Na sollën kancerin’/ Banorët e Durrësit do përshkallëzojnë protestat

0
55

Banorët e lagjes Porto Romano në Durrës protestuan paraditen e së dielës kundër vendosjes së mbetjeve të konsideruara “të rrezikshme” nga industria në zonën e tyre. Ata kërkuan ndërhyrjen urgjente të autoriteteve për largimin e këtyre mbetjeve, duke shprehur shqetësimin për rrezikun që ato paraqesin për shëndetin e tyre. 

BIRN

Pasi qëndruan për 12 ditë në det të hapur, autoritetet zbatuan një vendim sekuestroje të Prokurorisë së Durrësit dhe shkarkuan 102 kontejnerë me mbetje të dyshuara si të rrezikshme. Këto mbetje u vendosën në një pronë nën menaxhimin e Agjencisë së Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), pranë EcoParkut në Porto Romano.Ky vendim nuk është pritur mirë nga banorët e zonës. Dhjetëra prej tyre dolën të dielën në rrugën kryesore të lagjes dhe protestuan për më shumë se një orë, duke kërkuar largimin e kontejnerëve. Ata kundërshtuan ashpër vendosjen e 102 kontejnerëve të dyshuar për mbetje të rrezikshme në zonën e tyre.Sipas raportimeve, këto kontejnerë, që dyshohet se përmbajnë mbetje të rrezikshme, ishin eksportuar nga Shqipëria drejt Tajlandës, por u kthyen pas alarmit të dhënë nga organizatat mjedisore. Ato u shkarkuan më 8 nëntor në Portin e Durrësit dhe më pas u vendosën në Porto Romano.

Banorët, të mbështetur edhe nga fqinjë të ardhur nga zona e Sektorit Rinia, u mblodhën pranë vendit ku ndodhen kontejnerët dhe kërkuan zhvendosjen e tyre. Ata deklaruan se mbetjet përbëjnë kërcënim serioz për shëndetin e tyre dhe për kafshët që ushqehen afër zonës.

“Ne jemi familjarë, kemi fëmijë dhe të moshuar. Këtu na kanë sjellë një ‘kancer’ të tmerrshëm,” u shpreh një prej banorëve gjatë protestës. Ai kërkoi përgjegjësi nga pronari i tokës ku janë vendosur mbetjet:

“Pse pronari që e ka dhënë këtë tokë me qira nuk vjen këtu të bisedojë me popullin?”

Më tej shtoi: “Përse ai pronar nuk i ka çuar këto mbetje tek lagjja apo shtëpia e tij, por i ka sjellë këtu për interesa personale, duke dëmtuar familjet që jetojmë këtu?”

Banorët paralajmëruan përshkallëzim të protestave nëse autoritetet nuk marrin masa për zhvendosjen e mbetjeve.

“I bëj thirrje kryeministrit dhe prokurorit që të vijnë këtu dhe të largojnë këto mbetje,” deklaroi një tjetër protestues.

Udhëtimi i 102 kontejnerëve me destinacion Tajlandën ka ngjallur shqetësime prej muajit gusht, kur organizata mjedisore “Basel Action Network”, BAN, ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme me burim hirin e oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD).

Prokuroria e Durrësit nisi atëherë një hetim ndaj kompanisë eksportuese “Sokolaj” sh.p.k, e cila nga ana e saj ka deklaruar se i kishte blerë mbetjet nga kompania e prodhimit të shufrave të hekurit, “Kurum International”.  Kompania “Kurum” ka mohuar që të ketë lidhje me eksportin e mbetjeve të rrezikshme, ndërsa Gjovana Sokolaj, administratore e kompanisë “Sokolaj”, ka pretenduar në Prokurori se mbetjet nuk janë të rrezikshme.

Drejtori i BAN, Jim Puckett, i cili vizitoi Shqipërinë më 28 tetor dhe ishte i pranishëm në portin e Durrësit ditën e mbërritjes së anijes “Molivia”, u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të mundësojnë një hapje publike të kontejnerëve për një proces hetimor transparent, ndërsa kërkon që qeveria shqiptare të ndajë me organizatën e tij një mostër për analiza të pavarura.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here