Sistemi universitar në Shqipëri, vijon të përjetojë dramën e tkurrjes progresive të numrit të studentëve. Në tetë vitet e fundit (2016-2023), sipas të dhënave zyrtare, në auditore, rezultojnë 24.416 të rinj, më pak, një rënie me gati -17 përqind. Tkurrja e studentëve ka prekur vetëm sistemin publik, ndërkohë që ai privat, ka njohur rritje thuajse të qëndrueshme në vitet e fundit.
Për Rektorin e Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, kjo situatë reflekton një seri faktorësh, që nga “ulja e numrit të nxënësve në shkollat e mesme, të një rënie të interesit për arsimin e lartë e po ashtu dhe me lëvizjet e të rinjve jashtë vendit”, thotë ai për Faktoje.
Por Migen Qeraxhi, i Qëndresës qytetare është i mendimit se performanca e sistemit universitar publik, ka qenë në përkeqësim.
Situata
Në vitin akademik 2023-24, në universitetet publike në të gjithë vendin ishin të regjistruar pak më shumë se 86 mijë studentë, një rënie me më shumë se 32 mijë të rinj, ose gati 27 përqind më pak se në vitin 2016.
Në të njëjtën kohë, arsimi i lartë privat ka shënuar një rritje të dukshme. Nga viti 2016 deri në vitin akademik 2023-24, numri i studentëve të regjistruar në këtë sektor është rritur me 7.873, duke e çuar numrin total të regjistrimeve në 32.387 studentë.
Universiteti i Tiranës ka përjetuar rënien më të madhe. Gjatë vitit të fundit akademik, në fakultetet e tij pati 17.755 studentë, mbi 10 mijë më pak se në 2016, ose një rënie prej 37 përqind.
Akoma dhe më e fortë, rënia në Universitetin Bujqësor, i cili vitin e fundit pati pak më shumë se 6 mijë studentë nga afro 11 mijë që numëronte 8 vjet më parë. Janë mbi 4 mijë studentë më pak, ose një tkurrje prej 40.4 përqind.
Universiteti i Mjekësisë [U1] gjithashtu ka pësuar një rënie prej 807 studentësh, ose 10.8%. Në të kundërt, Universiteti Politeknik ka treguar stabilitet, sikundër dhe ai i Arteve. Ndërsa Universiteti i Sporteve ka shënuar rritje, vit pas viti.
Universitetet e rretheve po ashtu kanë përjetuar të njejtën tendencë, me rënie nga 40-52 përqind, me përjashtim të Aleksandër Moisiut në Durrës, i cili ka ruajtur qëndrueshmëri, duke qenë thuajse në të njëjtat kuota, përveç vitit të fundit, kur humbi gati 2 mijë studentë, ose një ulje me pak më shumë se 10 përqind.
Universiteti i Elbasanit, ka një rënie 56.4 përqind; ai i Korçës -47.7 përqind; i Shkodrës -54 përqind; i Gjirokastrës -15.4 përqind (vitin e fundit në të kundërt shënoi një rritje të lehtë); ndërsa i Vlorës, 60 përqind më pak, krahasuar më vitin 2017 kur shënoi një shumëfishim të studentëve;
Reagime
Zoti Artan Hoxha, rektori i Universitetit të Tiranës, më i madhi në vend, si për numër studentësh ashtu dhe fakultetesh, e sheh situatën si një ndërthurje faktorësh. “Nis që në shkollat e mesme, ku është ulur numri i nxënësve. Nga ana tjetër ka një rënie të insteresit për studime, dhe për arsimin e lartë. E po ashtu ulja e popullsisë dhe shumë të rinjë që lëvizin dhe jashtë Shqipërisë”, thotë ai për Faktoje, duke theksuar se të gjitha këto “janë pasoja që vijnë nga njëri vit në vitin tjetër”.
Rektori i Universitetit të Tiranës, thotë se “programet tona janë të konsoliduara. Jemi afër 70% të plotësimit të kuotave. Në disa jemi në nivele fundore, por janë disa programe që vuajnë dhe kanë vështirësi për studentë, sepse ka të bëjë më punësimin, me trajtimin e tyre pas punësimit”.
Por Ajsi Spahija, studente e Biologjisë në Fakultetin e “Shkencave të Natyrës” njëkohësisht dhe aktiviste e Lëvizja Për Universitetin shprehet për Faktoje se ulja e numrit të studentëve ka ardhur si pasojë e politikave më së shumti frenuese. “Arsimi si vatër dijeje dhe emancipuese vit pas viti duket se është shndërruar në shkollim klasor, privilegj i të paktëve me mundësi financiare. Arsimi publik duhet të jetë falas! Studentët nuk po regjistrohen më në universitete për shkak të tarifave të larta, kushteve të papërshtatshme të banimit dhe prej mungesës së mbështetjes institucionale” thotë Spahija duke shtuar më tej se “studentët duhet të organizohen dhe luftojnë për një sistem arsimor të drejtë dhe barabartë për të gjithë.”
Rektori Hoxha nga ana e tij pranon se “Universitetet duhet të ofrojnë më shumë mundësi, duhet të kenë programe më të zhdërvjellta, duhet të ketë përfshirje më të madhe të studentit në jetën universitare, në kërkimin shkencor, duhet të kenë më shumë kujdes për punësimin e studentëve përvec edukimit të tyre”.
Tërheqjen ndaj universiteteve private, ai e sheh më shumë si rezultat i marketingut. “Ka disa mekanizma që i përdor privati si marketing që i vë Universitetet publike në inferioritet, por këto janë cështje që kanë të bëjnë me diskutimet tona. Në fund fare do shikoni që përqindja totale, nuk besoj se do t’i kalojë 25 përqind. Pra publiku 70-75 përqind, ndërsa privati 25-30 përqind.”
Për Migen Qiraxhiun nga Qëndresa Qytetare, arsyet janë të tjera: “Disavantazhi infrastrukturor i Universitetit publik ndaj privatit ka bërë që gjithnjë e më shumë të ketë regjistrime tek privati, avantazh dhe rritje kjo që vjen si rezultat i uljes së preformacës së publikut dhe jo si një zhvendosje të cilësisë tek privati”-shprehet për Faktoje Qiraxhi.
/Faktoje