Ngjarja e rëndë e vrasjes së 14-vjeçarit në kryeqytet është sjellë në vëmendje gjatë seancës plenare në Kuvend nga deputetët e opozitës, për të treguar dështimin e sistemit të edukimit dhe arsimit në vend.
Nga foltorja e Kuvendit, nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi hodhi akuza kundrejt kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. Bylykbashi tha se tragjedia e djeshme është një tregues dështimi para modelit që ka promovuar Edi Rama, forca për të shtypur të tjerët.Një 14 vjeçar që u nda nga jeta në mënyrë tragjike ishte në fillim të ëndrrave të tij. Një tragjedi që prek thellë në zemër këdo. Por, kjo është edhe në tragjedi që në themel ka dështimin e sistemit të edukimit dhe arsimit, është dështim para modelit të më fortit. Dhe ky model ka një promotor që ka vite në Shqipëri dhe që ka një emër: Edi Rama. Promovon gjithmonë forcën që shtyp të tjerët. Është dështim në edukim për respektimin e tjetrit, për liritë, të drejtat dhe kufijtë. Prindërit kur dalin nga shtëpia, në këtë situatë siç është ky vend dalin me vetulla të ngrysura sepse e di që në hallin që do të kërkojë atje në administratë do marrë përgjigjen jo. Duhet të tregohesh i fortë, i ashpër se nuk i dihet do përballesh me dikë. Ne shkollën, nuk e kemi atë ishullin ku fëmija do zhvillojë veten e vetë, ku do edukohet dhe arsimohet, ato janë shpesh gjëra krejt të kithta. Ne kemi plot mësues, psikologë, tani kemi edhe personel sigurie, por edukim dhe arsimim jo”, u shpreh Bylykbashi.
Gjatë fjalës së tij, Bylykbashi është ndalur edhe te ngjarjet kriminale të ditëve të fundit në vend, të cilat sipas tij kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me qeverinë. Deputeti demokrat thotë me bindje se ngjarjet kriminale apo organizatat kriminale kanë gjetur hapësirë në vendin tonë pasi mbrohen nga politika dhe qeveria.
“Para pak ditësh u zbulua një laborator droge në mes të Tiranës. Dikur, laboratorët ishin në Amerikën e Jugut, tani janë aq me vetëbesim sa e bëjnë në mes të Tiranës, e sjellin laboratorin te tregu. Ky vetëbesim vjen ose se e kanë policinë në xhep, ose se nuk dua t’ja dinë fare. Sot, vrasja më e fundit në mes të Tiranës. Pak kohë më parë, në Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë, gjithkund. Organizatat kriminale shpesh nuk kanë frikë sepse lidhjen e drejtpërdrejtë e kanë me politikën. I sigurojnë vota politikës, politika u siguron mbrojtjen nga ligji”, tha ai.
Teksa është ndalur te diskutimi për buxhetin, Bylykbashi vuri theksin se ai buxhet nuk i shërben askujt, as shëndetësisë, pensionistëve apo arsimit.
“Nuk ka shërbim në shëndetësi, po kështu është me sterilizimin, thonë nuk bëjmë më operacione dhe analiza se nuk ka më para, kështu i kanë porositë nga koncesionari. Kjo është mënyra si Rama trajton paranë publike, paranë e shqiptarëve. Ky është buxheti i shtetit, por paraja është e çdo individi që mbush atë që quhet buxhet publik. Ata e japin për të marrë mbrapsht shërbimin publik dhe ajo që marrin pas është dhuna, gazi lotsjellës etj. Ky thoni ju është buxheti më i madh në histori, po si ka mundësi që nuk ka para për pensionistët, për shëndetësinë, për arsimin, për ata që punojnë, për të siguruar një polici në komunitet që të kuptojë para se të ndodhë krimi. Shqipëria po zbrazet dhe ju nuk e mbushni dot me ato 11 milionë turistët fallco”.