A mund të zgjidhet paligjshmëria me paligjshmëri?

0
38

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje sot punonjësve të IKMT, një strukture të njohur gjerësisht si një nga hallkat më kriminale të shtetit, të mbyllin sytë dhe të mos vijojnë të zhvasin katundarët e pambrojtur kur këta të fundit ndërtojnë një mur apo shtojnë një dhomë në shtëpitë e tyre modeste. Në vend të thirrjes për të mbyllur sytë, kryeministri bën mirë të shohë se për çfarë arsye, pjesa më e varfër e popullsisë shqiptare, gjendet e zhvatur nga zyrtarët e tij politikë

Nga Gjergj Erebara

Me një deklaratë që të bën të shqyesh sytë, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje sot zyrtarëve të shtetit që të mbyllin sytë ndaj atyre që i përshkroi si shkelje të vogla të ligjit, ndërsa la të nënkuptohet se ai, si të gjithë shqiptarët, është i informuar për praktikat e zhvatjes që ushtrohen nga zyrtarët politikë të partisë shtet, veçanërisht ndaj shqiptarëve më të varfër, më të pambrojtur dhe më pa lidhje politike. Në një takim me kryetarët e bashkive, pjesë e dukshme e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, Rama tha:

“Ajo që kemi bërë për pjesën e lejeve të lehta, që nuk janë infrastruktura banimi të mëdha, por nevoja imediate të qytetarëve që jetojnë sidomos në zonat rurale që duan të shtojnë një dhomë, a një çati, por ndihma juaj për të identifikuar çdo lloj punonjësi policie që ju shfaqet nëpër avlli familjeve që jetojnë në fshat, është shumë e çmuar.”

Dhe pastaj, me njëlloj deklarate si prej babai të kombit, shtoi: “Fatkeqësisht, ky fenomen akoma është problem. Ju shkojnë për një avlli, ju rrinë të koka dhe kuptohet pse. Janë të informuar, të lutur punonjësit e policisë përmes drejtuesve të mos e shikojnë luftën e ndërtimeve pa leje te riparimet e vogla dhe brenda pronës për nevoja jo biznesi.” (Gërmat e pjerrëta dhe të trasha janë të mijat).

Kjo në fakt është një deklaratë tronditëse. Kryeministri, në një vit zgjedhor, lë të kuptohet me fjalët kuptohet pse se ai është i informuar, si të gjithë shqiptarët e tjerë, për një bandë zhvatësish që gjuajnë për fukarenj për t’i kapur në ndonjë shkelje të vogël, jo për të zbatuar ligjin, por për t’i zhvatur. Dhe po kryeministri, i lutet këtyre zyrtarëve, të cilët janë emëruar prej tij me kritere thjesht dhe pastër politike, të mbyllin sytë, (unë mund të shtoj, pa devijuar nga logjika e deklaratës, se kjo mbyllje sysh është e domosdoshme tashmë që vendi gjendet në vit zgjedhor).

Nëse do të mbahet mend për ndonjë gjë në histori, Edi Rama do të mbahet mend pikërisht për këtë: fshatarë të vënë në ndjekje penale apo të burgosur për një avlli apo për një kasolle toke dhe oligarkë që janë në gjendje të ndërtojnë me apo pa leje, sa të duan dhe ku të duan, nga Sheshi Skënderbej deri në çdo plazh, dhe pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë. Një ligj amorf që krijon pasiguri ekstreme për qytetarët dhe zyrtarë zhvatës, të armatosur me ligjin amorf që nuk i sqaron dot qytetarët se çfarë është e ligjshme dhe çfarë, e paligjshme, me masë ndëshkimi që varion nga gjobat e papërballueshme te ndjekja penale dhe burgu ndërsa shumë shpesh këta zyrtarët që janë njëkohësisht funksionarë politikë, bien në burg pasi kanë kërkuar shuma marramendëshe parash nga qytetarët më të këputur të vendit.

Në fakt, lajmet me inspektorë që kërkojnë të zhvasin nuk janë as të reja dhe as të panjohura. Për shembull, në vitin 2018, katër inspektorë u shfaqën në një video amatore duke thënë se kush paguan, i shpëton shembjes së ndërtimit pa leje, ndërsa këtë vit, zyrtarë të inspektoriatit të Sarandës u dënuan për të njëjtën arsye.

Problemi dukshëm është më i madh se sa kaq, siç bëri të ditur edhe vetë kryeministri, duke mos e thënë, por duke na bërë të ditur se këta zyrtarë, “ju rrinë të koka dhe kuptohet pse”.

Fuqizimi i këtyre zhvatësve në administratën publike të vendit, duket se ka të bëjë gjithashtu me shkëputjen e plotë të çfarëdolloj lidhjeje organike mes zonave rurale dhe pushtetit politik, me fshatarë që shumë shpesh nuk kanë as tituj pronësie dhe as nuk kanë mundësinë të përballojnë kostot administrative të pajisjes me leje ndërtimi për punimet më të vogla të mundshme, të cilat, normalisht dhe historikisht i kanë kryer vetë.

Dhe në kushtet kur shërbimet publike në zonat rurale, të tilla si furnizimi me ujë të pijshëm apo heqja e ujërave të zeza janë inekzistente, natyrisht që taksimi i këtyre  ndërtimeve me “taksë për ndikimin në infrastrukturë” nuk bën shumë sens, por gjithsesi, në kushtet kur këta fshatarë nuk janë në gjendje të marrin leje ndërtimi për njëmijë e një arsye dhe zyrtarët e shtetit nuk mungojnë që t’i gjuajnë kur ata janë duke rregulluar halenë apo duke ndrequr avllinë apo duke shtuar një dhomë, përgjërimi që Rama i bën zhvatësve të tij që “të mbyllin sytë”, natyrisht që nuk përbën zgjidhje ligjore dhe vështirë se e vendos atë në rolin e udhëheqësit shpirtgjerë që nuk e di se sa të poshtër janë ata poshtë që “ju rrijnë mbi kokë” fshatarëve “kuptohet se pse”.

Në vend të thirrjes për të mbyllur sytë, udhëheqësi largpamës i Shqipërisë 2030 e 2040 apo 2050, duhet të kërkojë arsyet se pse shteti nuk po kryen funksionin e vet themelor: dhënien e titujve të pronësisë dhe mbrojtjen e pronës private, pasjen e një ligji të qartë e të kthjellët që nuk lë hapësirë për abuzime dhe jo të një ligji që thotë se një tendë në ballkon, nëse ka këmbë të fiksuara, kërkon leje dhe gjobitet me një vit rrogë minimale, ndërsa një tjetër, që nuk ka këmbë të fiksuara, nuk kërkon leje por ti gjithsesi duhet të njoftosh në bashki dhe bën mirë që të presësh autorizimin që nuk vjen kurrë. Apo se pse vendi ka një sistem kadastre për të cilën, së fundmi, noterët thonë se ka pushuar së përgjigjuri pavarësisht afateve ligjore të caktuara në të bardhë dhe në të zezë, nëse nuk paguhet.

/BIRN

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here