Dënimi skandaloz i Ervin Salianjit ka bërë si kurrë më parë bashkë edhe partitë e reja që zakonisht janë kritike me PD-në dhe gjithë klasën e vjetër politike. Në qëndrimet që ato kanë shprehur pas vendimit të burgosjes me një vit të deputetit demokrat, kanë reaguar edhe Endri Shabani i Nisma Thurje edhe Agron Shehaj i Mundësia edhe Adriatik Lapaj.
Lapsi.al i ka ndjekur me vëmendje të gjitha reagimet, si një indikator për të kuptuar humorin e shoqërisë ndaj një burgosjeje politike.
Koordinatori i “Shqipëria Bëhet”, Lapaj përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se, “më herët për këtë lloj vepre gjykatat nuk e kanë aplikuar dënimin me burg”, duke shtuar se ndaj Salianjit mund të ishte vendosur një ndëshkim me gjobë, pasi sipas tij denoncimi në thelb ka qenë i provuar, pasi subjekti i tij vëllai inish ministrit të brendëshëm Fatmir Xhafaj shkoi dhe bëri burg në Itali, ku edhe kërkohej për trafik droge.
Gjatë një interviste për A2 CNN, drejtuesi i Nismës, Endri Shabani deklaroi se e sheh dënimin si një akt mafioz për ti mbyllur gojën kujdo që synon të denoncojë. “Mua nuk më intereson Salianji si person, as si deputet i PD-së, por si një njeri që ka pasur guximin të denoncojë. Në një shoqëri ku shkojnë në burg ata që denoncojnë dhe jo ata që vjedhin apo kryejnë krim, do të thotë se ne po i afrohemi autokracisë”, tha ai.
Ndërsa përmes një postimi në Facebook, Agron Shehaj shkruajti se dënimi i Salianjit është një mesazh direkt i kryeministrit Edi Rama ndaj kujtdo që guxon të denoncojë.
Shehaj tha se Salianji u dënua pasi denoncoi ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafën, i cili sipas tij mbronte në Shqipëri vëllain e vet të dënuar për trafik droge nga Italia.
Sipas Shehajt, kjo do të jetë edhe klima në të cilën do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. “Kjo është klima në të cilën do zhvillohen zgjedhjet e ardhshme. Salianji që denoncoi skandalin shkon në burg, ministri që mbronte vëllain drejton komisionin parlamentar Anti-SPAK
Vetëm Dashamir Shehi, që i është bashkuar së fundi grupit më të ri parlamentar, atij të Alibeajt, e ka quajtur qesharake idenë për të lodhur njerëzit me protesta për një vit burg që do bëjë Salianji. Në një deklaratë të rimarë nga gjithë mediat e Rilindjes ai ka theksuar se “drejtësia nuk është perfekte, po ne i kemi dalë për zot asaj”.
Ky unifikim gati total për rastin Salianji edhe nga ato forca të reja politike që s’lënë kritikë pa bërë kundër Berishës dhe PD-së, nuk tregon vetëm se në këtë rast dhuna e pushtetit e ka kapërcyer Rubikonin, por ky unifikim ndaj një padrejtësie me sa duket ka shqetësuar edhe Edi Ramën, që me disa deklarata rresht është munduar të ndajë publikun në dysh. Në reagimin e fundit në X (ish twitter) kryeministri shfryu kundër atyre që heroizojnë një shpifës. “Viktimizimi i një të dënuari për një vepër të turpshme, e cila mund të konsiderohet kryevepra e turpit të Mbretërisë së Shpifarakëve – sepse nuk ishte thjesht një shpifje si miliona shpifjet që janë thënë e shkruar në këto 34 vjet Liri Shpifjeje, po ishte një fabrikim i tërë, një film i Kinostudios së Shqupit me aktorë e me producentë të përkushtuar për të bërë keq – tregon se sa poshtë ka rënë niveli i kuptimit të botës sonë mediatike për peshën e rëndë të shpifjes në jetën e një shoqërie”- shkroi Rama në reagimin e vet të premten në mbrëmje.
©Lapsi.al