Krimi i rëndë mafioz trondit sërish Tiranën
Një 30-vjeçar mbeti i vrarë pasi u ekzekutua me armë zjarri silenciator në zonën e njohur të “Xhamllikut” në kryeqytet.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:40, ndërsa viktimë e atentatit ka mbetur shtetasi i identifikuar si Klajdi Prendi i cili sapo doli nga lokali është qëlluar me 5 plumba në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë.
Klajdi Prendi u transportua në spital në gjendje të rëndë për jetën por si pasojë e plagëve të marra nuk arriti të mbijetonte.
Ndërkohë një orë pas ngjarjes në zonën e Farkës është gjetur edhe një makinë e djegur e cila dyshohet se u përket autorëve.

- Çfarë njofton policia për ngjarjen?
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ekzekutimin e 30-vjeçarit, Klajdi Prendi. Në lidhje me ngjarjen ka reaguar policia e cila bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:36, në rrugën “Xhanfize Keko”.
Më tej bëhet me dije se ndaj 30-vjeçarit dyshohet se është qëlluar me armë zjarri. I riu është transportuar në spital për ndihmë mjekësore por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Policia më tej në njoftim bën me dije se rreth orës 01:05, në afërsi të Liqenit të Farkës është konstatuar duke u djegur një mjet tip “Audi”. Në lidhje me ngjarjen vijojnë hetimet zbardhjen e plotë të vrasjes dhe kapjen e autorëve.
“Më datë 19.11.2024, rreth orës 00:36, në rrugën “Xhanfize Keko” , dyshohet se është qëlluar me armë zjarri shtetasi K. P., rreth 30 vjeç, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Rreth orës 01:05, në afërsi të Liqenit të Farkës është konstatuar duke u djegur një mjet tip “Audi”. Një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar”, njofton policia.
- Por si ndodhi krimi i rëndë?
Në zonën e Xhamllikut, pak pas mesnate (19 nëntor) autorë ende të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri me silenciator në drejtim të të riut, Klajdi Prendi.
Mësohet se 30-vjeçari është mbajtur nën vëzhgim dhe monitorim nga autorët, të cilët kanë pritur momentin kur iriu është futur në automjetin e tij G-Class.
Sapo viktima është futur në makinë e kanë qëlluar me armë zjarri me silenciator. Drejt tij është qëlluar me 5 plumba.
Prendi u transportua në spital në gjendje të rëndë për jetën, por si pasojë e plagëve të marra ai ka ndërruar jetë.
Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në bizneset dhe objektet pranë vendit të ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.
Ndërkohë policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e rrethanave të këtij atentati si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.