Çështja për inceneratorin e Elbasanit që nuk funksionon, një investim 24 milionë euro, ka përfunduar në gjykatë dhe quhet ndoshta e mbyllur.
Çështja për inceneratorin e Fierit vazhdon me procese gjyqësore, ndërkohë që ka ngelur i bllokuar dhe nuk përfundon për një fond 3-4 milionë euro, pajisje të bllokuara në doganë dhe problematika të tjera. Megjithëse te Fieri ka një çudi tjetër, ashtu si tek Elbasani, të cilat e lidhin gjithçka me Tiranën.
Në Elbasan, sipas raporteve, nxirret që është investuar më shumë. Në Fier, gjithashtu, ku ka një skandal që lidhet me çështjen e dherave, pasi flitet për rreth 1 milion e gjysmë euro dhera, të cilat nuk u faturuan, por qëllimi i grupit kriminal të inceneratorëve duket se ishte Tirana.
Pra, duket se gjithçka ishte e paramenduar, por gjithsesi këto u përkasin SPAK-ut dhe hetimeve.
Tashmë jemi përballë pyetjes:
Çfarë po ndodh me inceneratorët?
Hetimet po vazhdojnë, ka dokumente dhe fakte, jo kokëforta, por ulëritëse, deri të pabesueshme. Shumë prej tyre janë bërë publike, të tjera ende, por SPAK-u ka pasur në dorë më shumë sesa mediat, kuptohet duke kopsitur një dosje shumë voluminoze, e cila pritet të dërgojë edhe shumë personazhe të tjerë para drejtësisë.
Por, më shumë sesa ky fakt, i cili kërkon “kokën” e Erion Veliajt nga opinioni publik, nuk mund të ketë ndëshkim në gjyq popullor, në asnjë rast.
SPAK-u duhet ta kopsisë dosjen në atë formë, të saktë, të qartë, të pastër, që askush të mos ketë të drejtë të thotë një fjalë.
Problematika më e madhe me inceneratorët nuk është thjesht dhe vetëm krimi e korrupsioni, se ky u denoncua, po hetohet, do të dalë në gjykim dhe shumicën e gjërave njerëzit e dinë.
Erion Veliaj dhe tentakulat e inceneratorëve në Iran
Problemi është se si tentakulat e Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës, i cili ka refuzuar që të marrë drejtimin e Njësisë së Zbatimit të Projektit për ta monitoruar atë, njeriu i cili nga lidhjet e inceneratorëve shkon deri në Iran.
Media ka publikuar me fakte dhe dokumente se si kompania shtetërore iraniane e energjisë, “Mapna Group”, e lidhur me kompaninë “Franco Tossi” në Itali, lidhi Shqipërinë me Iranin.
Ky është një fakt, e ndërkohë më shumë sesa një korrupsion, çështja e Iranit në “kthetrat” e Erion Veliajt ngre shumë dyshime.
Dikur në raporte të ndryshme thuhej se Veliaj kishte udhëtuar në Iran. Dikush tjetër ka akuzuar të tjera çështje të Veliajt me Iranin, por këto janë lëvizjet e tij personale, që mund të mos kenë asnjë kuadrat politik.
Nga ana tjetër, tentakulat e inceneratorëve janë te një kontratë koncesionare në Tiranë, dhënë nga qeveria me kërkesën e bashkisë, paguar nga paratë e shtetit shqiptar nëpërmjet bashkisë, që duheshin monitoruar nga Bashkia e Tiranës, me një shkresë të Erion Veliajt ka mbledhur Këshillin Bashkiak të kryeqytetit dhe kompania që merr kontratën më pas lidhjet i ka deri në Iran.
Erion Veliaj nuk pranoi ta monitoronte, refuzoi Njësinë e Zbatimit të Projektit, përkundrazi, i dha edhe një kontratë për çështjen e dherave, e cila ka shkuar mbi 60 milionë euro.
Çfarë po bëhet me çështjen e inceneratorëve duhet që më shumë sesa SPAK-u nga hetimet e korrupsionit, aferës, etj., të na tregojë tentakulat që shkojnë në Iran, të cilat janë të lidhura me Veliajn.
Lidhjet me Iranin, alarm për sigurinë kombëtare
Në finale nuk është një çështje thjesht afere dhe korrupsioni, por është një çështje e sigurisë kombëtare dhe këtë nuk e mohon dot më askush.
Kompani shtetërore iraniane lidhen me kompani në Itali dhe vijnë për inceneratorin e Tiranës. Ata janë të lidhur me njerëzit dhe grupin e strukturuar kriminal të inceneratorëve.
Çështjet e sigurisë kombëtare dhe lidhjet me Iranin, në çfarëdolloj forme, direkte apo indirekt, flasin jo pak dhe janë më të rëndësishme se gjithçka tjetër që është diskutuar deri më sot./ CNA/