Sot, arsimi i lartë në vend, po përballet me probleme, që në pamje të parë duket se lidhen me zhvillimet e pafavorshme demografike dhe emigracionin.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në krahasim me vitin 2016, kur është informacioni më i hershëm i publikuar, universitetet kanë “humbur” 24 mijë studentë, ose 17%. Tkurrja më e lartë vërehet në Universitetin Publik, që sot numëron 32 mijë studentë (27%) më pak.
Plakja graduale e popullsisë që ka ulur grupmoshën e re, rënia e lindjeve së bashku me emigrimin e të rinjve, vlerësohen si arsyet kryesore që kanë ndikuar në këtë tendencë. P.sh., grupmosha 15-24 vjeç ka zbritur në 13% të totalit në fund të vitit 2023, nga 17% në 2001.
Emigracioni i të rinjve, përfshi edhe emigrimin e brendshëm, është faktori tjetër, që ka ndikuar, sidomos në rrethe. Në pesë vjet, Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër ka humbur më shumë se gjysmën e studentëve, duke pasur rreth 3.7 mijë të regjistruar në vitin akademik 2022/2023, nga 8.2 mijë në 2016.
Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan kishte 37% më pak studentë në 2022, në raport me pesë vite më parë. Në universitetet “Fan S.Noli” në Korçë dhe “Ismail Qemali” në Vlorë, nga rreth 30% më pak.