Gazetari Armand Shkullaku e ka cilësuar si zhvillim mjaft pozitiv rezolutën e CDI-së për gjendjen aktuale në Shqipëri.
Gjatë bisedës në ‘Çim Peka LIVE’, Shkullaku u shpreh se, me miratimin e kësaj rezolute, që e kanë votuar 108 parti nga e gjithë bota, tani të vërtetat për Ramën i dinë të gjithë.
‘Para disa muajsh nuk mendoj se dhe mediat të thonin se drejtësia po përdoret nga kryeministri shqiptar si instrument për të goditur opozitën, kundërshtarët politikë.
Nëse për një qeveri, ministri të Jashtme, një partner, është e vështirë të shprehen për këtë gjë, organizata të tilla, që janë partiake, i kanë duart më të lira për të thënë disa të vërteta që sot bëjnë mu, që janë mes nesh.
Të përmenda mediat, sepse kështu fillon rëndom, ne kemi përvojën edhe të viteve të mëparshme, kështu fillon rëndom një lloj kthese e opinionit ndërkombëtar ndaj asaj që po ndodh në Shqipëri.
Fillimisht janë mediat që ushtrojnë presion mbi qeveritë e vendeve të tyre, sepse këtu në fund fare çfarë po shpërdorohet për të mbajtur Edi Ramën në pushtet? Lekët e taksapaguesve europianë.
Pra me lekët e taksapaguesve europianë, këtu ndërtohet një drejtësi që ta përdorë Edi Rama sipas nevojave që ka për pushtet.
Ku po shkojnë paratë e drogës dhe krimit? Për të blerë votat, dhe këtu po u referohem vetëm rasteve të bëra publike e jo atyre që dimë ne.
Rasti Çyrbja është klasiku, që po të përkthehet materiali dhe ti dërgohet kancelarive perëndimore është se, në qytetin e dytë më të madh të Shqipërisë ka ndodhur që 40% e përfaqësuesve të popullit janë në burg.
Rreth 28 mijë vota sot janë zhdukur se kanë votuar për njerëz të lidhur me krimin.
Ky përshkallëzim po ndodh, nga mediat po shkon tek organizatat partiake dhe do të shkojë edhe te kancelaritë’, tha Armand Shkullaku në SYRI TV.