Deputeti Eduard Shalsi, në deklarimet e pasurisë pranë ILDKPI, rezulton se ka shumëfishuar pasurinë personale e familjare.
Për vitin 2023 bashkëshortja ka deklaruar blerje pasurie të paluajtshme me vlerë rreth 300 mijë euro me burim financimi të ardhurat nga biznesi privat …
Nëse bëjmë një verifikim të biznesit në fjalë, rezulton se zonja është pronare e një biznesi të formës “person fizik” të rregjistruar në v.2016 me objekt: “Arkitekte, auditim i energjisë në ndërtesa”..
Pasqyrat financiare të mbyllura në 31.12.2021, janë në shkelje të ligjit Nr 9920 datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Neni 5 pika 1/dh.
Në Pasqyrat Financiare të deklaruara nuk është zbatuar ky nen, nisur nga fakti se periudha paraardhëse është e mbyllur në 30.04.2021 kurse viti ushtrimor është mbyllur në 31.12.2021.
Në vitin 2021 fitimi i vitit është 8.264.027 lekë për periudhën 01 Janar 2021 deri në 30.04.2021 + 2.987.708 lekë për periudhën 01 maj 2021 deri në 31.12.2021.
Kurse vendimi i asamblesë është vetëm për shumën 2.987.708 lekë
Pasqyrat financiare të vitit 2021 nuk kanë të përcaktuar hartuesin e tyre në bazë të Ligjit 25/2018 datë 10.05.2018 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare” në nenin 3 pika 18.
Pasqyrat financiare të vitit 2022 dhe 2023 nuk kanë as hartuesin dhe nuk janë as të firmosura e të vulosura nga Personi fizik përgjegjës
Në pasqyrën e ndryshimeve në Kapital për vitet 2022 dhe 2023 nuk ka tërheqje dividend.
Në Pasqyrën e Fluksit Monetar për vitet 2021- 2022- 2023 nuk ka tërheqje nga ortaku.
Në Pasqyrën e të Ardhurave dhe Shpenzimeve të vitit 2021 në formatin excel të dhënat për vitin paraardhës janë ZERO, pra sipas këtyre pasqyrave në vitin 2020 subjekti nuk ka ushtruar aktivitet. Ky raportim nuk përputhet me të njëjtën pasqyrë në formatin PDF, e njëjta situatë është edhe me Pasqyrën e Pozicionit Financiar.
Subjekti jo vetëm që nuk ka tërhequr mjete monetare nga aktiviteti tregtar, por e ka ndihmuar biznesin me 35.740.000 lekë, nisur nga fakti që në Pasqyrën e Ndryshimeve në Kapital për vitin 2023 në seksionin II pika 3 ka emetim kapitali, që do të thotë sipas kuptimit të fjalës “emetim”, Personi Fizik ka futur në qarkullim për interes të aktivitetit tregtar 35.740.000 lekë.
Dhe mbërrijmë tek pyetja : Me çfarë parash kreu znj.Shalsi pagesën 300 mijë euro të pasurive të paluajtshme kur nga aktiviteti tregtar me të dhëna të dyshimta, jo që nuk ka tërhequr para për këto blerje, por e ka ndihmuar biznesin me rreth 357 mijë euro …
Nga ana tjetër, kujtojmë z.Shalsi, se nenet 28 dhe 35/2 të ligjit nr.9367, datë 7 Prill 2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar, citojnë si antiligjore të ardhurat e krijuara nga ushtrimin i biznesit privat me anë të të cilit deklarohet rritja e pasurisë me të paktën 300 mijë euro.
E ndërsa, shton numrin e pasurive, apartamentet dhe vlerat në llogaritë bankare, propozuesi i komisionit për marrjen në kontroll qeveritar, të veprimtarisë së SPAK dhe Gjykatës së Posaçme, e ka një hall, personal e partiak…
Partia Demokratike kërkon nga organet e zbatimit të ligjit të hetojnë pasurinë e deputetit Shalsi si dhe ndikimin e tij për përfitimin e parave publike nëpërmjet bashkëshortes së licencuar për eficencën e energjisë dhe konsulencës së saj në investimet shtetërore të implementuara nëpërmjet procedurave në institucionet shtetërore.
Ndërsa KM Rama u predikon besimtarëve shqiptarë se nuk do të ketë xhehnet apo parajsë për të gjithë ata që kryejnë informalitet me bizneset e tyre, bën mire, që këto parime, të fillojë vetë ti zbatojë i pari, së bashku me Rama shokët e tij të qeverisë….