Gjyqtarët italianë i japin një tjetër goditje marrëveshjes së azilit të Melonit në Shqipëri” – me këtë titull gazeta e përditshme britanike “The Guardian” i ka kushtuar një shkrim dështimit të radhës të marrëveshjes Rama – Meloni. Gazeta shkruan se qeveria italiane e ekstremit të djathtë e ka dënuar me zemërim vendimin që 7 burrat e burgosur në Shqipëri duhet të transferohen në Itali. Më poshtë shkrimi i plotë.
Gjykatësit italianë kanë urdhëruar që 7 persona të ndaluar në një qendër migracioni në Shqipëri të transferohen në Itali, duke i dhënë një tjetër goditje marrëveshjes së diskutueshme mes qeverisë së ekstremit të djathtë të Romës dhe asaj të Tiranës që synon të frenojë fluksin e azilkërkuesve. Burrat mbërritën në portin shqiptar të Shëngjinit me një anije ushtarake të premten, pasi u shpëtuan në ujërat ndërkombëtare teksa po përpiqeshin të bënin rrugën për në Evropë.
Qeveria italiane kishte argumentuar se të gjithë duhet të kthehen në vendet e tyre “të sigurta” në Egjipt dhe Bangladesh. Një burrë që fillimisht ishte pjesë e grupit u dërgua që në fillim në Itali pasi u konsiderua “i pambrojtur”. Vendimi i së hënës shënoi herën e dytë që gjyqtarët italianë urdhërojnë kthimin në Itali të njerëzve nga qendra e Shqipërisë, duke ngritur më tej pikëpyetje në lidhje me planet e BE-së për të krijuar qendra të përpunimit të migracionit dhe ndalimit jashtë bllokut.
Qeveria e Italisë, e udhëhequr nga partia “Vëllezërit e Italisë” e ekstremit të djathtë të Giorgia Melonit, dënoi me zemërim vendimin e gjyqtarëve duke fajësuar “magjistratët e politizuar” që “do të donin të shfuqizojnë kufijtë e Italisë”. “Një tjetër dënim politik, jo kundër qeverisë, por kundër italianëve dhe sigurisë së tyre”, – tha zëvendëskryeministri Matteo Salvini.
Sipas marrëveshjes, burrat nga vendet që konsiderohen “të sigurta” dhe të kapur në ujërat ndërkombëtare teksa përpiqen të kalojnë nga Afrika në Evropë, supozohet se do të mbahen në Shqipëri ndërsa kërkesat e tyre për azil janë duke u përpunuar. Skema, e cila përjashton gratë, fëmijët dhe individët vulnerabël, mund të përpunojë deri në 3 mijë burra në muaj.
Megjithatë, që kur qendrat u hapën më 11 tetor, vetëm 24 persona kanë mbërritur në Shqipëri në total dhe pas vendimit të së hënës, të gjithë do të transferohen në Itali me urdhër të gjyqtarëve që kanë vendosur se ata nuk mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Organizatat joqeveritare dhe partitë e opozitës sulmuan marrëveshjen Itali – Shqipëri, të përshëndetur nga liderët e ekstremit të djathtë dhe të tjerë në Evropë si një plan potencial për të ardhmen e migracionit, si një “dështim i plotë” dhe “katastrofë financiare”.
“Kjo është historia e një dështimi, e paaftësisë ose mungesës së vullnetit për të menaxhuar fenomenin” – tha Laura Boldrini, një deputete e Partisë Demokratike dhe një ish-zëdhënëse e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët për Evropën Jugore.
“Shpresoj që Giorgia Meloni të paktën të ndjejë një siklet të madh për këta njerëz që po kërcejnë si topa ping-pongu për një lojë që është thjesht propagandistike. Larg nga të qenit një model për Evropën, ky është një bumerang. Objektet e emigrantëve në Shqipëri nuk shërbejnë vetëm për të poshtëruar emigrantët e përdorur si kukulla” – shtoi ajo.
Vendimet e gjyqtarëve se 24 burrat duhet të transferohen në Itali, në fakt mbështeten tek një vendim i mëparshëm i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJED), të cilin qeveria italiane u akuzua se e kishte shpërfillur. Në Shqipëri mund të dërgohen vetëm personat që vijnë nga një listë prej 18 kombesh që Italia i klasifikuar si “të sigurta”. Egjipti dhe Bangladeshi janë mes tyre, por GJED vendosi që një vend jashtë bllokut nuk mund të shpallet “i sigurt” nëse i gjithë territori i tij nuk konsiderohet “i sigurt”.
Projekt-ligji për këtë iniciativë, të cilën OJQ-të e kanë etiketuar si “çnjerëzor, absurd dhe një sistem të kushtueshëm që shkel detyrimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, vlerësohet në rreth 1 miliard euro gjatë 5 viteve.
Mosmarrëveshjet për paktin me Shqipërinë ka përkeqësuar marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes qeverisë italiane dhe gjyqësorit. Ministri i drejtësisë, Carlo Nordio sulmoi gjyqtarët: “Përkufizimi i një vendi të sigurt nuk mund t’i lihet gjyqësorit,” – tha ai. ©LAPSI.al