Heshtje dhe deklarata manipulative për fatin e 800 ton mbetjeve të rrezikshme

Qeveria shqiptare po bën gjithçka mundet për ta minimizuar skandalin e 800 tonelatave mbetje të prodhuara nga kompania Kurum, një pjesë e të cilave vjen në Durrës të hënën në mëngjes. Edhe pse tashmë lënda kimike ka marrë lejen për të hyrë në territorin shqiptar, nuk dihet nëse anija Moliva që i transporton do t’i shkarkojë thasët me pluhur zinku në port dhe do të largohet, apo do të qëndrojë në pritje të analizimit të tyre.
Pavarësisht ndjeshmërisë që provokoi në opinion lajmi se 800 ton mbetje kimike rikthehen në Shqipëri, ende nuk ka një autoritet përgjegjës për mënyrën se si do të trajtohen ato. Nuk dihet se cili do të jetë institucioni që do të analizojë lëndën që sjellin anijet në Durrës dhe ç’është më e rëndësishme; nuk dihet cili do të jetë fati përfundimtar i kësaj sasie gjigande materialesh, që u refuzuan nga Tajlanda gjatë muajit korrik.
Javën e kaluar, agjencia e lajmeve AFP raportoi se ministria e mjedisit kishte refuzuar të japë sqarime për mënyrën se si do të procedohet me mbetjet që vijnë në Durrës, ndërkohë që prej javësh qeveria e ka kaluar në heshtje çështjen.
Ndërsa qeveria krijon amulli, një zë më i qartë në këtë histori ka qenë organizata “Rrjeti i Ndërveprimit të Bazelit”, që dha e para alarmin në median amerikane Bloomberg. Drejtuesi i kësaj organizate Jim Puckett, në një letër drejtuar ministrisë shqiptare të turizmit dhe mjedisit ka kërkuar procedura transparente të analizimit të lëndës që vjen në Durrës.
Organizata mjedisore kërkon të jetë pjesë e ekipit që do të merret me analizimin e mbetjeve për të marrë një mostër të lëndës kimike, në mënyrë që të bëjë analizat e saj në një laborator të pavarur.
Deri tani qeveria shqiptare nuk ka pranuar të bashkëpunojë.
“Ne kemi frikë se dështimi për të zbatuar një plan të mirë-ekzekutuar për marrjen dhe vlerësimin e mostrave të mbetjeve të dyshuara do të çojë në përhapjen e teorive konspirative dhe mungesë transparence”, thuhet në letrën që Puckett i dërgoi ministrisë së mjedisit.
Tentativa për të fituar kohë me deklarata evazive
Në fjalimin që mbajti në parlament gjatë muajit shtator, kryeministri Edi Rama nuk sqaroi dot nëse lëndët që dolën nga Durrësi ishin të rrezikshme apo jo. Rama nuk dha një përgjigje se si do të procedohet më tej me sasinë gjigande të materialeve që rikthehen në Durrës, por u mjaftua për të hequr përgjegjësinë e skandalit nga qeveria e tij.
“A është kryer eksport i mbetjeve të rrezikshme? Sipas të dhënave të bëra me dije publikisht, në çdo deklaratë, e në çdo dokument të paraqitur nga subjektet private, si pjesë e procedurave të eksportit, është shumë e qartë se eksporti i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme” u shpreh kryeministri në parlament.
Megjithatë, gjatë muajit gusht, dy ministret Belinda Balluku dhe Mirela Kumbaro dolën në një reagim të përbashkët. Në kulmin e skandalit për mbetjet toksike, ato lënë të kuptohet se anijet që transportonin mbetjet e Kurum mund të refuzoheshin të hynin në territorin shqiptar.
“Shqipëria nuk mund të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme” u shprehën ato.
Koha tregoi se ky qëndrim ishte sa për të mbajtur nën kontroll imaktin e parë të lajmit. Këtë të dielë, porti i Durrësit konfirmoi se anija me kontenierët do të lejohet të ankorohet në port, bashkë me bombën mjedisore që sjell me vete./Lapsi.al