Anëtari i Kryesisë në PD Grigels Muçollari deklaroi sot se mbetjet e rrezikshme po kthehen në Portin e Durrësit.Muçollari tha se qeveria nuk ka bërë publike asnjë hap të ndërmarrë në këtë drejtim dhe se anijet do të jenë të ankoruara në Durrës, aty ku u ngarkuan me 102 kontejnerë, për të cilat Rrjeti i Bazelit lëshoi alarmin se janë lëndë të rrezikshme.
Sipas tij, shqiptarët duhet të mësojnë se ku burojnë këto lëndë të rrezikshme, sa janë ato, nga vijnë, si trajtohen, dhe ku përfundojnë.
DEKLARATË PËR MEDIA ANËTARI I KRYESISË NË PD, GRIGELS MUÇOLLARI
Me gjithë kërkesat e përsëritura nga publiku, nga Rrjeti i Bazelit, nga Opozita, për marrjen e masave për të siguruar transparencë të plotë në testimin e mbetjeve të dyshimta që po kthehen në Durrës, qeveria nuk ka bërë publike asnjë hap të ndërmarrë në këtë drejtim.
Anijet kthehen të dielën më 27 tetor. Ato do të jenë të ankoruara në Durrës, aty ku u ngarkuan me 102 kontejnerë, për të cilat Rrjeti i Bazelit lëshoi alarmin se janë lëndë të rrezikshme.
Kjo organizatë, më e specializuara për lëndët toksike, ka dyshime se qeveria mund të manipulojë me testimin, dhe në dy letra radhazi i ka kërkuar qeverisë të garantojë një proces transparent dhe në sytë e publikut.
Rrjeti i Bazelit ka kërkuar praninë e ekspertëve e të organizmave ndërkombëtarë, duke përfshirë dhe OLAF, zyrën e Bashkimit Europian që heton mashtrimet dhe korrupsionin.
Pra, ky institucion beson se nëse i lihet qeverisë në dorë, nuk do të merret vesh e vërteta e ngarkesave me mbetje të dyshuara si toksike.
Partia Demokratike e di mirë se Edi Rama do të bëjë gjithçka për të larguar përgjegjësinë e tij në këtë trafik ilegal ndërkombëtar, dhe do të bëjë gjithçka për të manipuluar të vërtetën.
Po ne nuk duhet ta lejojmë këtë skenar. Shqiptarët duhet të mësojnë se ku burojnë këto lëndë të rrezikshme, sa janë ato, nga vijnë, si trajtohen, dhe ku përfundojnë.
Shqiptarët kanë të drejtë ta dinë këtë informacion bazik për jetën, për shëndetin, për mjedisin.
Te dielën, date 27 tetor ora 11:00, ne hyrje te Portit te Durresit (ura e Dajlanit)
Ftojmë qytetarët, banorët e Durrësit të Tiranës dhe kudo, familjarë, të rinj e të reja, mediat, organizatat e shoqërisë civile, ekspertët, organizmat ndërkombëtare që të jenë prezent, të garantojmë kështu një proces transparent, të marrim vesh të vërtetën e mbetjeve të rrezikshme.
Të jemi aty për të ndaluar planin që ka qeveria për ta fshehur këtë krim.
Të dielën në Durrës ora 11: 00, e në vijim, mbërritja e ngarkesave duhet të shndërrohet në një moment të transparencës.
Askush nuk mund të vërë në rrezik jetën, shëndetin dhe mjedisin tonë.