Teksa na ndajnë pak orë nga protesta e opozitës, e cila do të mbahet në orën 18:00, policia është vendosur në gatishmëri
U raportua se mbi 1500 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës, ku në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA.
Ndërsa bëhet me dije se Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve. Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz. Do të ketë edhe 5 autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh.
Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.
Mbrëmjen e djeshme Policia e Tiranës është thirrur për takim nga drejtori i përgjithshëm për protestën. Në mbledhje kanë qenë të gjithë shefat e komisariateve të Tiranës. Kryepolici Ilir Proda ka dhënë porositë lidhur me detyrat e policisë për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestës.