Kryetari i opozitës, Sali Berisha, në intervistë për Çim Peka LIVE, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese u mor pas një bisede mes Ulsi Manjës, Damian Gjiknurit dhe një biznesmeni.
Ai tha se ky është një akt i pashembullt antikushtetues.Berisha denoncoi edhe skandalin e anëtares së GJK, Marsida Xhaferllari, e cila është partnere e Enkelejd Alibeajt, por nuk dha dorëheqje për konflikt interesi
Unë kam një gjykim të pandryshueshëm për realitetin shqiptar. Kjo është një narkodiktaturë që nuk ndjek asnjë rregull. Pra, në një narkodiktaturë, nëse ti pret zbatim ligjesh, Kushtetute, është faji yt, është një tallje me veten tënde.
Unë nga mëngjesi gjer në darkë u përsëris shqiptarëve se kjo është një narkodiktaturë. Narkodiktaturat nuk janë gjakësorë, por janë më të këqija se nuk ndjekin asnjë rregull, asnjë parim dhe ja si janë.
Ato lajme që i keni publikuar, i kam të gjitha në telefon. M’i kanë sjelle sapo është zhvilluar biseda mes Ulsi Manjës, Gjiknurit dhe një biznesmeni. Nuk ishte asnjë surprizë për mua. Kjo Gjykatë Kushtetuese ka bërë suicid juridik. Ajo ka bërë suicid që kur u shpreh se nuk legjitimohet grupi parlamentar për t’u ankuar në Kushtetuese. Një verbëri militante, një injorancë ekstreme juridike.
Në një akt të pashembullt, antikushtetues, antigjykatë, u shprehën se këtë të drejtë e ka parlamenti. Mirëpo parlamenti është një korpus me disa pjesë. Ka administratën, drejtuesit, kryetarin, ka grupet parlamentare, ka deputëtët. Të pretendosh se këtë të drejtë e ka parlamenti, nuk ka injorancë më të pakufishme.
Ose sot, një nga këto gjykatëse ka votuar për opozitën e partnerit të vet, të shpallur apo të pashpallur. Pra kjo gjykatëse, simbol i kësaj gjykate, thotë nuk jam në konflikt interesi, do votoj për opozitën e burrit tim. Dhe jo vetëm kjo ka kundërshtuar dorëheqjen, por edhe trupa e gjykatës ka kundërshtuar dorëheqjen. Këta nuk kanë as ligj, as moral, këta janë një grup i tmerrshëm.
Po kjo është fytyra e drejtësisë së Xhorxh Sorosit.
Unë e mora vesh në kohë reale bisedën, nuk pata asnjë habi apo dyshim sepse isha i bindur se gjithçka u diktohet,” tha Berisha.