Gjatë dy viteve të fundit, të paktën 4 zjarre të mëdha dhe disa të tjerë më të vegjël, kanë përfshirë fushën e mbetjeve të Elbasanit, e cila menaxhohet nga kompania publike “Eco-Elb”, duke pasuar me një tym gjigand toksik që shpërndahet në të gjithë qytetin, e duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e banorëve.
Këtë fundjavë, një zjarr masiv përfshiu landfillin, ndërkohë që kompania e administruar nga Leli Kaja ka dëshmuar paaftësi periodike që të shmangi katastrofën natyrore.
“Boldnews.al” ka evidentuar të paktën 4 raste, kur flakët e zjarrit kanë përfshirë grumbujt masiv të mbeturinave, të cilët, në mungesë të inceneratorit, digjen në natyrë.
Në mars të vitit 2024, kompania “Eco-Elb” ngriti duart përpjetë, pasi një zjarr i përmasave gjigande përfshiu fushën e mbetjeve. E njëjta situatë u përsërit edhe në gushtin e kaluar. Flakët dhe tymi toksik u shpërndnë në zona të ndryshme të Elbasanit edhe në maj të viti 2024.
Në të gjithë rastet, “Eco-Elb” dhe autoritetet e tjera përgjegjëse për mbrojtjen mjedisore, nxituan të gjenin shkaqet banale, si djegia e ndonjë baterie apo zjarr aksidental, duke shmangur përgjegjësinë e vërtetë-atë të mungesës së menaxhimit real të mbeturina në landfill dhe mos-funksionimin e inceneratorit.
Dhe, thuajse në të gjitha rastet, zjarret janë shuar për shkak të reshjeve të shiut, pasi edhe forcat zjarrëfikëse e kanë pasur gati të pamundur të ndërhyjnë mes flakëve masive e tymit toksik.
Elbasani dhe plehrat, një histori korruptive
Në Dhjetor të vitit 2014, qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit të drejtuar në atë kohë nga Lefter Koka, nënshkruan kontratën koncesionare me kompaninë “Albtek Energy” për ndërtimin dhe operimin e landfillit dhe inceneratorit të Elbasanit. Kostoja koncesionare për këtë projekt ishte rreth 22 milionë euro.
Një hetim i nisur në vitin 2020 nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) zbuloi se i gjithë projekti, që në hartimin e dokumentave e deri në zbatimin e tij, ishte ndërtuar mbi bazën e shpërdorimit të detyrës, mashtrimit, korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Ky hetim u përmbyll në fund të kësaj jave në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, me dënimin e Kokës, ish-sekretarit të tij të përgjithshëm, Alqi Bllako dhe disa anëtarë të komisionit të koncesionit. Hetimi nuk shkoi më lart, në qeveri, pavarësisht fakteve të publikuara gjerësisht.
Duke u kthyer tek zbatimi i kontratës koncesionare, rezulton se shoqëria “Albtek Energy”, e drejtuar nga Stela Gugallja, u vendos nën sekuestro në dhjetor 2021, në vijim të hetimit të nisur nga SPAK-u.
Sekuestrimi ndodhi saktësisht në kohën kur shoqëria “Albtek Energy” duhet të dorëzonte landfillin, përfshirë edhe impiantin e incenerimit të mbetjeve urbane.
Për shkak të zhvillimeve në SPAK, fillimisht landfilli dhe pjesët e tij përbërëse u vendosën nën administrim shtetëror.
Më tej, po në dhjetor 2021, bashkitë përbërëse të Qarkut të Elbasanit, krijuan shoqërinë “Eco-Elb”.
Kompania ka për objekt “Grumbullimi, rehabilitimi dhe përpunimi i mbetjeve të ndryshme, organike, të ngurta, të gjelbërta,..etj, në territorin adminitrativ të të gjithë bashkive të Qarkut Elbasan. Trajtimi i mbetjeve me diegie (incenerator)…”.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) aksioneri kryesor i “Eco-Elb” është bashkia e Elbasanit, me 52 përqind dhe me nga 8 përqind janë bashkitë e Librazhit, Prrenjasit, Gramshit, Belshit, Peqinit dhe Cërrikut.
Megjithëse autoritetet shtetërore e morën në dorëzim landfillin dhe impiantin e përpunimit të mbetjeve, ky i fundit nuk punon thuajse fare, për shkak të problematikave të theksuara teknike të vërejtura që në momentin e instalimit dhe që ende nuk janë riparuar.
Inceneratori, vetëm pak ditë punë
“Boldnews.al” raportoi më herët se, në dhjetor 2023, kompania Eco-Elb deklaroi në një përgjigje me shkrim për këshilltarët bashkiakë të opozitës se impianti kishte punuar me ditë dhe nuk kishte prodhuar energji elektrike gjatë vitit 2023.
“Impianti gjatë vitit 2022 ka punuar rreth 24 ditë, ndërsa për vitin 2023 ndezja e impiantit u realizua në muajin prill dhe vazhdon funksionimi i tij. Gjatë kësaj kohe, (prill-shtator 2023) janë shfaqur defekte, të cilat kanë çuar deri në fikje të detyruar të impiantit,” thuhet në përgjigjen e administratorit Leli Kaja.
“Në Elbasan hoqëm pirgun e plehrave dhe i dhamë Elbasanit mundësinë që mbetjet t’i mbledhë dhe përpunojë në një impiant ultra modern”-tha Rama dy vite më parë, pikërisht në kulmin e skandalit të aferës shekullore të inceneratorëve.
E vërteta është krejt ndryshe dhe Kaja, pas disa kërkesave të vazhdueshme të anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Elbasanit, u detyrua të paraqiste një raport mbi “funksionimin e Inceneratorit”, duke pranuar se ka punuar në kohë të shkurtër.
“….Në këto rrethana, sasia e mbetjeve që nuk trajtohet depozitohet në landfill. Kapaciteti i landfillit është tejkaluar, pa llogaritur këtu sasinë e mbetjeve ekzistuese në landfill, para nënshkrimit të kontratës së qirasë, midis shoqërisë sonë me Agjencinë e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK),” thuhet në përgjigje.
Përveç tejmbushjes së landfillit me mbetje urbanë që nuk incenerohen, paradoksalisht qytetarët e Elbasanit paguajnë 2500 lekë të reja për ton mbetje për t’u përpunuar dhe “ineceneruar”.
Duke filluar nga Dhjetori 2021, të gjithë bashkitë e qarkut Elbasan kanë nisur të paguajnë tarifën për depozitimin dhe “incenerimin” e mbetjeve urbane për llogari të kompanisë “Eco-Elb”, e administruar nga Leli Kaja.
Të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë se, deri në Tetor të këtij viti, 7 bashkitë kanë paguar një total prej rreth 350 milionë lekë të reja (3.5 miliardë lekë të vjetra), për një shërbim gjysmak.
Nga Bold News