Qeveria ndryshoi sipërfaqet e të paktën pesë parqeve kombëtare për t’i hapur rrugë ndërtimeve dhe hidrocentraleve në zona të mbrojtura. Ajo madje shpërfilli edhe rekomandimet e ekspertëve të saj për t’i paraprirë ndryshimet me studime të detajuara, të cilat do të mund të evidentonin vlerat e zonave që do të hiqeshin nga rrjeti.
Parqet Kombëtare Lurë-Mali i Dejës, Divjakë-Karavasta, Butrint, Dajt dhe Shebenik-Jabllanicë u ndryshuan në vitin 2022 bashkë me zonat e nëntë parqeve të tjera, pa u paraprirë me studime dy-pesë vjeçare, sikurse iu rekomandua qeverisë në një raport të konsultuar edhe me grupe interesi.
Kjo u kuptua gjatë seancës së radhës gjyqësore në Gjykatën Administrative të Apelit ku 11 organizata të shoqërisë civile kanë paditur qeverinë për veprime, prej të cilave, ata thonë se, dëmtohen habitate natyrore.
Gjatë kësaj seance gjykata kishte thirrur ekspertët që morën pjesë në hartimin e raportit mbi të cilin qeveria vendosi të ndryshonte sipërfaqet e parqeve.
“Ekspertët nuk morën përsipër të dëshmonin se qeveria i ka kryer këto studime, ndërkaq, dihet se qeveria nuk i kreu kurrë studimet e rekomanduara nga ekspertët e saj përpara vendimmarrjes,” tha në një postim në Facebook Shoqëria Ornitologjike Shqiptare (AOS).
Në rastin e Parkut Kombëtar Lurë-Mali i Dejës, ekspertët e qeverisë pranuan se kanë rekomanduar heqjen e rreth 900 hektarëve “për interesa të njohur publike”, në këtë pikë raporti i vitit 2020 që vlerësonte rrjetin e zonave të mbrojtura përmendte nevojën e heqjes së sipërfaqeve nga statusi i mbrojtjes për leje hidrocentralesh, urbanizimi apo zhvillimi infrastrukture.
Në seancën e shkuar eskpertë biologë dëshmuan se qeveria shpërfilli edhe opinionet shkencore të cilat tregonin se sipërfaqet që po zhvisheshin nga mbrojtja kishin vlera të biodiversitetit me habitate të rëndësishme speciesh të rrezikuara.
Ata argumentuan se heqja nga zona e mbrojtur e këtyre sipërfaqeve cenon jo vetëm ato pjesë por edhe vetë integritetin e parqeve në tërësi, duke iu bashkuar kështu opinioneve të paraqitura më herët nga 11 shoqatat paditëse.
Prej shkurtit të vitit 2023 njëmbëdhjetë shoqata të shoqërisë civile janë në gjyq me qeverinë për dy vendime të vitit 2022 që ndryshoi sipërfaqen e zonave të mbrojtura:
- VKM Nr.59 datë 26.01.2022 “Për miratimin e ndryshimit të statusit dhe sipërfaqes së Ekosistemeve Natyrore të Parkut Kombëtar (Kategoria II) të Zonave të Mbrojtura Mjedisore”
- VKM Nr. 60 datë 26.01.2022 “Për shpalljen e Ekosistemeve Natyrore, Rezervave Natyrore të Parkut të Menaxhuar/Natyral (Kategoria IV) si dhe miratimin e ndryshimit të statusit të sipërfaqeve ekzistuese të Zonave të Mbrojtura që i përkasin kësaj kategorie”.
Deri më tani, gjyqi që po gjykohet nga Ardian Dvorani, ka zhvilluar 27 seanca, ku pjesa kryesore e tyre kanë qenë seanca përgatitore dhe shqyrtimi opinionesh të ekspertëve.