PO, FAJIN PËR VARFËRINË E NJË VENDI E KA POLITIKA, ashtu si meritën për pasurimin e tij e ka po politika. Janë vullnetet politike, objektivat, vizioni, zgjuarsia etj., tipare të grupit të individëve të bashkuar kolektivisht në institucionet politike të vendit që kanë si rezultat pasurimin apo varfërimin e tij.
Më 14 tetor 2024, tre ekonomistët, e pagëzuar në media si “studiuesit e pabarazisë”, Daron Acemoglu (Daron Axhemollu), Simon Johnson (Sajmën Xhonson) dhe James Robinson (Xhejms Robinson) u shpallën fituesit e çmimit të njohur në gjuhë “popullore” si Çmimi në Nder të Nobelit në Shkencat Ekonomike (zyrtarisht njihet si çmimi i bankës qendrore të Suedisë për shkencat ekonomike, i cili jepet në nderim të Alfred Nobelit).
Çmimi në vetvete, përveç konfirmimit të vlerësimit për punën dhe arritjet në secilën nga fushat ku jepet: kimi, letërsi, paqe, fizikë, fiziologji / mjekësi, përfshi edhe çmimin e dhënë për fushën e ekonomisë, përmban edhe mesazhe të forta.
Jo rastësisht Çmimi Nobel për Paqe për 2024 iu dha lëvizjes japoneze të të mbijetuarve të bombardimeve bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.
Në ditët e sotme, kur është shpeshtuar retorika e kërcënimeve me shpërthime bërthamore në të paktën dy konflikte të mëdha: Ukrainë dhe Lindje të Mesme, çmimi për Paqen shkon pikërisht për atë grup njerëzish që janë përpjekur të dëshmojnë se përse armë të tilla nuk duhet të përdoren kurrë më.