Nga Ola Mitra
Në prill 2024, një telefonatë shqetësoi familjen e Tanit, që prej disa vitesh ishte vendosur në Londër. Nëna e tij, që jetonte e vetme në Tiranë nuk ishte kthyer në banesë, ndërsa fqinjët ishin shqetësuar për fatin a saj.
E moshuara vuante nga demencia, ndërsa përpjekjet e të birit për ta marrë pranë kishin dështuar, pasi 73-vjeçarja nuk pranonte të linte vendin e saj.
I detyruar për të siguruar përkujdesje të sigurt, për shkak të sëmundjes së nënës, Tani iu drejtua një shtëpie private për të moshuar.
“Çmimi ishte 900 euro në muaj,” kujton ai, duke shtuar se alternativat e tjera ishin të pamundura, pasi mjekët rekomandonin vëzhgim dhe shërbim 24 orë të së moshuarës.
Ky rast nuk është i izoluar. Emigracioni i lartë dhe ndryshimi i strukturës së familjes ka bërë që në të gjithë vendin mijëra të moshuar të jetojnë vetëm dhe të përballen me mungesën e shërbimeve. Ndërsa numri i tyre ka shënuar rritje drastike ndër vite, shërbimet për të cilat ata kanë nevojë thuajse nuk jepen fare.
Në vitet ‘90 mosha mbi 65 vjeç përbënte rreth 3.5% të popullsisë, ndërsa sot ka arritur në 14%.
Referuar Planit Kombëtar të Veprimit mbi Moshimin 2020-2024, që u hartua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si institucioni përgjegjës për politikat e mbrojtjes dhe përfshirjes sociale, në Shqipëri janë rreth 400,000 të moshuar.
“Rreth 60% e tyre jetojnë në zona të izoluara. Të jetuarit vetëm ose në varfëri dhe barriera të ndryshme, si kushtet e veçanta shëndetësore ose infrastruktura e dobët e shërbimeve, pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe efektive të të moshuarve në shoqëri,” pranon ky institucion.
Mplakja i popullsisë shoqërohet edhe me një kërkesë të shtuar për rritje të shërbimeve.
Një studim i ILO-s në vitin 2020, ka gjetur se të paktën 91 mijë persona të moshës 65 vjeç e lart vlerësohet të kenë nevojë për kujdes afatgjatë. Ndërkohë që, sipas projeksioneve të bëra në këtë studim, ky numër pritet të shkojë në 130 mijë në vitin 2030.
Në Shqipëri ekzistojnë gjashtë shtëpi rezidenciale të të moshuarve që financohen nga buxheti i shtetit, përkatësisht në Tiranë, Fier, Gjirokastër, Poliçan, Shkodër dhe Kavajë, dhe dy qendra ditore në Kamëz dhe Tiranë, por me kapacitete të kufizuara për nevojat e kësaj grup-moshe.
Në gjashtë shtëpitë e të moshuarve mund të bujnë maksimumi 332 vetë, ndërsa 2 qendrat ditore mund të marrin shërbim vetëm 85 të moshuar.
Në qendrat rezidenciale publike, çdo i moshuar që pranohet paguan si tarifë për jetesën në azil 40% të pensionit të pleqërisë në muaj, ndërsa 60% ai e përdor për nevojat e tija personale.
Në sistemin privat pagesat për përkujdesje rezidenciale 24 orë në ditë shkojnë deri në 100 mijë lekë në muaj, duke u kthyer në një barrë të rëndë për familjet shqiptare.
Pavarësisht se është hartuar strategjia e moshimit, mbështetja nga buxheti i shtetit është thuajse e papërfillshme për këtë zë shërbimesh.
Referuar buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale shpenzimet për kujdesin e të moshuarve në rang vendi për periudhën 2020-2022, zënë rreth 0.01% të PBB dhe rreth 0.025-0.034% të shpenzimeve publike. Madje fondet në dispozicion kanë shënuar ulje.
Nëse në vitin 2022 shpenzimet publike kapën vlerën e 660 miliardë lekë, buxheti i shtetit akordoi vetëm 169 miliardë për shtëpitë e të moshuarve, 16 milionë lekë më pak se sa viti 2020.
Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në vitin 2023, 590 mijë persona ishin në skemën e pensioneve, ndërsa INSTAT gjeti se 460 mijë persona janë mbi moshën 65 vjeç.
I konsideruar një vend me të ardhura të ulëta, Banka Botërore ka përllogaritur se kufiri i varfërisë në vendin tonë është 6.7 dollarë në ditë për person, ndërsa INSTAT e përllogariti në vitin 2020 këtë vlerë në masën 640 lekë.
Me një pension mesatar prej 15.569 do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e pensionistëve në vendin tonë e prekin këtë prag.
