Gjatë ditë së djeshme, një grup deputetësh të Partisë Demokratike u takuan me një delegacion nga Parlamenti Europian. Në këtë takim ishte edhe Gazment Bardhi që ka bërë një deklaratë bombë duke paralajmëruar një hetim të SPAK, ku është përfshirë edhe një ministër i qeverisë së Ramës. Bardhi specifikon se në faqen 7 të vendimit nr.87 të Gjykatës së Posaçme del se ministri i Ramës ka ndërhyrë në prokurori dhe në polici për të çliruar pasuritë e sekuestruara të një grupi kriminal në Elbasan.
“Kam këtu një tjetër dosje të SPAK, nga e cila rezulton se një deputet dhe ministër në detyrë i Edi Ramës ka ndërhyrë në Prokurori dhe Polici për të çliruar pasuritë e sekuestruara të një grupi kriminal në Elbasan. Mjafton të lexoni 7 faqe të vendimit nr. 87, datë 28 korrik 2024 të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion për ta kuptuar se kjo që po them është e vërteta. Ne do të presim edhe disa ditë që Prokuroria të veprojë, dhe më pas ne kemi për detyrë që publikut dhe miqve tanë ndërkombëtarë t’ua themi të vërtetën, nëse këtë nuk bën prokuroria” u ka thënë Bardhi eurodeputetëve në takim.
Ende është e paqartë se për kë politikan bëhet fjalë, por një burim tha për Lapsi.al se ndërhyrja për bandën e Elbasanit është bërë gjatë kohës kur nisi operacioni OFL në vitin 2020.









