Rama në Sky-encro chat nuk mbulohet me Metë

Nga Basir Çollaku

Një tender 4 milionë euro për rikonstruksionin e SPAK, bërë nga Ministria e Brendshme, është kallëzuar po nga zyrtarë të kësaj ministrie, për akuzën e korrupsionit.Më tej, shuma u trash në afro nëntë milionë për shërbime infrastrukturore. Andej nga Struktura e Posaçme, topitja rreth kësaj dosje është disi sekëlldi vluese, sepse hetimi duhet të nisë nga brenda godinës.Shejtani, me sa duket është në djep. Dihet se gjysmë të vërtetat masakrojnë gjithmonë të vërtetën.

Trazirat politike të drejtësisë, janë shartuar me fatet zgjedhore të parlamentarëve të vitit të ardhshëm.

Edi Rama është gjithnjë e më shumë lakrrethuar, ndaj ushtron trysni ekstreme. Kjo, për të larguar ngjarjet nga vetvetja. Për këtë përdor këdo.

Arrestimi i kreut të Partisë së Lirisë, me një dhunë policore ekstreme, ishte poshtëruese.

Institucioni i presidentit, ish-presidentit, kryeministrit, ish-kryeministrit, trajtohen si institucion, jo individ.

Çdo lloj reagimi leksikor i ish-presidentit, nuk justifikon sjelljen luftarake policore.

E shoqëruar më pas, me atë pjesë akuze e argumentash të Prokurorisë, shtohej bindja se, sforcimi kishte porosi partiake brenda veprimit. Më tepër kishte marrëdhënie kompanish private, jo histori buxheti e parash publike.

Përmendja e emrit të biznesmenit Samir Mane, me pretendimin e dhënies së shpërblimit të përkohëshëm, është një tjetër ushqim i trukuar se, sipërmarrësit e mëdhenj janë në hetim.

SPAK po sillet si Pol Politik më vete me dosjet e politikanëve, duke qenë ndikues në zgjedhjet e 2025, duke dhënë idenë e korrupsionit të përkohshëm, apo një prokurori me sjellje pak shtatzënë.

Rama kërkon asgjësim të opozitës, për të shpëtuar veten nga ndëshkimi, për të mbajtur kriminalisht pushtetin. Për vartësit, ai nuk e ka kokërr meraku. Veçon vetëm vëlla “Olsi Xibrakën”, sepse ajo çështje e tërheq edhe atë me litar drejt qelisë.

Përse i duhej Ramës dje në atë formë urrejtjeje një “Metë” në pranga?!

Reklamat e hapjes së kapitujve të parë të negociatave, nuk shkrepën, kur gjermanë e francezë e cilësuan sërish kreun e një vendi narkoregjim.

Në pritje të llogaridhënies, kërkon trofe drejtësie me porosi, të shesë rezultatet e shkruara në zyrën e tij.

Në pak orë situata i rrëshkiti disi nga duart. Arrestimi i deputetit socialist, Jurgis Çyrbja do të hapte vatër të madhe pusete kriminale. Aty, Rama mund të jetë një nga të pandehurit, ndaj ndërhyri me një regji harmonike me prokurorinë për nga mënyra e mandat-lënies dhe marrjes të pandehur për një vepër të akuzuar tetë vjet më parë nga opozita.

Urdhëroi largimin nga deputet në person të zakonshëm pa imunitet, sepse arsyet reale të prangosjes së të zgjedhurit të Durrësit, ishin bëmat e dosjes së madhe të Sky-Encro chat, ardhur prej më tepër se një viti nga Franca.

Duhej larguar vëmendja nga çështja e dosjeve të përgjimeve, dhe Meta ishte gjahu ideal për të ushqyer mediet dhe opinionin publik, por duke i dhënë një tjetër goditje opozitës.

Përgjimet e frikës “184”, “339”, janë thërrime krahasuar me dosjet aktuale. Në përgjimet e dosjes së Jurgis Çyrbes, një nga episodet është detyrim shpjegues për Edi Ramën para prokurorëve. Kemi tregues se, bisedat në telefonat e kriptuar përfshijnë kryeministrin jo pak herë.

Dy grupe me rekorde të shumta penale, në botën e krimeve të rënda, garojnë për renditjen e të zgjedhurve të tyre në listën e deputetëve të Durrësit. Investimet edhe me pagesë, bëjnë rrokadën mes numrave tre dhe pesë. Përmenden emra bashkiakësh e deputetësh jo pak.

Dakordësia e forcës së nëntokës shkon lart e shkruar. Rama e firmos. Hapja e mbi 40 dosjeve të deritanishme të ardhura nga Franca-Holanda-Belgjika, do të nxirrnin angazhimet e bandave në çdo qark dhe renditjen e kërkuar të deputetëve nga krahu i armatosur e moskundërshtuar nga Edi Rama.

Vangjush Dako, ka dijeni për këtë histori? Del emri i tij në këtë mesazh të përcjellë për Ramën? Po Blendi Klosi, i dërguari politik për qarkun Durrës? Në qindra mijë faqe përgjime ka numër rekord pazaresh, leje punësh e trafiqesh, ndryshime biznesesh, larje hesapesh dhe parash.

Sa më shumë përgjime të zbardhen, aq më teper bërtet Astma në Kryeministri, ku pulsonin mbi 70 pajisje. A ka pasur Edi Rama telefona në përdorim me aplikacionet e kriptuar Sky-Encro-Matrix? Ai nuk ka thënë deri tani asnjëherë, “jo”?!!!

Prandaj nuk mbulohet kjo përmbytje e përgjuar e sekuestruar me Metë. Kusuret shkojnë gjithnjë për kokë.

Share it :