Analisti Enton Abilekaj e cilësoi krim ndaj njerëzve trafikun e kompanisë “Kurum” me mbetjet e dyshuara si toksike. Por ai tha në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN Tv, se pasi shpërtheu skandali kompania shpërndau reklamë urgjente te mediat dhe ato mbyllën gojën.
“Mediat kryesore të vendit, nuk po flas për mediat kombëtare, kanë përballë një skandal, dhe ai që ka bërë skandalin, që është një krim ndaj njerëzve, shpërndajnë reklamë urgjente te mediat dhe ato mbyllin gojën, por shoqëri tregu, jo ekonomi tregu, media tregu. Kjo është e përsëritur në disa variante, është edhe kjo që thoni ju, te bananet. Kapen bananet me drogë, por nuk flet njeri se ai ka bërë reklamën me banane dhe mbaron historia aty pastaj se ku shkon droga, kush u hetua, a është në burg ai shoferi i shkretë nuk dihet se u mbyll çështja.Sot kemi mbetje toksike që dyshohet se kalojnë në të gjithë Shqipërinë derisa shkojnë në Durrës dhe ndoshta edhe importohen për të plotësuar masën për t’u eksportuar jashtë Shqipërisë. Pra një biznes që shkatërron një qytet me ato që nxjerr, me tymrat e papërpunuara dhe me mbetjet toksike ka rrezikuar për një kohë të gjatë se kjo nuk është sot, por është hera e parë që është kapur”- tha Abilekaj.