Karma është një ‘Romana Vllahutin’! Drejtësia është gjë tjetër!

0
97

Nga Gent Strazimiri
21 tetori ishte një ditë që filloi si çdo ditë tjetër!

Si çdo ditë, u zgjuam dhe, përpara se të pimë kafen e mëngjesit, i paguam me përpikmëri Erion Veliajt dhe “5D-së”, 80 mijë eurot ditore të inceneratorit të Tiranës, i cili nuk ekziston!

Pastaj i paguam Yuri Kimit dhe Belinda Ballukut, 90 mijë dollarët e përditshëm të anijeve gjenerator bangladeshase, të ankoruara në portin e Vlorës, e që gjithashtu nuk prodhojnë asgjë.

Pastaj, dëgjuam si çdo ditë, Edi Ramën që fliste për rritjen e mirëqenies pa rritur as pagat, as pensionet dhe, Erion Veliajn që inauguronte një gjë çfarëdo që, ose nuk ekziston, ose është inauguruar më parë po nga ai…

Kjo punë, si çdo ditë, deri në drekë… deri në orën 14.05…

Në orën 14.05, mediat transmetuan lajmin dhe pamjet përkatëse, ku njerëz me maska dhe jelekë ku shkruhej “Policia”, goditën dhe morën zvarrë, nga makina zyrtare, në rrugë, Ilir Metën, ish-kryeministër, ish – Kryetar Parlamenti, ish – President i Republikës, person që, me ligj, është nën ruajtje 24 orë në ditë nga Garda e Republikës derisa të ketë jetë…

Ishte tronditëse!

Tronditëse, jo thjesht për faktin se si u realizua marrja me forcë e Ilir Metës, i cili mirë ose keq, është i vetmi personalitet politik që ka shërbyer në të tri ofiqet institucionale të shtetit në këto 34 vjet demokraci!

JO!

As për brutalitetin ekstrem e tç panevojshëm të arrestimit, krahasuar e me arrestimin e të shumëkërkuarit baron të drogës, “Escobari i Ballkanit”, që u shoqërua personalisht nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu me makinën e tij luksoze deri në burg…

JO!

Tronditës ishte fakti se pikërisht në orën 14.05, njëkohësisht me pamjet e keqtrajtimit të Ilir Metës, agjencitë e lajmeve publikuan reagimin e Romana Vllahutin, një hiçgjë, që nëse e google-on, çdo lajm në mediat kroate e cilëson me fjalë dhe rrethana të cilat unë nuk i riprodhoj dot në këtë shkrim, në respekt të opinionit publik…

Hiçgjëja në fjalë, madje, kishte reaguar 7 minuta më parë se mediat shqiptare të publikonin skandalin e tërheqjes zvarrë të ish-Presidentit, ish-Kryeparlamentarit, ish-Kryeministrit të vendit, pavarësisht se si quhet ai…

Mu kujtua koha kur kjo hiçgjëja, lëvdonte partneritetin me Ilir Metën dhe vizionin e tij për reformën në drejtësi, që do të na pillte këtë SPAK-un, me këtë BKH-në, domethënë këta rrugeçërit që japin show duke tërhequr zvarrë në mënyrë të panevojëshme, një personalitet të jetës politike të këtij vendi, cilido qoftë ai.

“Karma”, mendova dhe, në moment më erdhi zor nga vetja…

Është e vërtetë që në atë kohë kam qenë mbase ndër deputetët më të ashpër ndaj Ilir Metës dhe “puç-puçeve” të tij me këtë hiçgjënë e pakrehur, që sot kërkon kreditet e autorësisë së kësaj që po ndodh, madje 7 minuta më herët se sa të publikohej skandali…

Është po ashtu e vërtetë që vetë Ilir Metës i kam thënë publikisht, në foltore të Kuvendit, se ajo që quante “reformë në drejtësi”, ishte dhënia në duar të “hiçgjërave” si puna e kësaj, e aparatit represiv të shtetit dhe, se ai vetë nuk ishte i imunizuar nga ky rrezik padrejtësie të motivuar politikisht, megjithëse po e predikonte me hir a me pahir…

Është e vërtetë se kam qenë i bindur se “karma” është aty për të gjithë, për të vënë drejtësi…

Por siç thotë pak a shumë shprehja e njohur: karma është… “Romana Vllahutin”…

Dhe pikërisht për këtë arsye, kjo nuk është drejtësi, edhe nëse viktima e “karmës” është vetë Ilir Meta!

Mbaje mend këtë edhe ti që gëzon sot, e t’u duk se kjo që pe është e drejtë, është drejtësi, vetëm meqë nuk të pëlqen Ilir Meta…

Kaq!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here