Mos prisni nga Administrata Amerikane, kur nuk dënoni, politikat anti-kombëtare Rama-Vuçiç

0
104

Nga Agim Nesho

Zgjedhja e Presidentit Trump në SHBA u prit me entuziazëm nga shumica e shqiptarëve të Shqipërisë dhe me ankth nga mbështetësit e regjimit të Ramës. Dhe kjo për arsye se kishin filluar festat për zonjën Harris dhe mbështetësin e saj kryesor A. Soros, i cili është pjesë e pandashme e Autokratit Rama dhe mbështetësi dhe garantuesi i tij në Uashington. Por ky entuziazëm që shprehej nga qytetarët e Shqipërisë për krijimin e kushteve për rikthimin e demokracisë në Shqipëri, u prit relativisht me shqetësim nga bashkëkombasit tanë në tokën tonë të shenjtë Dardane. Paragjykimi kishte hedhur hije nga gëzimi i nacionalistëve serbë dhe projektet financiare në Beograd si dhe nga disa kontradita që ishin shfaqur gjatë qeverisë Kurti 1 me zyrtarë të Administratës Trump.
Për të parë në mënyrë me realiste se cfarë pritet për Kosovën nga Administrata e re Trump duhet të shikojmë më thellë se cfarë ka ndodhur gjatë Administratës Biden në marrëdhëniet me Kosovën. 

Së pari, Administrata Biden cështjet e Ballkanit Perëndimor ia delegoi Bashkimit Europian, ku rryma të ndryshme pro-serbe përpiqeshin të normalizonin marrëdhëniet midis dy vendeve brenda kornizës së tolerancës dhe pragmatizmit që “të dy palët duhet të bënin zgjidhje të dhimbshme për të mundësuar njohjen dhe kthyer stabilitetin”. Europianët e tregonin hapur se prioriteti i tyre kryesor ishte mbajtja afër e Serbisë nacionaliste për ta shkëputur atë nga influenca Ruse dhe Kineze dhe ta afronin atë drejt BE-së. Lëshimet e tyre ishin aq të mëdha sa kur Vucic provokonte hapur me veprime terroriste sovranitetin e Kosovës (sulmi serb në Banjskë) dhe duhej të vihej përpara përgjegjësisë ai vazhdonte të pinte i qetë konjak me Makronin në Spanjë. Ambiciet e nacionalistëve serbë për rikthimin e historisë dhe marrjen dicka nga Kosova u ndërthurën me lëshimet për litiumin e baterive elektrike dhe blerjen e aeroplanëve ushtarake nga francezët.
Plani Franko-Gjerman për normalizimin e marrëdhënieve u pranua nga Kurti, por nuk u nënshkrua nga Serbët, të cilët nuk pranonin njohjen por kërkonin me insistim asosiacionin e komunave serbe në Veri. Për Serbinë nacionaliste njohja e të drejtave për “hapësirën serbe” ishin primare. Prandaj nuk njihnin asnjë zgjidhje për Veriun e Kosovës, përvecse zgjidhjen e konfliktit të ngrirë, konfliktit të vetë-shpallur, të vetë-krijuar me strukturat paralele për të marrë një zgjidhje kompromisi në dëm të Kosovës. 

Së dyti, grupet e interesit, si Fondacioni Soros në SHBA, kishin kohë që po punonin për një zgjidhje kompromisi në Ballkan për të zbutur ambiciet nacionaliste të Beogradit duke shtyrë dhe njohur Ballkanin e Hapur si një zgjidhje për të kthyer dominimin serb në rajon. Ky projekt i shpallur në Nish nga Rama-Vucic kishte si qëllim shmangien e Kosovës dhe mosnjohjen e saj, duke u justifikuar se shqiptarët përfaqësoheshin nga regjimi i Tiranës, i cili përfaqësonte interesat e shqiptarëve në rajon.
Duke qenë se Presidenti Biden ishte një përkrahës i flaktë i Kosovës dhe nuk do të lejonte prekje të sovranitetit të saj, grupi i presionit Soros në SHBA u përpoq ta paraqiste atë si një politikë zyrtare duke e institucionalizuar me projektet në Këshillin e Atlantikut dhe përkrahur në Departamentin e Shtetit me një sërë burokratësh që kishin lidhje me ta. Vucic, i cili kishte bindur Ramën dhe nënshtruar atë për të përkrahur këtë projekt, sponsorizoi këtë projekt për tu bërë një linjë zyrtare e politikës amerikane. Mendjelehtësia dhe dëshira për protagonizëm e Ramës dhe presioni i Soros e bënë projektin të gatshëm që mundësisht të kalonte edhe në Kongresin Amerikan si një politikë zyrtare Amerikane. Me anë të këtij projekti përkrahej Serbia për të rikthyer dominimin ekonomik të saj në Ballkan dhe pse jo rikthimi i një Jugosllavie Europiane (EU-goslavia) të re me shqiptarët pjesë të saj. 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here