Tenderi/ SPAK anuloi kontratën 1 mln € për ofertë të papërshtatshme, më pas ia dha të njëjtës kompani

0
116

Nga Klodian Tomorri

Në maj të këtij viti, Prokuroria e Posaçme shpalli një tender me vlerë prej 1.6 milionë eurosh në fushën e teknologjisë së informacionit. I ndarë në 5 lote, tenderi parashikonte blerje çimkash për përgjime, hapësira serveri, switch dhe blerje antivirusesh.

Që në fillim tenderi u përfol si i paracaktuar. Madje televizioni Ora News i paralajmëroi publikisht fituesit. (Lexo ketu shkrimin e Qynos)

Në datën 16 Maj 2024, vetëm pak orë pasi ishte mbyllur procedura konkurruese në 5 lotet e shpallura nga SPAK, gazetari i “Ora News” Elton Qyno, i është drejtuar me një kërkesë për informacion kreut të SPAK, Altin Dumani, duke e vënë në dijeni se tenderat e zhvilluar brenda kësaj strukture ishin paracaktuar dhe fitues ende pa u hapur letrat është shpallur kompania “Axians Albania”.

Që nga shpallja e kësaj procedure është folur për kompani të paracaktuar si fituese dhe nga interesimi jonë në disa kompani në Tiranë, na është konfirmuar se nuk do marrin pjesë, sepse kjo procedurë është paracaktuar nga punonjës brenda SPAK për “Axians Albania”, kompani e cila ka përgatitur dhe termat e referencës së kësaj procedure. A është pjesëmarrëse në këtë procedurë “Axians Albania” dhe a renditet kjo kompani në pikëzim pretedente për ta fituar këtë procedurë dhe konkretisht lotet për sisteme rrjeti, fire-walle, sisteme sigurie,” shkruante Qyno

SPAK përmbylli tre nga 5 lotet e tenderit. Në dy prej tyre u shpall fitues pikërisht bashkimi i kompanive ATOM dhe Axians Albania, ashtu siç kishte shkruar Qyno. loti i tretë që ishte vetëm 3 mijë euro u fitua nga kompania QuantX IT Solutions. Por loja ishte tek dy lotet e tjera, të cilat përbënin dhe llokmën më të madhe të tenderit, pasi kishin një vlerë prej 1 milionë eurosh.

Edhe në këto dy lote kishte ofertuar sërish e njëjta kompani. Ajo e bashkimit mes Atom dhe Axians. Por ndoshta edhe nga presioni i daljes së informacionit në media, SPAK u detyrua ti anullonte ato me argumentin se nuk ishte paraqitur asnjë ofertë e përshtatshme. (Shiko anullimin e tenderave)

Rishpallje dhe sërish tek të papërshtatshmit

Tenderat për dy lotet e anulluara u shpallën sërish në gusht të këtij viti. Sipas dokumentave të depozituara në Agjencinë e Prokurimeve, pas kërkesës së një operatori të interesuar SPAK e ndryshoi një kriter, duke hequr cilësimin e përhershëm nga liçencat software.

Gara për të dy lotet u zhvillua në 11 shtator. Tek të dy lotet pati sërish vetëm një ofertë. Dhe ishte sërish i njëjti bashkim operatorësh. Ai mes Atom dhe Axians Albania. Por këtë herë oferta e tyre nuk ishte më e papërshtatshme si pak muaj më parë. Ndaj SPAK i shpalli fituese. Rrjedhimisht dy kompanitë përlanë edhe 1 milionë eurot e tjera duke fituar 4 nga 5 lotet e tenderit të SPAK ashtu siç kishte paralajmëruar publikisht televizioni Ora News.

Por pse tenderat e SPAK po bëhen të gjithë me mungesë të theksuar gare. Kjo mbetet një mister i madh. Ndoshta bizneset nuk duan të kenë të bëjnë me prokurorët e posaçëm. Ose ndoshta fitorja ka qenë e marrë në në tavolinë ende pa u zhvilluar ndeshja, ashtu siç paralajmëroi gazetari Qyno.

Gjithsesi tenderi 1.6 milionë euro i çimkave, antiviruseve dhe serverave përfundoi në kokë. Tek Axiansi i Kleanthi Priftit dhe Atomi me pronarë dibranë. Me një dëm të vetëm kolateral. Tenderat e SPAK po bëhen qesharakë si këta të Ramës. Por këtu ka edhe një problem tjetër.

Po rojet kush i ruan nga tundimi i dardhave?

/Kapitali.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here