Këto janë pamjet e emigrantëve të mbërritur në Shëngjin me anijen italiane Libra. Janë vetëm tetë emigrantë që do akomodohen në qendrën e pritjes në Gjadër.
Agjencia Reuters shkruan se Italia solli vetëm tetë emigrantë për të testuar situatën.
Kjo për shkak se grupi i parë i emigrantëve u rikthye në Itali pas një vendimi të një gjykate në Romë.
Reuters raporton se ushtria italiane nuk tha se nga erdhi grupi i ri i azilkërkuesve. Gazetat italiane spekuluan në fundjavë se qeveria mund të përqendrohej te tunizianët, sepse vendi i tyre konsiderohej më i qëndrueshëm se shumë të tjerë.
Grupi i parë i emigrantëve erdhi nga Egjipti dhe Bangladeshi, dy nga 22 vendet që Italia i kishte klasifikuar si të sigurta, që do të thotë se qeveria besonte se ata mund të riatdhesoheshin me shpejtësi.
Gjyqtarët e Romës e vunë në pikëpyetje këtë, duke vënë në dukje një vendim të fundit nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, e cila tha se një vend jashtë BE-së nuk mund të shpallet i sigurt nëse i gjithë territori i tij nuk konsiderohet pa rrezik.
Si rezultat, i gjithë grupi u kthye në Itali në qendra për azilkërkuesit.