Nga foltorja e Kuvendit deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, deklaroi se Qeveria i ka tradhtuar pensionistët, ndërsa shtoi se ajo iu merr votën “qyl”, por në 11 vite nuk ka pasur asnjë rritje pensionesh.
FJALA E XHIXHOS
Projektligji që diskutojmë, i cili është Protokoll Opsional i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, bërë në Nju-Jork në fakt është një mundësi për të ballafaquar disa realitete pikërisht për këto të drejta.Ndaj dua të ndalem te fakti se si kjo qeveri është tallur për 11 vite me pensionistët, duke i kthyer ata në shtresën më të nëpërkëmbur dhe të përbuzur në vend.
Fakt është që në 11 vite nuk ka pasur rritje pensionesh.
Fakt është që pensionistët kanë 30 vjet qe ju votojnë që 7 mëngjesit ne qendrat e votimit.
Fakt është që pensionistët janë shtresa më e diskriminuar dhe që jeton në varfëri ekstreme. Atyre u dridhen duart të blejnë fruta e perime, nuk blejnë dot ilaçet e një zot e di si ia dalin me çmimet që janë rritur në stratosferë. Të mos flasim këtu për hapësira komunitare sociale apo aktivitete integruese për ta. Shumë të tjerë jetojnë me të ardhurat që u sjellin fëmijët e emigruar jashtë, se të ishte për pensionet që marrin, do ta kishin të pamundur të ushqeheshin edhe vetëm me bukë.
Ata janë pengu që kanë lënë pas mbi 1 milion të rinj, që janë dëbuar nga kjo qeveri e korruptuar deri në palcë.
Tallja e radhës ishte që nga 1 tetori, pensionistët shqiptarë që prisnin rritjen e pensioneve të tyre, morën vetëm 25 lekë të reja më shumë në ditë, praktikisht një panine. 800 mijë pensionistët e vendit u gënjyen e u mashtruan nga qeveria, pasi indeksimi qesharak 4.1% nuk merr parasysh fare inflacionin, por bëhet për propagandë, sepse ata e dinë më mirë se kushdo xhepin e tyre.
Nuk mund të quhet rritje e pensioneve kur shton 25 lekë të reja, ndërsa çmimet janë dy e trefishuar.
Le të themi ca të vërteta:
Pensionistët shqiptarë janë më të varfrit në rajon me një pension mesatar 160 euro, ndërsa në Kosovë është 340 euro, në Malin e Zi është 450 euro, në Maqedoninë e Veriut është 325 euro dhe në Serbi është 390 euro.
Indeksimi me vetëm 4.1% është tallës në krahasim me rritjen 20% që bëri qeveria e Kurtit ne Kosovës, me një buxhet sa gjysma e atij që ka qeveria e Edi Ramës.
Sipas Eurostat, për një person të rritur mbi 65 vjeç ose në pension, niveli i varfërisë për Shqipërinë vlerësohet në 69%, për Serbinë në 48.9% dhe Malin e Zi 27.6%.
Më shumë se çdo gjë tjetër, kjo shifër e Eurostat për pensionistët shqiptarë tregon nivelin e përjashtimit social, në krahasim me vendet fqinje, ndërkohë që me vendet e Europës jemi vite drite larg.
Janë me mijëra pesnionistë, të cilët pasi kanë kontribuuar një jetë për vendin, gjenden sot të braktisur nga qeveria që ata kanë votuar me vite në besnikëri të verbër.
Po flasim për një kategori që e ka votuar Partisë Socialiste, duke i dhënë të drejtën për të qeverisur. Dhe shpërblimi që marrin mbrapsht është varfëria e skajshme në të cilën kjo qeveri i ka zhytur e po i zhyt përditë.
Nëse bëjmë një krahasim me vitin 2013, pensionistë marrin sot 30% më pak pasi çmimet janë rritur dhe pensionet nuk kanë ndryshuar fare. Kjo është e vërteta e hidhur që e ndien sot çdo pensionist që nuk i del të blejë ilaçet apo të paguajë energjinë.
Pra, në krahasim me vitin 2013 nuk ka rritje, por vetëm ulje pikiatë të mundësisë që me një pension të kenë një jetë dinjitoze.
Pensionistët janë brezi që i kanë pasur familjarët dëshmorë të atdheut, që kanë dhënë gjak për pavarësinë e vendit, pjesë e luftës nacional-çlirimtare e që meritojnë nderim e jetë dinjitoze në vendin për të cilin luftuan, por që fatkeqësisht kurrë nuk i qe mirënjohës.
Ndaj çdo qytetar, e sidomos pensionist, pyet ku shkojnë sot paratë e tyre?
Shumë e thjeshtë: vetëm te oligarket dhe klientët e kësaj qeverie. Shkojnë për inceneratorët që nuk ekzistojnë, për PPP-të, mega aferat si kompania 5D në Bashkinë e Tiranës e plot vrima të tilla të zeza që thithin me mijëra euro në ditë.
Të gjithë qytetarët të jenë të qartë se PARA KA. Kjo është për shkak të rritjes së çmimeve dhe TVSH që paguajmë përsëri nga xhepat tanë dhe absolutisht kjo rritje e buxhetit nuk vjen nga mirëadministrimi i te ardhurave. Para ka, por ato nuk shkojnë për të rritur pensionet, as për tu investuar në shëndetësi, në arsim etj
Por paratë shkojnë për oligarkët e Edi Ramës dhe bandës së tij.
Edi Rama i ka parë pensionistët gjithmonë si votuesit të cilët mund t’i shfrytezojë por kurre t’i mbështesë me vendimmarrje që të mund të kenë jetë dinjitoze në vend. Dhe do të vazhdojë t’i shohë njësoj, sepse as në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk është parashikuar rritje reale pensionesh.
Mbi 300 mln euro shkojnë për fushatë elektorale të PS. Përdoren lekët e pensionistëve përmes tenderave dhe financohet fushata e partisë.
Ndaj, për 11 vitet që u mashtruan, pensionistët kanë detyrimin dhe misionin që ta ndëshkojnë me votë këtë qeveri!
Çdo shqiptar që i ka dhënë votën kësaj qeverie ndihet i tradhtuar por më të tradhtuarit janë pensionistët, që i ka lënë në skamje te kafshata e bukës dhe të vetmuar pa fëmijët e tyre.
Skamja dhe varfëria e pensionistëve është pika e fundit që do ta rrëzojë këtë qeveri.
Folklori shqiptar thotë pleqëria si fëmija, po ky kryeministër dhe ju anëtar të kabinetit dhe deputetë të PS që po i çoni me barkun bosh në gjumë, ju do t’ju zënë vuajtjet e tyre