Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka dalë këtë të martë, që pa gdhirë, me një deklaratë kundër pjesmarrësve në panelet e emisioneve të një nate më parë, që kanë qenë tejet kritikë me mënyrën brutale se si policia kreu arrestimin e Ilir Metës. Ai i ka etiketuar si përdorues “fjalori ekstrem” dhe “etiketimesh të rënda” kundër policisë, opinionistët që kanë shprehur mendimet e tyre për atë akt barbar. Ai pretendon se ata nuk njihnin rrethanat e assj ngjarjeje. Edhe më parë policia ishte justifikuar se veprimi pati qenë i tillë, pasi ish presidenti e kishte kundërshtuar urdhërin e shoqërimit dhe nuk i ishte bindur të panjohurve që i ishin shfaqur me makina private dhe me maska ne fytyrë. “Shtetasi I.M. ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë. Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht” thuhej në dekraratën justifikuese të së hënës në mbrëmje ku vazhdohej: “Policia e Shtetit nënvizon se përdorimi i forcës për shoqërimin e subjektit u imponua nga kundërshtimi me forcë prej tij për zbatimin e vendimit të gjykatës që iu komunikua nga punonjësit e Policisë”.
Duke qenë se me anë të një komunikate edhe vetë SPAK-u u distancua nga ato skena të denja për një regjim fashist gjendja në të gjitha studiot televizive u bë e padurueshme për qeverinë. Edhe analistët që njihen si mbrojtësit e saj më të flaktë, në përpjekje për ti’u shmangur komentimit të thelbit, si një burgim politik, bënë të pavarurin duke dënuar formën e prangosjes.
Gati në kor, në të gjitha emisionet e të hënës në mbrëmje, kritikë të Ramës dhe mbështetës të tij, si rrallë herë u bënë bashkë për ta denoncuar atë turp.
Dhe këtu u fut në lojë Ervin Hoxha për të kundërshtuar, me urdhër nga lart opinionistët e një nate më parë. “Ata kishin mbrëmë, përtej pozicionimeve të njohura, edhe avantazhin e spektatorit në dhënien e gjykimeve, jashtë dinamikës dhe tensionit të ngjarjes.
Por e ndjej për detyrë të shprehem në emër të atyre efektivëve, të cilët nuk e meritojnë trajtimin tejet tendencioz, që iu bë operacionit të tyre”. shkroi ai. Edhe ministri përdori të njëjtin argument si policët e tij: “Ata (policët) fatkeqësisht u përballën me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të. Kjo është zanafilla e ngjarjes dhe nga këtu fillon arsyetimi sipas protokollit, që Policia e Shtetit ndjek në ekzekutimin e një vendimi ndalimi. Me këtë fakt lidhet edhe e gjithë shija, sigurisht jo e mirë e skenës që u krijua” shtoi ai.
Por në tekstin që me siguri edhe vetë ministri rishtar e ka lexuar kur është botuar, ai tregon se e ka memorien të shkurtër. Në studiot e mbrëmshme u komentuan makinat që bllokuan rrugën, policët me maska, sikur po arrestonin një terrorrist. Pra skena qe përgatitur e tillë para se Meta “të kundërshtonte”. Pastaj ato pamje u krahasuan me prangosjen e Eskobarit të Ballkanit, Klemend Balilit, të cilin e shoqëroi vetë drejtori i policisë Ardi Veliu, për ti siguruar një dorëzim me dinjitet.
Vetëm kaq mjafton për të kuptuar se çfarë trajtimi të dhuron policia që duam kur je trafikant dhe çfarë sjelljeje ushtron kur je kundërshtar i Edi Ramës. Por për këto, mendja prej polici të edukuar në Turqi e Ervin Hoxhës, nuk ka kapacitet të gjykojë. Ai mjaftohet të nënshkruajë atë që i kanë servirur.
Natyrisht kushdo e kupton se cili është autori vetëm duke lexuar këto fraza: “me keqardhje të sinqertë për pamundësinë e shmangies së shoqërimit të tij me forcë, jam po ashtu i keqardhur, që nuk bie dot dakord me optikën e akuzatorëve të mbrëmshëm të Policisë së Shtetit. Me fjalorin e tyre ekstrem ndaj efektivëve të saj, jo dhe jo. Kurrën e kurrës”.
Gjithkush që e ka dëgjuar në daljet e fundit televizive, ku ka rezultuar se ai nuk ka fjalor më të zgjeruar se sa 200 fjalë, e kupton se kjo strukturë e mësipërme fjalie, nuk mund të formulohej nga ministri i policisë. Ai ka nënshkruar një tekst që i’a kanë servirur, ndoshta dhe i bindur se merr vesh nga mediat, për faktin se është lobuar në atë post nga oliharkë që disponojnë të tilla.
Ai thjeshtë është përdorur njësoj si çupëlinat ministre që ka homologe. Me ndryshimin e vëtëm se është një kukull burrë, që këtë herë duhej të mbulonte urdhëruesin e verbër të një arrestimi tipik fashist.
©Lapsi.al