Qindra qytetarë kanë mbushur sot rrugët e Tiranës në shenjë protestë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani duke kërkuar drejtësi dhe më shumë siguri për fëmijët e tyre në shkolla.
Me një pankartë të madhe në dore ku shkruhej “Institucionet e papërgjegjshme vrasin” prindër dhe të rinj u mblodhën bashkë për tu solidarizuar në një marshim protestë nga shkolla “Fan Noli’ në Tiranë drejt Ministrisë së Arsimit.
“Nuk ka dhimbje më të madhe. Ai ishte si djali im se ishte shoku i djalit tim. Nuk di çfarë të them, jam shumë i prekur. Ai i ka fut thikën të gjithëve”, tha një prind në nisje të marshimit.
“Apel shtetit shqiptar të mos flejë gjumë, mjaft më. Nuk durohet”, tha një prind tjetër.
Një nga të pranishmet u shpreh se shteti duhet të marrë masa për këtë ngjarje duke kërkuar dënim të rëndë për autorët.
Me pankarta në duar “Martin Cani një fëmijë më pak, një dështim më shumë”, “Pse bën sikur jeton në një vend normal”, “Heshtja jonë po na vret fëmijët. Sa viktima duhen që ne të ngremë zërin? Martin, të kemi vrarë të gjithë nga pak”, qytetarët kanë kërkuar drejtësi për të miturin dhe siguri nga autoritetet në shkolla dhe në vend.
Disa prej qytetarëve e prindërve janë të shokuar nga ngjarja, e të tjerë nuk gjejnë fjalëts e duhura për ta përshkruar dhimbjen e madhe që ka lënë pas vrasja e Martinit.
“Është e tmerrshme, kam fëmijë vetë. Zero siguri, më shumë ligje e të zbatohen të paktën. Realisht është e tmerrshme”, thotë një nënë e re.
Në marshim kanë dalë edhe bashkëmoshatarë të Martinit, të cilët të prekur nga ngjarja tregojnë se si kanë frikë të shkojnë në shkollë, pasi ndihen të pasigurtë.