“Kur shoqëria plaket duhet të rinovohen institucionet e përkujdesit social” thotë Gëzim Tushi, sociolog, i cili ka punuar për një kohë të gjatë pranë Shërbimit Social Shtetëror.
Sipas tij, në qendrat rezidenciale publike dhe private, ditore dhe komunitare marrin shërbime rreth 1,500 të moshuar. Nga këto 500 persona janë të bujtur pranë shërbimeve rezidenciale, nga të cilët rreth 340 janë në sistemin publik.
Por këto shifra janë shumë larg nevojës reale që ekziston për këtë shërbim.
Klodian Muço, ekspert i ekonomisë thotë se në vendet e tjera për të financuar azilet private ka dy forma: ose si një e mirë publike e financuar nga shteti ose në sistemin privat që financohet privatisht nga pensionet e tyre familjare. Por skema e dytë duket se është e pamundur në vendin tonë.
Muço shpjegon se pensioni minimal në vendet e BE-së është sa 50% e pagës minimale, ose sa 80% e pagës që ka pasur kur ishte në marrëdhënie pune. Në Shqipëri pensioni minimal është më pak se 25% e pagës minimale.
“Në të tilla kushte është e vështirë që të moshuarit të mund të financojnë një ndërmarrje të tillë. Në këtë situatë Ministria e Mbrojtjes Sociale duhet që në buxhetimet e saj të ketë edhe një buxhet për të rritur kapacitetet e shtëpive të të moshuarve” thotë Muço.
Ministria e Shëndetësisë tha në një përgjigje me shkrim se në kuadër të mekanizmit të fondit social ka financuar ngritjen e 17 shërbimeve për të moshuar. 10 prej tyre janë qendra ditore, me një kapacitet maksimal prej 432 të moshuar. Ndërsa 7 prej tyre janë shërbime asistence në familje.
“Këto shërbime vijnë në rritje nga viti në vit, bazuar në analizën e nevojave të realizuar nga strukturat vendore, të reflektuara në Planet Sociale vendore, të miratuara nga Këshillat Vendorë,” tha ky dikaster, duke shtuar se në total janë 49 shërbime që jepen nga financimet private apo në bashkëpunim me OJF-të.
Për ekspertin e ekonomisë situata për pensionistët është pesimiste edhe sa i përket kushteve financiare, duke mos i lejuar ata të kursejnë.
“Sot Shqipëria konsiderohet një vend relativisht i varfër, ku 41% i të ardhurave të buxhetit të familjeve shkon për konsumin ushqimor dhe të pijeve joalkolike, ndërkohë që Bashkimi Evropian deri vjet e kishte 18 %. Aktualisht ka shkuar në 12%. Po ashtu, në vendin tonë të larta janë edhe shpenzimet për arsim dhe shëndetësi. Shqipëria ka mundësi shumë të ulëta kursimi,” thotë ai.
Një auditim i ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për periudhën 2020-2022 gjeti se shtëpitë e të moshuarve përballen me infrastrukturë të dobët, mungesë fondesh dhe mungesë personeli.
“Nëpër Institucionet Rezidenciale Publike për të moshuarit, nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore, të domosdoshme për të ofruar shërbimet sipas standardeve të përkujdesit shoqëror,” kanë gjetur audituesit e KLSH, të cilët citojnë se raporti duhet të jetë 1 kujdestar për 5 të moshuar.
Më tej vihet në dukje se të moshuarit në azile nuk ndiqen rregullisht nga mjekë specialistë dhe vetëm në qendrat e Tiranës dhe Kavajës kanë nga një psikologe, kur raporte të ndryshme flasin për rritje të sëmundjeve të shëndetit mendor në këtë moshë.
“Nga vizitat e zhvilluara në terren, grupi i auditimit konstatoi se një numër shumë i lartë i të moshuarve rezidentë, që janë akomoduar në Institucionet Rezidenciale publike për të moshuar vuajnë nga sëmundje të shëndetit mendor,” evidenton KLSH.
Të vetmuar dhe pa mbështetje
Sipas censit të pupullsisë që u publikua gjatë verës së vitit 2024, rreth 31 mijë të moshuar kanë shtëpi, por jetojnë vetëm, çka do të thotë se kanë nevojë për shërbime të tilla siç është bërja e pazarit, larja e rrobave apo blerja e medikamenteve.
Për Gëzim Tushin ofrimi i shërbimeve të përditshmërisë ose mobile, mund të ishte zgjidhja, duke zbutur presionin mbi institucionet e përkujdesit social.
