Përdorimi i Gardës për të nxjerrë deputeten nga salla ishte një skandal që u harrua vetëm pak minuta më pas, kur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u futën në territorin e Kuvendit për t’u përplasur fizikisht me deputetët, madje edhe duke kërcënuar me armë.
Deputetët e opozitës përballë FNSH-së dhe Gardës së përdorur si mjet politiko-represiv, u lënduan dhe lënduan aq sa dukej se ata që kishin bërë gardhin për të mbrojtur komoditetin e shefave, ishin palë partiake jo mbrojtës të ligjit. Një presion që shkarkohet te policët në forma të urrejtjes për opozitën, një presion për vendin e punës qe u kërcënohet nga aktiviteti i opozitës në Kuvend.Pak më lart, brenda sallës, urdhëruesit e tyre janë po aq të kërcënuar, se shërbimet e tyre, sado të verbëra, sado të patrembura nga ligji, mund të mos i duhen më liderit absolut, që i heq, herë duke u përgatitur dorëheqjen dhe herë duke u lexuar emrat në forume publike.E ulur në karrigen e Lindita Nikollës, Elisa Spiropali nuk mund të mos e kuptojë se mund të ketë të njëjtin fat nëse opozita ia del të prishë seancën, që pastaj mediat e huaja të shkruajnë dhe pastaj kancelaritë perëndimore të vihen në lëvizje dhe pastaj diplomatët përfaqësues në Tiranë ta detyrojnë liderin absolut të lëshojë sadopak pushtet, siç ndodhi në fillim të këtij viti.
Me presionin e Lindita Nikollës përpara syve, Spiropali, edhe sikur të mos ishte veneruesja më tipike e absolutizmit të Edi Ramës, do të bënte vetëm atë që bëri, përjashtim deputetësh, gjoba dhe ndalim pagash, reshtimin e Gardës për të ndaluar
opozitën të hyjë në sallë dhe, për të thyer gjithë rekordet, të përdorë gardistin për të neutralizuar fizikisht deputeten.
Me presionin e Linditës dhe Taulantit, ministri i Brendshëm i katapultuar nga policia, i jep pretencën deputetes për zjarrvënie me qëllim në sallën e Kuvendit ku nuk u pa asnjë shkëndijë. Pastaj fut FNSH të rrahë deputetët, pastaj bën video mashtruese për të treguar se nuk kishte armë, pastaj bën statuse prej militanti për të treguar edhe më shumë besnikëri.
Kështu, shërbëtorët e regjimit personal, që pranojnë çdo gjë për të qenë në krah të shefit të madh, e shkarkojnë presionin e tij mbi vartësit e tyre. Për të zbatuar urdhërin e Edi Ramës shkelin ligjin dhe Kushtetutën vetë, për t’u bërë shembull për vartësit e tyre.
Kështu krijohet ai mur njerëzor kundër opozitës, një mur më pak inteligjent se origiinali, që e vë një forcë ligjzbatuese në funksion të paligjshmërisë. Ai mur është sporteli i vërtetë i një regjimi autokratik që, pasi zotëron gjithçka, përdor dhunën mbi ata që guxojnë ta kundërshtojnë, humbet durimin me ata që e akuzojnë, i fut në burg ata që e denoncojnë dhe i kalb ata që mund ta rrëzojnë.
Pas çdo vendimi gjykate bëhet më prepotent, pas çdo spektakli dhune bëhet më i egër, ndërsa shton abuzimin për të paguar gardianët e burgut që krijon, ata që në demokraci quhen garantuesit e sigurisë dhe lirisë së qytetarëve.