Kryeministri Edi Rama do të presë në Tiranë Fredi Belerin, i cili është përfshirë në delegacionin e Parlamentit Europian për Komisionin Parlamentar të BE-së për Stabilizim-Asociiimin me Shqipërinë.
Lajmi bëhet me dije nga media greke “To Vima”, e cila njofton se takimi do të mbahet më 29 Tetor në orën 10:00, duke e konsideruar si “takimin e vitit”.
Më tej në artikull thuhet se delegacioni i BE-së, pjesë e të cilit do të jetë edhe Beleri, do të zhvillojë në Shqipëri një vizitë 3-ditore. Ky komision do të informohet gjithashtu nga ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato, në lidhje me zhvillimet për negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Takimi me Kryeministrin Edi Rama i komisionit ku do të jetë dhe Beleri parashikohet që të zgjasë rreth 45 minuta. Pjesa e axhendës së takimeve janë edhe përfaqësues të partive të tjera si dhe nëj takim me kryeparlamentaren Elisa Spiropali.
“Beleri do të takohet me kryeministrin e Shqipërisë në cilësinë e deputetit të Parlamentit Europian, me njeriun që e mbajti në burg për 481 ditë për të mbajtur jashtë zyrës së kryetarit të bashkisë së Himarë dhe po përballej (pavarësisht nga protestat evropiane) si një kriminel i së drejtës penale të zakonshme. Si e sjell vërtet jeta (dhe politika) në këtë mënyrë? Edi Rama është i detyruar ta presë këtë herë me nder, siç i ka hije një të zgjedhuri të Parlamentit Europian, kur pak muaj më parë deklaroi se për qeverinë shqiptare çështja Beleri është… inekzistente.
E shihni, ky kusht i vendosur nga Bashkimi Europian (me propozim të qeverisë greke) që rruga e anëtarësimit të Shqipërisë të kalojë përmes të drejtave të minoritetit grek, e detyroi Edi Ramën “të vështirë” të ndryshojë kurs. Epo, tani që po flasim, ai nuk mund të bënte ndryshe. Vizioni i shqiptarëve për anëtarësim në BE shkon, në pjesën më të madhe, përmes diasporës. Madje, ky takim, siç raportojnë vëzhguesit politikë në Athinë, është një shfajësim i kryeministrit Kyriakos Mitsotakis dhe atyre që këmbëngulën në rëndësinë e kandidaturës së Fredi Beleris në fletën europiane të Demokracisë së Re.”– thuhet në artikullin e medias greke.
Beleri u arrestua më 12 maj 2023, dy ditë para zgjedhjeve, me dyshimet e korrupsionit zgjedhor, teksa u bë kandidati i parë në zgjedhjet lokale që fiton zgjedhjet nga qelia, teksa garonte për Bashkinë e Himarës nën siglën e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”.
Por pavarësisht se u njoh mandati i tij si kryebashkiak, Beleri nuk arriti të merrte zyrtarisht detyrën pasi nuk u lejua të betohej para Këshillit Bashkiak. Arrestimi i Fredi Belerit shkaktoi tensione të ashpra mes Athinës dhe Tiranës, ku Greqia e ka konsideruar si një arrestim politik, po ashtu edhe si opozita në vendin tonë.
Më pas, ai u dënua me 2 vite burgim si nga Gjjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, ashtu edhe nga Apeli i Posaçëm. Gjatë kohës që ishte në burg, Fredi Beleri u zgjodh deputet i Parlamentitn Europian nga partia “Demokracia e Re” e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Ai arriti të merrte 237 mijë vota, eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen.