve në shtet, mund të lëshojë shtëpinë me airbnb, një biznesmen që nuk fiton dot tendera, mund të marrë me qera një hotel, dikush mund të çelë një kafe, një restorant apo nëse ka më shumë të ardhura, një argoturizëm, në një zonë jo super të preferuar. Edhe tek ata që janë të zhveshur nga të gjitha këto mundësi, sërish ka shanc që të pikojë diçka nga një qarkullim më i madh të ardhurash.

Pra, në këtë këndvështrim, turizmi e demokratizon ndarjen e parasë dhe lejon të mbetet sadopak edhe për ata të cilët klika në pushtet i ka përjashtuar nga çdo mundësi tjetër.

Kështu që, as kundërshtarët e Edi Ramës edhe as votuesit e opozitës nuk kanë leverdi personale të jenë kundër suksesti të turizmit.

A, natyrisht, si kudo ku ekziston ende e drejta e fjalës ka mendime dhe ide kundërshtuese nëse duhet të jetë ky, apo jo, modeli i zhvillimit? Nëse ka një rrugë tjetër përpos golemizimit dhe betonizimit të rivierës së jugut? Nëse është afatgjatë skema me investitorë strategjikë, që privatizojnë dhe rërën, për të mos lënë “ata që zbresin nga mali që të vendosin çadrën sipas qefit”? Nëse garanton siguri të përhershme transformimi i trafikantëve në biznesmenë hotelierë? Nëse duhet menduar për një zgjidhje, kur fluksi i pushuesve që ka rritur çmimet, e ka privuar, sipas statistikave, gjysmën e popullsisë vendase nga luksi për të pasur të tilla?

Këta që ngrenë këto pyetje, pra që nuk miratojnë symbyllurazi linjën zyrtare dhe personale ‘të zhvillimit” përbëjnë grupin e parë të armiqve. Të dytët janë ata që tallen, përqeshin apo denoncojnë propogandën bajate të mediave tona, me sukseset marramendëse të Shqipërisë turistike. Të njëjtat televizione që kanë publikuar sondazhe që e nxjerrin kryeministrin tonë si liderin më të pëlqyer perendimor mes evropianëve, po ato që e kanë shpallur atë si shefin e ardhshëm të NATO-s, negociuesin për zgjidhjen e sherrit mes Ankarasë dhe Athinës, apo ofruesin e një drafti magjik që zgjidh mosmarrëveshjet e veriut të Kosovës, tani janë ngërthyer në një fushatë të ethshme për “promovimin” e një suksesi të pa imagjinueshëm që na bën të ëndërrojë për Shqipërinë e 2023-ës. Aq qesharake është bërë kjo tendencë sa, nuk ka edicion lajmesh ku mos i thërritet në ndihmë hollandezëve për t’u teguar malësorëve të Thethit se sa të thepisura i kanë majat, hungarezëve për t’u mësuar himariotëve se sa të kaltra i kanë brigjet dhe australianëve për ti dëshmuar gjirokastritëve se sa të shijshme janë qifqitë. Ky komizëm tragjik meriton sarkazmën më therrëse por, të bësh këtë, nuk do të thotë se ke gjë kundër turizmit shqiptar. Ai është një reagim instiktiv kundër një procesi rënqethës shplarjeje truri.

 

Por, kaq i mjafton kryeministrit që qëndron në llogore për të të shpallur në morinë e madhe të atyre që luftojnë kundër Shqipërisë. Ai u rek të ndërtonte me mundim profilin e armikut të turizmit. Pikërisht ky armik imagjinar na ka ndjekur nga pas, si hije këtë sezon, si një lloj i huaji të cilin nuk po e takojmë dot. Ai është në fakt turisti më i çuditshëm dhe më absurd që zbarkoi sëbashku me fluksin e verës, pasi është thjeshtë pjellë e propagandës. Po ndoshta edhe ky i’a vlente për syrin e keq, në një vend që i pret me lehtësi dhe bujarisht të ardhurit e panjohur.

©Lapsi.al    

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here