Një situatë e pazakontë po ndodh brenda godinës së SPAK, pasi një nga tenderat publikë më të rëndësishëm të kësaj prokurorie është anuluar për të dytën herë radhazi, duke sjellë dështimin e procedurës së prokurimit.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO), i përbërë nga anëtarë të administratës së buxhetit dhe prokuror, njësoj si radhën e parë në muajin Shtator 2024, dështoi edhe këtë herë të dytë në muajin Tetor 2024, të shpallë fituese ofertën ekonomike që kompanitë e ndërtimit kishin paraqitur pranë SPAK.Kjo situatë e dështuar, reflekton qartë konjukturat paracaktuese dhe rrymat e interesit që janë të interesuara për fitimin e këtij tenderi të hapur nga SPAK.
Aktualisht 4 miliard lekët e SPAK-ut, vijojnë të mbeten në ajër.
Për shkak se brenda 4 muajve, prokuroria e posaçme në dy procedurat e hapura, nuk ka qenë në gjendje të shpallë fituese një kompani private, me qëllim ndërtimin dhe mobilimin e zyrave që drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i konsideron shumë të nevojshme.
Tashmë pas dy praktikave të dështuara, SPAK ka rihapur për herë të tretë tenderin me vlerë 4 miliard lekë. Duke shpresuar që KVO-ja, këtë herë të tretë të përzgjedhë ofertën fituese, duke zgjedhur kompaninë që do kryejë punimet gjatë një periudhe 1 vjeçare.
Mësohet se tenderi, është hapur në 15 nëntor ndërsa afati përfundimtar për dorëzimin e ofertave është lënë në 3 dhjetor 2024.Disa nga ndërtuesit kryesorë që veprojnë në Tiranë, e dinë shumë mirë se kush nga konkurrentët është paracaktuar fitues i këtij mega-tenderi.
Ndërkohë gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, e ka monitoruar qysh në fillim procedurën e këtij tenderi, duke raportuar detaje dhe dhënë indicie të forta, se ky tender me vlerë 4 miliard lekë është i paracaktuar dhe ka nuanca të forta për veprime korruptive brenda anëtarëve të administratës së buxhetit pranë SPAK dhe jo vetëm.
Formula e paracaktimit të fituesit në procedurat tenderuese të SPAK, është një formulë që ka gjetur zbatim në thuajse 95 përqind të praktikave të hapura nga ana e SPAK.
Kështu ka ndodhur për herë të parë me përzgjedhjen e kompanisë fituese që kreu punimet për rikonstruksioknin e objektit të ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që sot këto ambiente shfrytëzohen nga Prokuroria e Posaçme SPAK.
E njëjta gjë, sot ndodh dhe me tenderat për furnizim me naftë, benzinë dhe vajra lubrifikantë, ku një kompani e vetme ka monopolin e fitimit të tenderave në SPAK.
Të mos flasim këtu për procedurat tenderuese që kryhen me negocim të drejtpërdrejtë, ku kompanitë selektohen dhe shpallen fituese në bazë të miqësisë, konjukturave klienteliste dhe ryshfetit.
Në këtë drejtim askush nuk e kontrollon SPAK. Madje as vetë SPAK, nuk kontrollon punonjësit e komisioneve të tij.
Në gati 5 vite funksionim, prokurorët e SPAK dhe oficerët e BKH-së, nuk kanë lënë institucion të shtetit (veç SHISH) pa hyrë dhe krehur tenderat apo ankandet publike, duke shkuar deri tek drutë e zjarrit të blerë nga Eduard Kapri në Pogradec apo pastrimin e kanaleve nga kryebashkiaku i Lushnjës, Tushe.
Sot shumë zyrtarë merren të pandehur nga SPAK dhe dënohen nga gjykata për akuzën e “Shkeljes së pabarazisë në tendera dhe ankande publike”, por çuditërisht gjatë kësaj kohe asnjë nga tenderat e zhvilluara në SPAK, nuk është marrë në verifikim dhe nuk është hetuar. Oranews