“Nevojat e të moshuarve nuk zgjidhen me institucione rezidenciale, aty strehohen më pak se 1% e njerëzve që kanë nevojë për këto shërbime. Në këtë kontekst kemi nevojë për të pasur më shumë shërbime rezidenciale, por më tepër duhet të kemi shërbime të personalizuar për të moshuarit që mund të ofrohen në shtëpi apo qendrat komunitare”, thotë Tushi.
Sipas tij në kushtet kur nevojat janë shumë të mëdha dhe niveli i kërkesave është në rritje, është emergjente shtimi i këtyre shërbimeve.
“Standardi evropian është që për çdo 100 mijë banorë duhet të ketë një institucion të përkujdesit social për të moshuarit, pra me këtë logjikë duhet të kemi së paku 30 azile, por ne kemi vetëm 6,” thotë Tushi.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i tha Citizens se ka në plan të zgjerojë rrjetin e shtëpive për të moshuar rezidenciale dhe komunitare, përgjatë vitit 2024 dhe 6-mujorit të vitit 2025, por nuk specifikoi asnjë projekt konkret.
Një OJF e vetme ndihmon sa i gjithë shteti
“Dorcas Albania” një organizatë jofitmprurëse ndihmon e vetme po aq të moshuar sa ndihmon i gjithë shtet shqiptar.
E hapur që në vitin 1992, në vitin 2007 ndryshoi qasje dhe filloi të ofrojë mbështetje ndaj të moshurave me fonde holandeze, ku një individ nga Holanda mbështeste një të moshuar në Korçë.
Aktualisht kjo OJF ka në regjistrat e saj të mbështetjes së vazhdueshme plot 355 të moshuar të vetmuar dhe të braktisuar nga Korça, një numër që tejkalon edhe kapacitetin prej 332 personash që kanë sot 6 shtëpitë e të moshuarve në vend.
Viola Çekani, menaxhere programesh pranë “Dorcas” i tha Citizens se qëllimi i tyre nuk është vetëm mbështetje me një shportë bazë si ushqime ditore, dru zjarri apo nevoja të tjera shëndetësore, por ata synojnë t’i bëjnë ata të ndihen sërish të dobishëm dhe të pleqërojnë me dinjitet.
“Në qendrat tona ata vijnë dhe merren me prodhime të ndryshme artizanale, që të mos e kalojnë kohën vetëm paraTV, u mësojnë brezave të rinj tradita që rrezikojnë të zhduken, por edhe të rinjtë u mësojnë atyre disa gjëra të reja. Pra të ndihen të dobishëm dhe me vlerë,” tregon Çekani.
Sipas saj fillimet kanë qenë shumë të vështira dhe për shumë vite me radhë ndjeshmëria e komunitetit ka qenë zero.
Në 2011 ata nisën një model të ri me qendrat ditore në bashkëpunim me Bashkinë e Korçës, që vazhdojnë të ekzistojnë, duke synuar që ata të mos ishte vetëm një qendër ku të pinin një kafe, por edhe të punojnë, të argëtohen.
Për 6 vite me radhë, pushteti vendor i mbështeti me pagesat e faturave të ujit dhe të dritave dhe ofrimin e ndërtesave. Ky bashkëpunim rezultoi i suksesshëm dhe aktualisht këto qendra i financon plotësisht vetë bashkia.
“Këtë model kemi filluar ta shpërndajmë në bashkitë e tjera, para dy vitesh hapëm një qendër në Maliq, ndërsa aktualisht Këshilli i Qarkut po aplikon për fondet sociale dhe po bëhet projekt rajonal,” thotë Çekani.
Edhe për sociologun përgjegjësia më e madhe është e pushtetit lokal për të ecur me zgjerimin e shërbimeve të përkujdesit social.
“Pushteti lokal del çdo ditë duke mbjellë pemë, duke hap kanale apo vendosur një llambë, por rrezik as nuk e di se sa të moshuar të vetmuar ka në bashkinë e tij. Duhet bërë detyruese, që pushteti vendor, në përputhje me nevojat që kanë të moshuarit e komunitetit të tij, të gjejë zgjidhje për të ngritur institucione të përkujdesit social, ditor apo rezidencial që ofrojnë zgjidhje,” thotë ai.
Për ekspertët e ekonomisë duhet të dedikohen më shumë fonde. Kjo duhet të ndodhë pikërisht në këto momente kur po diskutohet projektbuxheti për vitin 2025.
“Sot është e kotë të flasësh për ndërtim rruge, pasi nëse duam të mbajmë shqiptarët dhe të frenojmë emigraconin duhet të zgjidhim problemet sociale,” thotë Muço.
“Një nga problemet e mirëqenies sociale është garantimi i një jete dinjitoze për të moshuarit, sidomos për ata që nuk kanë mundësi që t’i mbajnë fëmijët apo nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të garantuar një pension me dinjitet,” përfundon ai./ Marrë nga Cityzenz.al